Bashkësia islame e qytetit të Kavajës ka pasur fatin dhe nderin e madh që në krye të saj të jenë dijetarë dhe prijës të shquar të fesë islame qysh nga H. Ibrahim Kaduku, H. Ali Korça, H. Sabri Koçi e deri te Muhamed Hoxha, Jusuf Salkurti etj., të cilët, pavarësisht se në kohë të ndryshme, në kujtesën e qytetarëve të Kavajës janë gjithmonë të pranishëm me nderim të veçantë. Të gjithë ishin teologë me dije të gjera e njerëz shembullorë, që praktikuan te myslimanët fenë e tyre në jetën e përditshme. Përkushtimi ndaj fesë islame ishte tipari themelor i karakterit të tyre burrëror e të papërkulshëm gjatë gjithë kohës që ata punuan. Kam marrë guximin të kap një fletë dhe laps për të ndriçuar mes rreshtave të paktë madhështinë e oratorisë të njërit prej thirrësve më të zjarrtë të fesë islame në Shqipëri, H. Hafiz Sabri Koçit. Jam menduar disa kohë për një veprim të tillë, sepse të shkruash për kontributin e Hafiz Sabriut është vërtet kënaqësi, por nuk është edhe e thjeshtë, pasi bëhet fjalë për një njeri që punoi deri në fund të jetës së tij me përkushtim e devotshmëri jo vetëm në Kavajë, por edhe në krye të Bashkësisë Islame të Shqipërisë. Nuk pretendoj kurrsesi se do t’i them të gjitha. Fokusimi i shkrimit tim do të përqendrohet në qytetin e Kavajës, ku Hafizi punoi për disa vite. H. Sabri Koçi është pjesëtar i denjë i asaj aradhe klerikësh shqiptarë, të cilët ecën në rrugën e traditës islame të paraardhësve të tyre. Oratoria që ai manifestonte, personaliteti dhe formimi i tij intelektual, bisedat e zjarrta që bënte me njerëzit, temat që trajtonte në qyrsinë e xhamisë (kështu më pëlqen ta quaj vendin ku flet imami), bashkëkohësit i ruajnë dhe i kujtojnë me nostalgji. Se kush është H. Sabri Koçi nuk është nevoja që unë të tregoj. Emri i tij njihet si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Qëllimi im është të shpalos për lexuesit e revistës “Drita islame” vlerat e oratorisë të këtij kleriku të nderuar, punën e palodhshme që bënte me të rinjtë, sa me zjarr e pasion diskutonte kudo që shkonte e me kë u takonte. Gjithmonë e shfrytëzonte kohën dhe bënte thirrje se feja mbahet vetëm me dituri e mësim e duke i ilustruar me ajete të Kur’anit dhe hadithet e Pejgamberit a.s. Hafizi ka qenë në krye të bashkësisë islame në Kavajë në periudhën 1954-1957. Ndoshta kjo është arsyeja që unë me ndihmën e disa bashkëkohësve po i rrëfej lexuesit atë vlerë që zotëronte Hafizi, vlerë që bëri për vete edhe inteligjencën e kohës. Periudha që H. Sabriu punoi në qytetin e Kavajës natyrisht për të ka qenë një periudhë e artë, një periudhë e bukur e karrierës së tij, i cili me mesazhin hyjnor që transmetonte fitoi respektin dhe ngrohtësinë e vendasve. Me uniformën e klerikut, atë do ta shikoje mes njeriut të varfër duke paraqitur ngadhënjimin e virtytit, pasionin për t’i shërbyer fesë. Kavajasit, duke qenë një popull fedashës, nuk dëshironin që të mbështeteshin pas të tjerëve në çështjen e fesë, por gjithmonë të parët, prandaj e shihnin si nevojë që në krye të kishin njerëz me dimension të rëndësishëm. Ndonëse bëhen shumë vite nga koha kur Hafiz Sabri Koçi ka qenë në krye të Myftinisë Kavajë, ai kujtohet si një djalë që në moshën rinore në çdo fjalë të tij që fliste shprehte forcë dhe entuziazëm, ishte optimist për atë që thoshte: “Kudo që shkonte – kujton Prof. Rifat Çopa, – këdo që takonte, ai do të fliste për adhurimin e Zotit, për vlerat morale të fesë. Çdo gjë është e lidhur me besimin dhe bindjen ndaj Allahut xh.sh. Besimi në Zotin xh.sh., – thoshte shpesh Hafiz Sabriu, – mbështetet në bindjen e plotë ndaj Tij në punët e mira që njeriu duhet të bëjë, në përpjekjet e vazhdueshme për të mos bërë mëkate, sepse çdo gjymtyrë do të jetë dëshmitare në Ditën e Gjykimit. Kurdoherë veten e kam ndjerë krenar edhe unë si imam të kem shëmbëlltyrë timen Hafiz Sabriun dhe sot them: Faleminderit Hafiz Sabri!”
“Hafiz Sabriu, – kujton Jonuz Sula (dhe ky ish imam), – ishte prush i gjallë. Këtë e vëreje kur bisedonte me të rinjtë, shembull që duhet përgjithësuar. Me fjalën e tij bindëse ai qëndiste në mendjet e të rinjve dashurinë për fenë islame, për Pejgamberin a.s. dhe i ftonte ata në namaz. Tanimë Hafiz Sabriu ka hyrë thellë jo vetëm në qenien time, por në mjedise intelektuale dhe shtati i fesë në Kavajë sot është i shëndetshëm falë kontributit të këtij kleriku të madh. Për Hafiz Sabriun koha ishte flori. Ai nuk rrinte asnjëherë kot, siç rrinë shumë imamë tërë ditën në kafene dhe marrin rrogën vetëm për 20-30 minuta që predikojnë në ditë xhumaje. Jo, jo. Hafiz Sabriu hapi kurse për mësimin e Kur’anit, organizonte biseda të ndryshme me gratë, bënte takime me grupe njerëzish, u fliste atyre për rëndësinë e namazit, agjërimit, zeqatit, haxhit…”
“E mbaj mend Hafiz Sabriun, – thotë infermieri në pension Veiz Tafxhafa nga Rrogozhina, – djalë të ri. Fliste me entuziazëm që të bënte për vete. Natyrshëm përgatiste tema gjithpërfshirëse si dhe të aktualitetit. Në fytyrën e tij dalloje qartë buzëqeshjen, shpresën e jetës, kurse në sytë e tij dritë që donte në çdo çast të reflektonte te xhemati në xhami. Duke u njohur me personalitetin e këtij kleriku të madh, jo vetëm ne kavajasit, por të gjithë shqiptarët, institucionet dhe organizmat shtetërore duhet të vlerësojnë, të shprehin mirënjohje dhe respekt dhe të gjithë duhet të themi: Faleminderit për kontributin që dhe për fenë islame në Shqipëri. Me jetën dhe veprimtarinë e tij të gjallë, me funksionet e tij të rëndësishme H. Hafiz Sabri Koçi i siguroi vetes një vend nderi në vargun e gjatë të intelektualëve myslimanë në Shqipëri.”
Fiqiret Sula