Të mërkurën në Bruksel ishin kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, por nuk pati takim mes tyre.
Të dy Bislimi dhe Petkoviq, mbajtën takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, por nuk u mbajt edhe takimi trelateral.
Pas përfundimit të takimeve në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se ndërmjetësuesi i këtij procesi, Miroslav Lajçak, ka vendosur që të mos kishte takim trepalësh në këtë moment.
Sipas tij, pala e Kosovës ka qenë e interesuar në një takim mes tre zyrtarëve.
“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”, citohet të ketë thënë Bislimi.
Kryenegociatori i Kosovës ka bërë të ditur se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.
Kryenegociatori i Kosovës ka thënë se pala kosovare është e brengosur me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
Pas takimit që ka zhvilluar me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, Bislimi ka thënë se draftet e Lajçakut në mënyrë të njëanshme u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë.
I pyetur nëse arritja e pajtueshmërisë më 10 korrik në Bratisllavë mes Kosovës dhe BE-së për shtensionim të situatës, do të rezultojë me heqjen e masave ndëshkuese të bllokut evropian ndaj Prishtinës, Bislimi ka thënë se është i habitur me mosveprimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell.
E i dërguari i BE-së pas takimeve që zhvilloi ka shkruar në Twitter.
Ai thekson se kanë biseduar një listë të gjatë të çështjeve në kuadër të dialogut.
“Kam pritur në Bruksel, kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Ne diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-përshkallëzimin në veri.
Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”, ka shkruar ai.
Ndryshe, emisari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se në Bruksel ka takuar edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se me presidentin serb janë dakorduar për rëndësinë e de-përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.
“Pata një takim të dobishëm me Aleksandër Vuçiq, pas takimit të sotëm të kryenegociatorëve. Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.