Osmani ka potencuar se shtetet evropiane duhet të qëndrojnë të bashkuara në qëndrime dhe veprime “kundër synimeve hegjemoniste dhe destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve saj në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor në veçanti”
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Pragë, ka kërkuar përkrahje nga liderët e kontinentit evropian për rrugën euroatlantike të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani në këtë samit, ku është bërë bashkë me 44 liderë nga shtete në kontinentin evropian, do të diskutojnë për nxitjen e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet urgjente të sigurisë dhe stabilitetit evropian.
Gjatë samitit, Osmani ka ritheksuar orientimin strategjik të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik si garancia më e mirë për paqen dhe sigurinë në rajon. Para liderëve evropianë, Osmani ka kërkuar përkrahjen për këtë proces.
Në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, presidentja kosovare ka përmendur solidaritetin e popullit dhe institucioneve të Kosovës me popullin e Ukrainës, derisa ka potencuar se shtetet evropiane duhet të qëndrojnë të bashkuara në qëndrime dhe veprime “kundër synimeve hegjemoniste dhe destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve saj në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor në veçanti”.
“Ky unitet duhet të tregohet përmes bashkëpunimit për çështje të sigurisë, ekonomisë, energjisë, luftimit të propagandës dhe sulmeve kibernetike”, ka thënë Osmani.
Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Osmani po zhvillon takime bilaterale me liderë evropianë, ku sipas Presidencës po diskutohet thellimi i bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe në të cilën janë bashkuar liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.
Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.