3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Paga minimale dhe paga mesatare në Kosovë

Më të lexuarat

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 383 euro, derisa në vitin 2020 ishte 466 euro, në vitin 2021 kemi rritje në 484 euro, pra me një rritje me 18 euro nga viti paraprak. Paga neto, nga 348 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 416 euro në vitin 2020, ndërsa vitin 2021 kemi rritje në 432 euro, pra një rritje prej 16 euro nga viti paraprak.

Paga minimale është paga më e ulët për orë ditore ose mujore, që punëdhënësit duhet t’ua japin në kompensim të punësuarve në saje të marrëdhënies së punës. Në Republikë e Kosovës paga minimale ishte 170 euro për moshën mbi 35 vjeç e 130 euro nën 35 vjeç dhe kjo pagë minimale nuk ka ndryshuar qysh nga vitin 2011. Duke u bazuar në këtë ligj, shumë kompani i deklarojnë punëtorët e tyre me pagën minimale prej 170 euro, respektivisht 130, ndërsa pjesën tjetër të pagesës e japin kesh, çka edhe rritë ndikimin e ekonomisë informale, dëmtohet buxheti i shtetit duke shmang tatimi në të ardhura, një mashtrim që sanksionohet me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Përveç kësaj, edhe pagesa e kontributeve pensionale është minimale, duke rrezikuar edhe një pension solid.
Administrata Tatimore e Kosovë ka pasur fushata të suksesshme lidhur me deklarimin e punëtorëve nga ana e bizneseve. Tashmë çdo qytetar i vendit lehtësisht mund ta verifikojë se a është duke u deklaruar nga punëdhënësi a jo. Gjithashtu edhe politikat e ndërmarra ekonomike e kanë favorizuar dukshëm formalizmin e deklarimit të punëtorëve saktë dhe drejt.

Paga minimale nuk i plotëson nevojat elementare të një qytetari konsumatorë të Kosovës, duke marr për bazë edhe situatën me inflacionin, si dhe agresionin rus në Ukrainë. Prandaj ka qenë domosdoshmëri që qeveria e vendit, në koordinim me mekanizmat relevantë, të propozoj ngritjen e pagës minimale nga 130, respektivisht 170, në 250 euro neto ose në 264 euro bruto. Sipas kryeministrit Kurti, kjo rritje page përfshin mbi 100 mijë punëtorë. Karakteristikë e pagës së re minimale është se nuk do të tatohet, pra qytetarët që marrin pagë deri në 250 euro neto janë të liruar nga tatimi. Kujtojmë se paga e vjetër minimale është tatuar në bazë të shkallëve tatimore siç është paraqitur në tabelën e mëposhtme:

Norma tatimore Të ardhurat mujore në €
0% 0 deri 80
4% 80 deri 250
8% 250 deri 450

Burimi: ATK

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 383 euro, derisa në vitin 2020 ishte 466 euro, në vitin 2021 kemi rritje në 484 euro, pra me një rritje me 18 euro nga viti paraprak. Paga neto, nga 348 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 416 euro në vitin 2020, ndërsa vitin 2021 kemi rritje në 432 euro, pra një rritje prej 16 euro nga viti paraprak.

Niveli i pagës mesatare bruto dhe neto (në euro), sipas viteve 2012 – 2021

Viti Kosovë Sektori Publik Ndërmarrjet Publike Sektori Privat
Bruto Neto Bruto Neto Bruto Neto Bruto Neto
2012 383      348 407      366 561      502 337      308
2013 386      351 411      370 573      512 340      310
2014 403      365 473      423 656      583 329      301
2015 415      376 509      454 674      598 328      300
2016 422      382 525      467 686      609 340      310
2017 431      390 532      474 699      620 356      324
2018 453      409 573      509 721      639 376      342
2019 477      430 584      519 766      677 411      372
2020 466      416 624      552 769      680 380      342
2021 484      432 612      542 768      680 419      376 

Burimi: ASK

Në raportin e ASK-së thuhet se paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2021 ishte 612 euro, duke u rritur për 205 euro ose 50.4%. Paga neto, nga 366 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 542 euro, një rritje prej 176 eurosh ose 48.1%.

Të punësuarit në sektorin privat në Kosovë flasin për shkelje të mëdha të të drejtave të tyre nga punëdhënësit. Orari i stërzgjatur i punës, punësimi pa kontratë pune e pagesa jo e rregullt, janë disa nga shkeljet, me të cilat përballen këta punëtorë.

Në raport theksohet se dallim thelbësor vërehet te paga mesatare bruto te ndërmarrjet publike: në vitin 2012 ishte 561 euro, derisa në vitin 2021 ishte 768 euro, që u rrit për 207 euro ose 36.9%. Ndërkaq paga neto nga 502 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 680 euro, një rritje prej 178 eurosh, ose 35.5%.

