4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Pa ujë në vapën ekstreme: si çohen drejt vdekjes emigrantët në Sahara

Më të lexuarat

Tmerret e paguara me paratë dhe dijeninë e Bashkimit Evropian

Der Spiegel

Timoti Haks nuk donte ta besonte. E si mund t’i ndodhte atij, një amerikani që nuk do ta ëndërronte kurrë të hipte në një varkë refugjatësh për të shkuar në Evropë? Belën, një grua të re nga Guinea, e kapi paniku. Ajo iu lut policit që të mos e linte në mesin e askundit, në një vend që ajo nuk e njihte dhe ku dyshonte se mund të mos ishte i sigurt.

Por lutjet e saj ishin të kota. Fransua, një muzikant nga Kameruni, ishte i shqetësuar për familjen e tij. Siç e konfirmojnë të dhënat e GPS, ai u braktis në një djerrinë së bashku me gruan dhe djalin e tij pa ushqim dhe ujë. Saharaja është shkretëtira më e madhe e nxehtë në botë. Por i rrezikshëm mund të jetë edhe perimetri i saj, i karakterizuar nga peizazhe djerrë e të thata. Në netët e kthjellëta të dimrit, temperaturat mund të bien nën zero gradë. Ndërsa në ditët e verës, termometri ngjitet shumë përtej 40 gradëve Celsius. Sot ky territor i stërmadh, po përdoret gjithnjë e më shumë si armë.

Qeveritë afrikane po braktisin atje njerëz si Timoti Hiks, Bela dhe Fransuai për t’u dërguar një mesazh të qartë emigrantëve të tjerë:As mos provoni. Ju nuk do të arrini kurrë në Evropë. Bashkimi Evropian jep miliarda euro për këtë rajon. Zyrtarisht thuhet se paratë janë për menaxhimin e migracionit:vendet afrikane janë ngarkuara që të parandalojnë si duhet emigrantët që të mos nisin udhëtimin e tyre nëpër Mesdhe.

Po ashtu, këmbëngulet se marrëveshjet janë në përputhje me të drejtat e njeriut. Brukseli thotë se  nuk ka fare lidhje me praktikën e braktisjes së emigrantëve në zona të largëta e të rrezikshme. Në bashkëpunim me median investigative Lighthouse Reports, dhe media të tjera nga tetë vende të ndryshme, Der Spiegel vendosi të zbulojë nëse kjo është e vërtetë. Gazetarët udhëtuan në Tunizi, Marok dhe Mauretani, vende me të cilat BE-ja bashkëpunon ngushtë. Ata verifikuan video dhe i xhiruan vetë emigrantët kudo që ishte e mundur. Ekzaminuan imazhe satelitore dhe dokumente konfidenciale, folën me dhjetëra emigrantë dhe intervistuan diplomatë, zyrtarë të BE-së dhe oficerë policie.

Më shumë se 50 emigrantë, i treguan gazetarëve se u braktisën në zona të largëta nga autoritetet e sigurisë. Këto histori, në kombinim me raportime shtesë, kanë prodhuar një pamje shumë të qartë: Këto veprime, nuk janë incidente të izoluara, por akte sistematike. Në Tunizi, Marok dhe Mauritani, mijëra zezakë arrestohen, dërgohen në zona të largëta të shkretëtirës dhe braktisen.

Investigimi ynë tregon se vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian jo vetëm që janë në dijeni të këtyre akteve çnjerëzore, por pajisin edhe forcat e sigurisë që i kryejnë ato. Evropianët kanë paguar për rindërtimin e ambienteve të paraburgimit, kanë siguruar kamionçina dhe automjete fuoristrade, kanë trajnuar forcat lokale të sigurisë dhe madje kanë patrulluar së bashku me ta.

Në disa vende, sipas një dëshmitari okular, përfaqësuesit e agjencive evropiane të sigurisë, kanë marrë edhe lista me emrat e emigrantëve që do të braktisen në Sahara. Përpjekjet e Evropës për të siguruar kufijtë e saj janë zhvendosur shumë më në jug. Për njerëzit nga Afrika Sub-Sahariane, kufiri nuk është më në enklavën spanjolle të Melilas apo në ishullin italian të Lampeduzës, por në skajin e Saharasë.

