-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Padrejtësia ndaj zullumqarëve – Justinian Topulli

Më të lexuarat

A mund t’iu bëhet padrejtësi të padrejtëve? Sigurisht, të gjithë janë njerëz, kështu që edhe të drejtët, në përpjekje për të vënë drejtësi, apo për të marrë hakun që u takon, mund t’i bëjnë padrejtësi zullumqarit që iu ka hyrë në hak atyre, apo të drejtës dhe të vërtetës.

Askush nuk është imun nga padrejtësitë, madje edhe i drejti kundrejt zullumqarit, nëse e tejkalon masën e drejtësisë në hakmarrje, apo i vesh zullumqarit gjëra që nuk i ka. Është në dobësinë e natyrës njerëzore që kur kërkon t’i kthehet e drejta nga zullumqari, mund ta kalojë cakun, duke kërkuar shumë më tepër sesa e drejta që i është cenuar, apo duke akuzuar zullumqarin edhe për gjëra që nuk i ka bërë. Këto tejkalime të padrejta ndodhin rëndom mes njerëzve dhe ato shpesh justifikohen me padrejtësinë që u është bërë, duke u kthyer kështu edhe vetë në njerëz të padrejtë, paçka se kjo mund të jetë në masë më të vogël sesa padrejtësia që u është bërë.

Ajo që njerëzit shpesh neglizhojnë apo nuk kuptojnë, është parimi se askush nuk duhet të penalizohet dhe dëmtohet për diçka të padrejtë, edhe nëse ky njeri është zullumqari më i madh mes njerëzve, sepse Zoti nuk e toleron padrejtësinë nga cilido njeri qoftë ajo, qoftë edhe nga më i drejti i njerëzve. Ndaj dhe në këtë rast vlejnë të gjitha ajetet dhe hadithet që dënojnë dhe ndalojnë padrejtësinë pa përjashtim, sepse ato janë të përgjithshme dhe janë për të gjithë.

Megjithatë, këtu do të përmendim vetëm dy ajete që vlejnë pikërisht për atë që po flasim. Allahu në suren el-Maide, ajeti 2 thotë: “Dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj atyre njerëzve që iu penguan nga Xhamia e Shenjtë, që të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre! Ndihmojeni njëri-tjetrin në të mira e në devotshmëri dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe e armiqësi! Kijeni frikë Allahun, sepse Allahu është ndëshkues i rreptë!”

Allahu këtu i ndalon besimtarët e parë, duke përfshirë Profetin dhe sahabët, që ata të sillen në mënyrë të padrejtë dhe të tejkalojnë kufijtë e së drejtës, duke iu bërë padrejtësi idhujtarëve mekas, për shkak se ata në mënyrë të padrejtë i penguan të hyjnë në Qabe. Kjo është një ndalesë specifike për një rast konkret, por që mbart një kuptim të përgjithshëm në thelbin e saj, të cilin Vetë Allahu e përmend disa ajete më pas (ajeti 8) duke thënë:

“O ju që keni besuar! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën; dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni drejtësisë! Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë, dhe kijeni frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju.”

Kjo tregon qartësisht se padrejtësia, zullumi dhe urrejtja që dikush mbart ndaj tjetrit për shkak të zullumeve të tij, nuk duhet kurrsesi të bëhet shkak që zullumqarit t’i bëhet padrejtësi nga i drejti, sepse kjo nuk përligjet në asnjë rast.

Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë dhe në veçanti besimtarët është se beteja dhe përpjekja për drejtësi dhe të vërtetën është në thelb betejë ndaj vetë të padrejtës dhe të pavërtetës, dhe jo ekskluzivisht ndaj njerëzve që urrejmë, qoftë edhe për shkak të padrejtësive dhe të kotës që ata mbrojnë. Kështu që qëllimi dhe synimi për të mbrojtur dhe vendosur të drejtën në vend, nuk përligj dhe as justifikon asnjë formë padrejtësie, qofshin këto shpifje apo akuza të pabaza ndaj zullumqarëve. Në Islam, qëllimi nuk justifikon mjetin, diçka e tillë është haram.

Nëse njerëzit dhe besimtarët do t’i përmbaheshin këtij parimi mjaft të rëndësishëm dhe delikat, padrejtësia mes tyre do të ishte më e pakët dhe më e rrallë, për vetë faktin se shpesh të drejtët e dikurshëm, vjen momenti që kthehen në të padrejtë ndaj atyre që u kanë hyrë në hak, dhe kështu që ndjenja e hakmarrjes dhe e padrejtësisë gjeneron pafundësisht etjen për revansh të padrejtë, i cili nuk ndalet, duke e futur kështu shoqërinë dhe bashkësinë e njerëzve në një qerthull vicioz, që nuk ndihmon aspak në ndërtimin e një shoqërie të drejtë.

Të tregohesh i drejtë edhe me zullumqarin nuk është dobësi, dhe as mëshirë apo tolerancë e tepruar, por është fe dhe besim, është vetë drejtësia dhe “Allahu përnjëmend i do të drejtët” (el-Maide: 42)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit