Më shumë se gjashtë vjet janë bërë që nga hedhja e gurëthemelit për ndërtëmin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë.
Xhamia Qendrore, lokacioni i të cilës pritet të jetë në lagjen “Dardania” afër objektit të Telekomit të Kosovës, ishte bërë temë diskutimi mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës për lëshimin e lejes për fillimin e ndërtimeve, shkruan lajmi.net.
E pas një periudhe të gjatë që Xhamia në fjalë ka mbetur vetëm në gurëthemel, muaji i ardhshëm pritet të jetë muaji në të cilin edhe do të fillojë ndërtimi.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë për lajmi.net se pritet që fillimet për ndërtimin e kësaj Xhamie të fillojnë pas muajit të Ramazanit.
“Shpresojmë që xhamia të fillojë të ndërtohet pas muajit të Ramazanit, ashtu siç edhe është paraparë “, është shprehur Kadriu.
E ndërsa Sadriu u shpreh se nuk ka informacione për lejen e lëshuar nga Komuna për fillimin e ndërtimit të kësaj Xhamie, nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, tha për lajmi.net se BIK-u e ka lejen dhe mund të fillojë me ndërtimet në afatin e paraparë nga ta.
“E kanë lejen dhe mund të fillojnë të ndërtojnë pas muajit të ramazanit”, deklaroi Pacolli për lajmi.net.
Ndërtimi i kësaj xhamie pritet të kushtojë 20 milionë euro. Ndërsa prona për ndërtimin e xhamisë është ndarë nga Komuna e Prishtinës.