Në Marok, Mauritani dhe Tunizi, operacionet cilësohen si “kthim i detyruar”, që në thelb do të thotë kthim me forcë. Ato priren të ndjekin të njëjtin model:azilkërkuesit, ose njerëzit që forcat e sigurisë besojnë se janë azilkërkues, ndalohen, mbyllen për disa ditë në kampe dhe më pas të braktisen në vende të largëta, ndonjëherë në mes të shkretëtirës.

Disa nga të braktisurit janë grabitur ose torturuar. Të tjerë raportohet se kanë vdekur. Timoti Haks, Bela dhe Fransuai arritën të mbijetojnë. Timoti u arrestua në marsin e vitit 2019 në rrugët e qytetit maroken Rabat nga disa policë me veshje civile. Gjatë marrjes në pyetje, ai u tha se vinte nga Nju Jorku, dhe dy vitet e fundit kishte punuar në Rabat si mësues i anglishtes.

U tregoi patentën dhe kërkoi të merrte pasaportën nga banesa. Por oficerët nuk ishin të interesuar. Ata i vunë prangat dhe e futën në një furgon me disa emigrantë të tjerë të kapur. Haks kujton se atë ditë u mbyll në një qeli të madhe të pisët dhe 40 burra me ngjyrë që vinin nga Senegali dhe Nigeria. Më pas u mos sërish në pyetje. Oficerët i bënë  pyetje që ngjanin shumë si akuza. Mos është  terrorist? A i përkiste Boko Haram? “Është e vështirë të përshkruaj se sa i mërzitur isha në atë moment. Ishte krejtësisht e padrejtë. Një marrëzi”-kujton amerikani. BE-ja i ka të dokumentuara aktivitetet e forcave të sigurisë në Marok.

Në vitin 2019, Komisioni Evropian shkroi në një raport për një “fushatë” kundër “refugjatëve dhe azilkërkuesve sub-Saharianë”. Mijëra, duke përfshirë fëmijë dhe gra shtatzëna, vuri në dukje raporti, ishin ndaluar ilegalisht, dhe më pas u dërguan në zona të largëta. Por pavarësisht provave të qarta, Brukseli nuk e pezulloi mbështetjen e saj për autoritetet marokene dhe vazhdon të kryejë ende sot pagesa.

Gjatë viteve 2015-2020, Maroku mori rreth 1.5 miliardë euro nga BE-ja. Disa diplomatë dhe zyrtarë evropianë, besojnë se abuzimet lidhen me presionin që po ushtrohet nga Evropa. Gil Arias, zv/drejtues i agjencisë së mbrojtjes së kufirit në BE, Frontex, gjatë viteve 2006-2015, beson se ka një marrëveshje të heshtur.

Para në këmbim të kufijve të sigurt, duke përdorur edhe mjete të pahijshme nëse është e nevojshme. “Nuk bëhen asnjëherë pyetje”- thotë Arias në një intervistë për Der Spiegel. Bela, 27 vjeçe, është nga Kubia, një fshat në Guinenë Veriore. Ajo tregon se ishte martuar me një burrë të moshuar kur ishte vetëm 16 vjeç. Pak më vonë, u transferua me të në Gambia. Ai e dhunonte shpesh. Kur i vdiq i shoqi, vendosi të emigronte për të fituar para vetë. La pas tre fëmijët e saj me vëllain dhe gruan e tij. Shkoi në Mauritani, dhe pas disa kohësh u përpoqën të mbërrinte në Evropë me një varkë. Por pas 10 ditësh në oqean u kap nga Roja Bregdetare Mauritaniane. Pasi i mbajt disa kohë në burg, bashkë me 20 emigrantë të tjerë u nis për në pikën kufitare me Malin. Pas 15 orë udhëtim, emigrantët u detyruan të zbrisnin nga autobuzi dhe u braktisën në mes të shkretëtirës pa ujë dhe ushqim.

