-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Palestina paralajmëron se sulmet e kolonëve hebrenj “do të çojnë në një cikël dhune”

Më të lexuarat

Palestina ka paralajmëruar se shtimi i sulmeve nga kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar do të çojë në një cikël dhune, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenca e Palestinës ka lëshuar një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmet e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Qeveria izraelite është plotësisht dhe drejtpërdrejt përgjegjëse për dhunën dhe terrorin e kolonëve”, thuhet në deklaratë.

Deklarata paralajmëroi se vazhdimi i sulmeve do të bënte që rajoni të hyjë në një cikël dhune dhe bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për të ndaluar sulmet.

Në një deklaratë më 18 dhjetor, Ministria palestineze e Punëve të Jashtme paralajmëroi se “situata në zonën e konfliktit po del jashtë kontrollit dhe pasojat janë të rrezikshme”, për shkak të sulmeve të kolonëve hebrenj në fshatrat dhe qytetet palestineze.

Organizata joqeveritare izraelite “Peace Now” në raportin e saj të publikuar më 15 dhjetor njoftoi se janë shtuar sulmet e kolonëve hebrenj kundër palestinezëve dhe pronave të tyre.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka njoftuar gjithashtu se nga janari deri në nëntor të këtij viti kolonët hebrenj kanë kryer 427 sulme në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor.

Ekzistojnë më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Më shumë se 500 mijë kolonë hebrenj që banojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën pushtim.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje në territorin e pushtuar konsiderohen të paligjshme. /aa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit