Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, priti ministrin Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, i cili qëndron për vizitë pune në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përbashkët për media pas përfundimit të takimit, ministrat thanë se në fokus të bisedimeve ishte procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut.
Ministri Osmani falënderoi homologun e tij për mbështetjen e dhënë gjatë procesit eurointegrues të vendit, duke theksuar se kjo mbështetje ka qenë e vazhdueshme.
“Folëm për nevojën e lidershipit strategjik të Bashkimit Evropian ndaj rajonit në këto momente të rëndësishme gjeopolitike, se është e rëndësishme që BE të tregojë lidershipin që tregoi në vitin 2004 kur integroi vendet e Evropës Qendrore dhe në vitin 2007 kur integroi vendet e Evropës Lindore”, tha Osmani.
Ministri austriak Schallenberg u shpreh se raportet midis dy vendeve janë të shkëlqyeshme, duke theksuar se Austria është investitori më i madh në Maqedoninë e Veriut.
Duke folur për luftën në Ukrainë, ai tha se BE-ja po përballet me një vendim të madh gjeostrategjik, duke shtuar se zgjerimi i BE-së ishte detyra e saj gjeopolitike.
“Me të vërtetë më inkurajon të shoh se po i afrohemi zgjidhjes së problemit. Në fakt, të gjitha pjesët e mozaikut janë të pranishme në tryezë dhe tani ne vetëm duhet t’i bashkojmë ato. Shpresojmë që para fillimit të pushimeve verore të ndodhë fillimi i bisedimeve”, tha Schallenberg.
Përskaj takimit me ministrin Osmani, Schallenberg do të takohet edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski; kryeministrin, Dimitar Kovaçevski dhe me krerë të tjerë shtetërorë dhe politike në vend