Duke u bazuar edhe në statistika relevante, paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2012, ishte 337 euro, derisa në vitin 2020 ishte 380 euro, duke shënuar një rritje prej 39 eurosh në vitin 2021, pra paga mesatare bruto ishte 419 euro. Në raportin e ASK-së raportohet dhe se derisa paga neto, nga 308 euro, sa ishte në vitin 2012, arriti në 342 euro në vitin 2020, në vitin 2021 pati rritje për 34 euro, pra u rrit në 376 euro,

Sektori privat në Kosovë është lënë në mëshirë të fatit. Asnjë qeveri nuk i ka kushtuar rëndësi të madhe këtij sektori, i cili sipas statistikave punëson rreth 300 mijë qytetarë. Gjithashtu edhe sindikatat e punëtorëve janë tejet të politizuara dhe të ndikuara nga grupe të interesit.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte te ndërmarrjet publike. NP-të në Kosovë ballafaqohen me kriza të ndryshme serioze, aty ka shumë keqpërdorim e keqmenaxhim të parasë publike. Në vitin 2012, te ndërmarrjet publike, paga mesatare bruto ishte 561 euro, derisa në vitin 2021 arrinte në 768 euro. Sektori publik, në vitin 2012, kishte një pagë mesatare bruto 407 euro dhe në vitin 2021 një pagë mesatare 612 euro. Sektori privat ishte sektori me pagën më të ulët mesatare bruto dhe me një rritje shumë të vogël.

Ky sektor në vitin 2012 kishte një pagë mesatare 337 euro, derisa në vitin 2021 kishte një pagë mesatare prej 419 eurosh.

Niveli i pagave mesatare bruto (në euro) sipas sektorëve (2012-2021).
Burimi: ASK.

Sipas statistikave jo të gjithë sektorët patën rritje të shprehur të pagave nëpër vite. Në sektorin publik, paga bruto, për periudhën 2012-2021, u rrit për 205 euro. Te sektori privat kishte vetëm një rritje prej 82 eurosh, brenda periudhës në fjalë, nga 337 në 419 euro. Te ndërmarrjet publike pati rritje më të madhe, me 207 euro më shumë se viti 2012. Paralelisht u rritën edhe pagat neto.

Paga mesatare bruto, sipas ASK-së, sipas aktiviteteve ekonomike në vitin 2021 ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 949 euro, pastaj Informim dhe komunikim me 757 euro, derisa paga më e ulët ishte tek Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 281 euro.
Paga mesatare (në euro) sipas aktiviteteve ekonomike në Kosovë, 2021
Burimi: ASK.

Paga mesatare, sipas aktiviteteve ekonomike, në vitin 2021 ishte e ndryshme varësisht nga sektori: në fushën e ndërtimtarisë paga bruto ishte 412 euro, që është shumë e ulët për t’ia dalë mban, për shkak të inflacionit të lartë, në prodhim paga neto ishte 336 euro, e pastaj vjen bujqësia me 294 euro bruto si page mesatare.

Sipas INSTAT-it, në Republikën e Shqipërisë paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, është 59.565 lekë, duke u rritur me 8,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,1 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e aktiviteteve në bujqësi, pyje dhe peshkim është 39,8 % më e ulët.

Në raportet e publikuara nga INSTAT, theksohet se krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2021, paga mesatare bruto për grupin e aktiviteteve të tregtisë; transportit; aktiviteteve të akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ka rritjen më të madhe prej 11,8 %, ndërsa rritjen më të vogël e kanë aktiviteti i pasurive të paluajtshme; aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 5,7 %,

Paga mesatare mujore bruto dhe paga minimale e miratuar
Përshkrimi IV/18 I/19 II/19 III/19 IV/19 I/20 II/20 III/20 IV/20 I/21 II/21 III/21 IV/21
Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë 52.312 51.531 52.645 51.870 53.458 53.232 54.149 52.815 54.951 56.019 56.710 56.435 59.565
Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror 63.276 61.384 63.207 63.911 63.826 63.116 63.389 64.334 66.479 67.769 68.196 67.538 70.531
Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat 47.299 46.982 47.894 46.473 48.767 48.272 49.280 47.486 49.440 50.330 51.247 51.305 54.482
Paga minimale e miratuar 24.000 26.000 26.000 26.000 26.000 26.000 26.000 26.000 26.000 30.000 30.000 30.000 30.000
Burimi: INSTAT.

Gjatë tremujorit të katërt 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grupin e profesionit të manaxherëve është 71,8 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e punëtorëve (profesione elementare) është 39,1 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, paga për grupin e profesionit të punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit ka shënuar rritjen më të madhe, prej 12,1 %, ndërsa për grupin e profesionit të nëpunësve ka një rritje më të vogël, prej 2,9 %.

Paga minimale në Republikën e Kosovës po rritet pas një mungese koordinimi që nga viti 2011. Kjo ndikon dukshëm në rritjen dhe mirëqenien e shumë punëtorëve, të cilët janë duke u ballafaquar më inflacion të lartë.

Paga minimale, sipas mendimit tim, tash e tutje duhet të shikohet në çdo përfundim të vitit, kjo varësisht prej rritjes ekonomike. Sipas Qeverisë së Kosovës, rritja ekonomike është jashtëzakonisht e mirë dhe dyshifrore, ndërkaq sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar Kosova këtë vit pritet të ketë rritje të bruto produktit vendor për 2.8 për qind.
Rritja ekonomike në Republikën e Kosovës, sipas edicionit të prillit të raportit “Pikëpamja Ekonomike Botërore” pritet të arrijë në 3.9 për qind në vitin 2023 dhe në 3.5 për qind më 2027.

Kryeministri i vendit, Kurti, ditë më parë theksoi se ekonomia jonë gëzoi një rritje dyshifrore prej 10.53% të PBB-së. “Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë”, theksoi kryeministri i vendit.
Në vitin 2021 Kosova kishte rritje për 22 për qind të investimeve të huaja direkte dhe të hyra tatimore 34 për qind më shumë sesa në vitin e kaluar.
Paga minimale gjithsesi duhet të rritet dhe në vazhdimësi.

Autor: Lulzim BEQIRI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit