Më frymëzoi leximi i statusit të një miku të dashur në Zvicër, që shfaq habinë e tij për ca rreshta të shkruara nga një i panjohur për mua, në trevat tona shqiptare, kundër osmanëve. (Xhanëm, janë të shumtë, “të njohur” e të panjohur, që e kanë kthyer osmanofobinë e tyre genetike në tregëti çasti!?)
Ne në Shkodër, edhe fëmijëve të mejtepeve të xhamive tona u mësojmë se propagandat osmanofobe (lexo: islamofobe), janë krejtësisht qesharake dhe nuk duhen marrë seriozisht për njëmijë e një arsye.
Kësisoj, mos i jepni rëndësi të pavërtetave që shpërndahen në statuse të ndryshme, që përbaltin madhështinë e një hilafeti shumëshekullor, vlerat e të cilit shndrisin si rrezet e diellit, prezencën e të cilit e ndjen edhe i verbri!
Mos u mashtroni nga emrat e autorëve që i bëjnë jehonë kësaj fryme primitive, se gjithësesi, as tek e tek (jo që jo), as krejt së bashku, nuk arrijnë as te penxhereja e Odës së Qitabeve të pafundësisë së dijetarëve e burrave të mëdhenj arnautë të Hilafetit Osman (se, nuk po e zgjeroj rrethin)!
Këshillë:
Të lexojmë më shumë libra e studime objektive, që nxjerrin në pah madhështinë e hilafetit tonë osman dhe kontributit të paçmuar të shqiptarëve në të, sesa statuse e legjenda, pa asnjë vërtetësi shkencore, etike, morale dhe historike të atyre që, ndër të tjera bërtasin me të madhe, edhe se: “Asnjë shkollë në periudhën osmane! Asnjë fabrikë.., asnjë uzinë.., asnjë bibliotekë.., asnjë spital…”, që gjithësesi fyejnë edhe intelektin e fëmijëve tanë!
Dihet se kush i përhap këto lloj propagandash, mos u sikletosni! 🙂
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, e xhuma, 7 korrik 2017