4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Osmani: Mund ta zbatojmë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit, me garanci nga partnerët

Më të lexuarat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani konsideron se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo thotë se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për një gjë të tillë.

E para e shtetit për KosovaPress thekson se pa miratimin e një akti juridik nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian askush nuk mund ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

Fillimin e një akti juridik nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian askush nuk mund ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisaarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.

Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, tha ajo.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se nuk mund të kërkohet zbatimi i detyrimeve të dala nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit vetëm për Kosovën, derisa Serbia formalisht është tërhequr nga marrëveshja në fjalë.

“Para se të dërgohet drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese duhet të miratohet një akt juridik nga ana e Qeverisë, pra pa një akt të tillë askush nuk mund ta dërgojë draftin e statutit në Gjykatë Kushtetuese, procedurat janë të qarta, Gjykata e ka sqaruar procedurën… Marrëveshja bazike e cila është arritur në Bruksel dhe ankesi i Ohrit parashohin obligime për të dyja palët. Nuk mund të kërkohet zbatim i detyrimeve vetëm për njërën palë, kurse pala tjetër, pra Serbia e cila formalisht është tërhequr nga marrëveshja të rri kinse nuk ka asnjë detyrim. Marrëveshja ka kuptim vetëm në qoftë se të dyja palët zbatojnë. Pra, në këtë rast Kosova ka ndërmarrë detyrime jashtëzakonisht të dhimbshme do të thosha nëpërmjet neneve të caktuara të kësaj marrëveshje, mirëpo ato kanë kuptim vetëm në qoftë se edhe Serbia zbaton marrëveshjen”, theksoi Osmani.

Sa i takon miratimit të projektligjit për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani veprimet e tilla i ka konsideruar si taktika të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

Sipas saj, Serbia nuk ka asnjë juridiksion as gjyqësor dhe as territorial mbi Kosovën që nga viti 1999.

Madje, thekson se i vetmi shtet që ka juridiksion mbi territorin e vendit është Republika e Kosovës.

“Natyrisht që Serbia nuk ka asnjë juridiksion as gjyqësor dhe as territorial mbi Kosovën që nga viti 1999. Do të thotë edhe ende pa u shpallur Kosova e pavarur në vitin 2008, Rezoluta 1244 ia ka marr çdo lloj juridiksioni në atë kohë (ish)Jugosllavisë dhe fillimisht ka vendosur kompetencat në kuadër të prezencës civile dhe ushtarake nga ‘99-ta deri në vitin 2008 dhe nga viti 2008 e tutje i vetmi shtet që ka juridiksion mbi këtë territor është Republika e Kosovës gjë që është konfirmuar edhe nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Tani këto janë tendenca, janë taktika për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin, por njëkohësisht ajo që dëshmohet më së miri nëpërmjet këtyre veprimeve është se Serbia akoma e ka mendësinë e viteve të 90-ta, një mendësi e cila synon që t’i destabilizojë shtetet fqinje. Megjithatë realiteti është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm dhe Serbia nuk mund të arrijë asgjë me këtë”, u shpreh presidentja Osmani.

Po ashtu, e para e vendit thekson se Serbia përmes miratimit të projektligjeve të tilla, sikurse ajo për juridiksionin juridik serb në Kosovë është tregues i fuqishëm se nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Sipas saj, me tentativa të tilla, shteti serb po tenton të zgjerojë listën e njerëzve të Kosovës që i arreston dhe bllokon në kufi.

“Nëpërmjet ligjeve të tilla tentohet që edhe më shumë të rritet numri i arrestimeve që Serbia i bënë në kufi, prandaj edhe njëherë thirrje të gjithë qytetarëve tanë që të kenë kujdes të mos të kalojnë nga Serbia sepse nëpërmjet përpjekjeve të tilla, nëpërmjet ligjeve të tilla atë vetëm do ta rrisin listën e njerëzve që do t’i arrestojnë në kufi dhe do t’u krijojnë probleme marramendëse.

Në ligjin që ata e kanë miratuar e ka një lloj togfjalëshi që thonë kushdo që kinse se paska kontribuar në shkelje e të drejtave të pakicave dhe natyrisht në Kosovë nuk ka njerëz të tillë, megjithatë perceptimet e Serbisë dhe gënjeshtrat e Serbisë janë të tjera.

Dhe ata do të tentojnë që nëpërmjet një ligji të tillë ta zgjerojnë shumë listën e njerëzve që i bllokojnë në kufi që i torturojnë në raste të caktuara edhe i marrin në pyetje pastaj i arrestojnë. Pra, për të evituar skenar të tillë duhet të evitohet Serbia sepse është shtet që nëpërmjet propagandës dezinformatave dhe gënjeshtrave tenton që t’i krijojë probleme qytetarëve të Kosovës”, theksoi Osmani.

Në fund të muajit tetor, qeveria e Serbisë ka miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë. Ky veprim i shtetit serb ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve. Bashkimi Evropian tha se Serbia me këtë ligj shkel obligimet e dala nga dialogu. Mospajtime pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /KP/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit