Muslimani nuk i bën padrejtësi askujt dhe nuk pranon nga askush t’i bëjnë padrejtësi, sepse që të trija llojet e padrejtësive janë të ndaluara në Kuran dhe në Sunet. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“As nuk i bën kujt padrejtësi e as nuk ju bëhet padrejtësi…” (Bekare: 279).
“…E kujtdo që bën padrejtësi prej jush, Ne do t’i japim të përjetojë një dënim të madh…” (Furkan: 19).
Ndërsa Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, përcjell se: Zoti i Madhëruar ka thënë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes dhe juve, ndaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit”; (Tirmidhiu, Muslimi).
“Ruajuni padrejtësisë, sepse padrejtësia do të jetë errësirë Ditën e Gjykimit! ( Imam Ahmedi dhe Hakimi, hadith i vërtetë)
“Ruajuni lutjes së atij që i keni bërë padrejtësi, sepse midis saj dhe Allahut nuk ka perde!” (Buhariu, Muslimi, Darekutni dhe Bejhekiu).
“Kush merr një pëllëmbë tokë padrejtësisht, ajo do t’i mblidhet rreth qafës Ditën e Kijametit nga të shtatë tokat.” (Buhariu, Muslimi). Pastaj Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, lexoi ajetin: “Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë të padrejta. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhimbshëm e i ashpër!” (Hud: 102). (Buhariu).
Tri llojet e padrejtësisë janë:
1- Padrejtësia e njeriut ndaj Zotit, e cila ndodh kur njeriu mohon Allahun Madhëruar: “Jobesimtarët janë mizorët e padrejtë…” (Bekare: 254), ose kur ia përkushton adhurimin, apo një pjesë të tij, dikujt tjetër veç Allahut, pra kur bën shirk: “Me të vërtetë shirku është padrejtësi e madhe…” (Lukman: 13).
Kjo nuk bie në kundërshtim me thënien e Allahut “Ata nuk na bënë Neve padrejtësi, por i bënë padrejtësi vetvetes…” (A’raf: 160), sepse kuptimi i ajetit është që Allahu i Madhëruar nuk dëmtohet nga padrejtësitë e njerëzve, por ky dëm në të vërtetë, i kthehet atyre vetë.
2- Padrejtësia ndaj të tjerëve, duke i lënduar ata në nderin, trupin apo pasurinë e tyre. Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, ka thënë: “Kush i ka bërë padrejtësi vëllait të vet, duke i cenuar nderin apo ndonjë gjë tjetër, le t’i kërkojë falje atij sot, para se të vijë dita kur nuk bën dobi dinari dhe as dirhemi! Në atë ditë, nëse ka vepra të mira, i kalohen tjetrit aq sa ka qenë masa e padrejtësisë; nëse nuk ka vepra të mira, veprat e këqija të tjetrit i kalojnë atij (që bëri padrejtësi).” ( Buhariu dhe Bejhekiu)
“Besimtari gjen gjithnjë hapësirë në fenë e vet, për sa kohë që nuk derdh gjak të ndaluar.” (Buhariu).
“Çdo musliman e ka të ndaluar gjakun, nderin dhe pasurinë e muslimanit tjetër!”
“Atij që merr diçka nga e drejta e muslimanit me betim të rremë Allahu ia ka bërë detyrim zjarrin e Xhehenemit.” – Edhe po të jetë ndonjë gjë e vogël?”- e pyetën. “Edhe sikur të jetë një shkop misvaku” – tha Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të. (Muslimi).
3- Padrejtësia ndaj vetvetes, e cila ndodh kur njeriu e ndot veten me ndyrësitë e mëkateve dhe të mosbesimit. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata nuk na bënë Neve padrejtësi, por i bënë padrejtësi vetvetes…” (A’raf: 160).
Ai që bën mëkate të mëdha, në të vërtetë i ka bërë vetes padrejtësi, sepse ka dalë i zbuluar para mallkimit dhe dënimit të Allahut të Madhëruar.
/Ebu Bekër el Xhezairi “Minhaxh el Muslim”/