Kur një person nuk pi mjaftueshëm ujë, kjo i dëmton veshkat e tij, i bie tensioni i gjakut, qelizat trupit të tij nisin të tkurren, dhe truri i tij nuk furnizohet siç duhet. Pasojnë dhimbjet e kokës, pastaj halucinacionet. Më vonë, ndoshta gjendja e të fikëtit. Fransuai, 38-vjeçar truphollë, thotë se u tmerrua kur Garda Kombëtare Tuniziane e braktisi atë dhe refugjatët e tjerë në shtator 2023 në kufirin me Algjerinë buzë shkretëtirës së Saharasë.

Disi do t’ia dal të rikthehem, mendoi me vete. Por të tjerët në grup? Gruaja e tij dhe djali i saj pesëvjeçar? Dy gratë shtatzëna? Djali që një dëmtim të tendinës të Akilit, mund të ecte vetëm duke gulçuar nga dhimbja? Udhëtimi përtej Mesdheut ishte i frikshëm, por nuk ishte asgjë në krahasim me Saharanë.

Ishte një vend, kujton ai, ku duhej të ishe i sigurt për drejtimin që po ecje. “Përndryshe, ishte i vdekur”-thotë ai. Kur grupi i emigrantëve iu afrua kufurit, rojet kufitare algjeriane qëlluan në ajër në formë paralajmëruese. Ata u tërhoqën dhe kur zbardhi dita, vendosën të ktheheshin mbrapsht për në Tunizi. Por u zbuluan nga Garda Kombëtare para mesditës, pas vetëm disa kilometrash. Këtë herë, sipas të dhënave GPS në celularët e tyre, Fransua dhe të tjerët u braktisën disa kilometra më në veri, edhe më afër kufirit. Përpjekja e radhës e Fransuait për t’u larguar nga rajoni kufitar nisi që atë natë. Ata vendosën, të ecnin vetëm në errësirë, duke shpresuar të bënin gjithçka që mundnin për të mos rënë sërish në duart e Gardës Kombëtare Tuniziane. Madje në disa zona ecën nëpër male për të mos u pikasur.

Për disa ditë u sfilit nga dehidratimi. Pas një jave, nisi të humbiste ekuilibrin. Flluskat në këmbë i dhembnin, por edhe shpina dhe ijet. Fotot që mban ende në celularin e tij e tregojnë grupin duke marshuar nëpër savanë, dhe duke kërkuar hije nën pemë. “Ishte shpirti im, ai që vazhdoi të ecte”-kujton Fransua.

Ata gjenin herë pas here një përrua, apo ndonjë banor të zonës që u jepte ujë. Pas nëntë ditësh arritën më në fund në Tajeroun, një qytezë me disa mijëra banorë. Fransua kujton se hyri në një kopsht të bjellë me ullinj dhe ra përtokë i rraskapitur. I zoti i shtëpisë, bleu ilaçe për ta dhe gruaja e tij u bëri për të ngrënë. Të nesërmen, u pagoi edhe udhëtimin e grupit në qytetin bregdetar Sfaks. Të gjithë në grup mbijetuan. “Ne ishim shumë me fat!”-thotë Fransua. “Mos bëj dëm!”, është parimi qendror i ndihmës evropiane për zhvillim. Por në luftën kundër emigrimit të parregullt, kjo moto me sa duket nuk vlen më.

Sot Timoti Haks tani jeton në Spanjë. Bela jeton në varfëri në Senegal. Ajo nuk i ka parë prej dy vitesh fëmijët e saj, 12, nëntë dhe pesë vjeç. Por thotë se s’mund të kthehet në Guine pa para. Ndaj po mendon të kthehet sërish në Mauritani dhe të kërkojë punë. Fransua thotë se që atëherë është përpjekur sërish ta kalojë Mesdheun me varkë. U kap sërish më vonë nga roja bregdetare, dhe u braktis në mes të shkretëtirës. Në të vërtetë, thotë ai, problemi janë evropianët. Pasi janë ata që furnizojnë varkat. Gjithsesi, ai nuk ka hequr dorë nga ëndrra e tij për të mbërritur Evropën. Me shumë durim, thotë ai, do të arrij atje një ditë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit