3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Osmani: Pezullimi i vizave, mënyra më efektive për ta vrarë dialogun Kosovë-Serbi

Më të lexuarat

Presidentja Osmani tha se “Kosova i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret për liberalizimin e vizave”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se tërheqja e vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët nga vitit 2024 do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, raporton Anadolu.

Duke folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron se një gjë e tillë mund të ndodhë në rast se Kosova dhe Serbia nuk sillen me përgjegjësi, Osmani tha se Kosova “i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret” për liberalizimin e vizave dhe ky është një proces të cilin Kosova e ka merituar dhe “nuk na është dhënë dhuratë”.

Lidhur me mundësinë e tërheqjes së vendimit të liberalizimit të vizave, presidentja Osmani tha se “kjo do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun njëherë e përgjithmonë”.

“Në qoftë se dëshiron dikush që mos të ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë masa ndëshkuese ndaj ndonjë lideri apo ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe, një ndëshkim i tillë i paprecedentë i cili edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës besoj se do të rezultojë me vdekjen e dialogut”, theksoi Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se nëse një gjë e tillë do të ndodhte askush nuk do të kishte më mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel kur populli Kosovës ndëshkohet në atë mënyrë “kështu që, unë besoj se as që nuk do të vijë deri tek ajo punë”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron paralajmëroi gjatë kësaj jave masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse këto dy vende “nuk sillen me përgjegjësi”. Ai tha se “Franca dhe Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi”.

Macron bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen edhe në organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, derisa përmendi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit