3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Optimistë në kohë pesimizmi

Më të lexuarat

Nga: Dr. Selman Aude

Optimistë në kohë pesimizmi

Të jesh optimist, do të thotë ta shohësh të ardhmen plot shpresë. Optimizmi është një fjalë pozitive, e cila buron nga zemra dhe gjuha e njeriut.
Optimizmi është vetëm një fjalë, e fjala është jetë. Për rrjedhojë, optimizmi është jetë.
Tirmidhiu dhe Ibnu Maxheh, transmetojnë nga Hasen ibnu Ebi Seid, se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Kur gdhin biri i Ademit, të gjithë gjymtyrët i adresohen gjuhës duke i thënë:”Kij frikë Zotin, pasi përderisa je orientuar mirë ti, jemi të orientuar mirë dhe neve, e nëse devijon ti, kemi devijuar dhe neve.”
Ky hadith, është një ndër tekstet që theksojnë rëndësinë e fjalës, gjuhës dhe optimizmit me gojë në jetën ne njeriut. Që këtu, mund të themi lirshëm se: Ajo që thua do të ndodhë dhe atë që dëshiron të ndodhë, duhet ta shprehësh me gojë.
Ata që duan të bëjnë një jetë të lumtur dhe të suksesshme, duhet ta përjetojnë fillimisht me gjuhën e tyre, që t’ju shndërrohet në një ves. S’ka përse të lodhesh dhe mërzitesh nga përsëritja e fjalëve:”Unë jam i suksesshëm, unë jam i lumtur.”
Profeti Muhamed a.s manifestonte optimizëm në të folur dhe në shprehitë e përditshme. Kur migroi për në Medine, pa që njerëzit e kishin emërtuar qytetin me “Jethrib”, term i cili përmban pasivitet dhe pesimizëm. Menjëherë, Profeti a.s ia ndryshoi emrin në “Tajba” (mirësi, zemërbutësi).
Në koleksionin e imam Muslimit, gjejmë se Profeti a.s pyeti një vajzë mbi emrin e saj. Të pranishmit iu përgjigjën:”E quajnë el-Asije (gjynahqare).” Profeti a.s reagoi menjëherë dhe tha:”Jo, ajo është Xhemile (e hijshme).”
Kuptohet qartë që Profeti a.s nuk zgjodhi emrin “E bindur” por zgjodhi “E hijshme” edhe pse të dy përcjellin kuptim pozitiv. Profeti a.s vlerësoi bukurinë në këtë kontest, si për tu thënë se ajo është një tipar i mirë.
Hijeshia e bukuria, përfshijnë si atë të jashtme, ashtu dhe hijeshinë e brendshme, atë shpirtërore. Ajo përfshin hijeshinë fizike, por edhe atë morale.
Kur Profeti a.s e pyeti një burrë mbi emrin, ai iu përgjgj:”Më quajnë Hazen” (I vështirë) Profeti a.s menjëherë ndërhyri dhe i tha:”Jo, ti je Sehl (miqësor)”  
Ky është tregues që Profeti a.s ishte praktik, pëlqente lehtësimin e gjërave dhe urrente vështirësimin dhe komplikimin e tyre.
Në koleksionin e Ebu Daudit, gjejmë se Profeti a.s ua ndërroi emrat të gjithëve atyre që quheshin Gjynahqari, Shejtani, Sorra, Flaka, Lufta etj… Atij që mbante emrin “Luftë” Profeti a.s i vuri emrin “Paqe”, atë që quhej “Thatësirë” e quajti “Blerim”, atë që quhej “Sokaku i humbëtirës” e quajti “Sokaku i dritës” etj…
Profeti a.s ia ndërroi emrin atij që quhej “Gjynahqar” pasi ky emër përcjell frymën e kundërshtimit dhe shkeljes. Sakaq, besimtari ka si tipar bindjen ndaj Zotit. Edhe pse emri “Thatësirë” përkonte me shkretëtirën ku jetonin, Profeti a.s e ndryshoi në “Blerim” për ti parë gjërat me optimizëm.
Ndryshimi i emrit “Luftë” është një tregues tjetër i urrejtjes që kishte Profeti a.s për luftën dhe pasojat e saj.
Kulminacioni i optimizmit është kur e lidh zemrën me Zotin dhe Krijuesin e saj. Kështu, namazi dhe dhikri janë optimizëm, pasi lidhin të vdekshmin me të Pavdekshmin, sepse ato e pajisin robin me aftësi, gatishmëri dhe energji, të cilat nuk i posedojnë të kyçurit në kafazin e materiales.
Lutja është optimizëm, pasi robi e lut Zotin dhe këtë e shoqëron me shkaqet dhe mjetet materiale në dispozicion. Poeti arab thotë:
E lus Zotin dhe më duket sikur
Mendimin e mirë, e shoh të realizuar dikur
Lutja dhe duaja nuk është vetëm adhurim dhe ritual, por edhe formë edukimi. Teksa njeriu lutet dhe i përsërit lutjet herë pas here, ai edukohet me përmbajtjen e lutjeve, duke çliruar energji të fshehta, aftësi të paditura dhe kapacitete të groposura, të cilat stimulohen nga ndjenja e përgjegjësisë.
Lutja dhe duaja nuk është pasivitet dhe heqje e përgjegjësisë, por është thelbi i përgjegjësisë.
Opinioni i mirë për Zotin, është kulmi i optimizmit. Të kesh opinion të mirë për Zotin, do të thotë të presësh prej Tij veç të mira.
Të kesh opinion të mirë për Zotin në të tashmen, do të thotë ti lexosh ngjarjet, shoqëritë dhe individtët me optikën e bardhë, jo atë të zezë, me syrin e optimisitit, jo të pesimistit, ti lexosh pozitivisht duke u fokusuar tek aspektet pozitive, ta lexosh aspektin negativ me syrin e keqardhjes, mëshirës dhe dëshirës për ta korrigjuar.
Optimizmi është një ndjenjë e thellë dhe e vetëdijshme, e cila vihet në funksion të së bukurës brenda nesh dhe rreth nesh, në mënyrë pozitive.
Teksa dëgjon dikë të thërrasë: O i nderuar! O i dashur! O fatlum! një ndjenjë ngazëllimi të pushton zemrën. Këto fjalë na shtojnë optimizmin dhe na bëjnë të mendojmë se jeta ime qenka e lumtur, e dashur dhe në rrugë të duhur.
Trashëgimia e tersllëkut është goxha e madhe në historinë njerëzore. Çdo popull dhe komb ka historinë e tij në këtë aspekt. Kështu, disa e shohin tersllëkun tek numri 13, duke hequr dorë nga fluturimet që mbajnë këtë numër. Ka të tjerë që ndjellin tersllëk nga kafshë si maceja e zezë, qeni i zi etj… Arabët e lashtë ndjenin tersllëk nga ftoi dhe manushaqja, ashtu siç ndillnin tersllëk nga gjyrat e zeza. Tersllëku shihej edhe tek defektet trupore, siç ndodhte me njerëzit e çalë dhe ata me një sy qorr. Emrat e njëri-tjetrit përbënin një ngërç të vërtetë, saqë edhe emrat e mirë, ndonjëherë shiheshin me pesimizëm. Tregohet për Ibnu Rumi, se një skllav erdhi dhe e ftoi në një gosti. Ai e pyeti si e ke emrin dhe skllavi i tha:”Më quajnë Ikbal (fatmir).” Ibnu Rumij ndjeu tersllëk dhe i tha:”Shko se nuk vij.” Të pranishmit e pyetën mbi shkakun dhe ai u përgjigj:”Sepse e kundërta e Ikbal (fatmir) është “fatkeq”
Një poet arab thotë:
Në qoftë qielli i vrejtur ferr
Buzëqesh ti, lërja qiellit vranësirën
Ëndrrat përbënin tersllëk të madh, pasi efekti i tyre shtrihej dhe në jetën e përditshme, gjë që ndikonte në vendimet dhe sjelljen e tyre.
Tersllëk ndillry edhe nga barrierat dhe vështirësitë që hasnin në jetë. Nëse dikush përballet me ndonjë problem në fillim të studimeve, punës, jetës bashkëshortore, banesën e re, marrëdhëniet personale me dikë etj… komentohet si ters dhe se rruga e ndjekur do vazhdonte plot probleme dhe vështirësi. Shumë prej njerëzve ia atribuon këto fenomene syrit të keq dhe magjive. E si mund të vërë gjumë në sy dhe të ndihet i lumtur, ai që  beson se fatkeqësia i është qepur dhe nuk i shqitet?!
Nëse ky njeri do të ushtrohej me durim dhe opinion të mirë, do e kuptonte shpejt se natyra e kësaj bote është e tillë. Ajo do të ketë gjithmonë elementë që na e turbullojnë mirëqenien dhe qetësinë. Çdo njeri që kërkon të renë dhe ndryshimin, i lipset durim dhe vetëmohim. Vetëm kështu e perceptojmë drejt ligjin e jetës dhe sekretet e saj.
Njeriu duhet ta dijë se jeta ka dy fytyra, e s’mund të ketë vetëm një. Thotë Mutenebbi:
Koha ndërron fytyrë herë pas here
E tij mbetesh po ai që ke qenë kahera
Nëse jeta jote është turbulluar këtë mbrëmje, prit mëngjesin të kullohet.
Optimizimi ndikon pozitivisht edhe në përmirësimin e shëndetit mendor. Optimisti i sheh gjërat të bukura, ashtu siç janë realisht. Ai mendon në mënyrë të ekuilibruar, kërkon zgjidhje dhe korr shpërblimin, larg iluzioneve, frikës dhe pesimizmit.
Optimizmi ndihmon në përmirësimin e shëndetit psikologjik. Optimisti ushqehet, fle, kënaqet, udhëton, sheh, dëgjon, buzëqesh, qesh dhe shijon, pa lejuar që këtë gjendje t’ia turbullojë frika apo pesimizmi.
Optimizmi ndihmon në përmirësimin e shëndetit fizik, pasi gjendja shpirtërore ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe tek trupi. Njeriu mund të sëmuret pa pasur sëmundje, nëse pushtohet nga frikëra, fiksime, stres, pesimizëm dhe ndjellja e tersit.
Optimisti jeton më gjatë, gjë e cila është e vërtetuar praktikisht. Eksperimentet kanë provuar se optimistët jetojnë më gjatë sesa pesimistët. Një klub korean, ftoi një numër të madh personash të cilët i kishin kaluar të njëqindat. Nga testet dhe pyetjet, u pa se të gjithë kishin qenë optimistë në jetë.
Sa dhimbje ndjen një pesimist kur sheh se dikush jeton deri 120 vjeç. Atij i shkon mendja tek vetja e tij e thotë:”E ç’më duhet të jetoj 120 vjet?! A s’më mjaftojnë këto vite të zeza që kam jetuar?!”
Një individ i tillë, i ka vënë vetes vulën e vdekjes së ngadaltë, ai ka veshur syze të errëta dhe nuk sheh veçse shëmtira. Pesimistit thjesht i duhet të buzëqeshë, që ti buzëqeshë bota përreth.
Optimizmi lufton sëmundjet organike, gjë e cila është vërtetuar shkencërisht. Ata që bëjnë një jetë optimiste, janë më të aftë se të tjerët për kapërcimin e sëmundjeve, madje edhe sëmundjeve të rrezikshme. Ata kanë një rezistencë dhe aftësi të çuditshme, për kapërcimin e sëmundjeve dhe për t’iu përgjigjur efektit të trajtimit.
Optimisti e kontrollon veten dhe merr pjesë në ndërtimin e të ardhmes me efikasitet. Ai beson tek shkaqet dhe tek zgjidhjet, ashtu siç beson tek problemet dhe vështirësitë.
Optimisti nuk është i verbër, as iluzionar, nuk jeton në ëndërr. Ai është aktual, e percepton jetën me gjithë problemet e saj. Ai vendos zgjidhjet e duhura për pengesat. Ai ka vendosmërinë e duhur në zgjidhjen e problemeve. Vendosmëria e lartë e transformon problemin dhe krizën, në shans tërheqës.
Optimisti është i suksesshëm në punë, sepse përballet me të me sportivitet, durim, vijimësi dhe e konsideron veten në një provim, ku ai vetë është burimi i suksesit. Ai ka sukses në biznes, sepse përballet me projektet dhe orvatjet me kënaqësi, besim dhe qetësi, pasi i ka llogaritur të gjithë hapat siç duhet.
Optimisti ka sukses në jetën bashkëshortore, sepse ka gatishmëri të lartë për tu integruar me palën tjetër, ta mirëkuptojë dhe të komunikojë me efikasitet. Ai ka gatishmëri të kërkojë ndjesë nëse gabon dhe të falë nëse gabon pala tjetër.
Optimisti është i suksesshëm në jetë, sepse e konsideron jetën me gjithë vështirësitë e saj, një rast dhe shans për sukses, për vetërealizim dhe më shumë lumturi.
Optimisti nuk e ndërpret asnjëherë punën. Zoti i drejtohet vulës së Profetëve me fjalët:”Adhuroje Zotin tënd, derisa të vijë vdekja.” (Hixhr, 99)
Kështu, optimisti nuk heq dorë nga puna fizike dhe aktiviteti, i cili mund të jetë me gjuhë, me shpirt ose mendje.
Optimizmi është një komples përballjesh me aktualitetin e vështirë, pasi jeta është e tillë. Ai që krijoi vështirësitë, është po Ai që e ndihmon robin e Tij, është po Ai që e ka pajisur me energji dhe kapacitete për tu bërë ballë.
Njeriu mund të jetë i durueshëm dhe i paepur në natyrë, ai mund të ketë aftësi ti përdorë energjitë shpirtërore, edhe pse nuk ka lidhje me Zotin. Ebu Xhehli ishte një njeri i tillë. Edhe pse ishte shembur përtokë nga plagët vdekjeprurëse në betejën e Bedrit, ai gjeti forcë të pyesë:”Kush fitoi?”
Ne shohim personalitete të ndryshme jobesimtarë, të cilët kanë rrëshqitur dhe kanë rënë në grackë, janë torturuar, janë keqtrajtuar, janë burgosur dhe syrgjynosur. E megjithatë, ata kanë ndjerë nevojën e durimit, duke shpërthyer portat e energjive shpirtërore, të cilat i kanë përdorur për këtë qëllim. Nëse kjo ndodh me jobesimtarë, ç’mund të themi për besimtarët të cilët kanë si burim fuqie vetë Zotin e lartësuar? Ç’mund të themi për ata që kanë pishtar ndriçues udhëzimin hyjnor, lexojnë librin e Zotit dhe ndjekin gjurmët e Profetit a.s, i cili ishte modeli më i mirë në durim dhe mbështetje tek Zoti?!
“Nëse Ti o Zot nuk je i zemëruar me mua, nuk dua t’ia di për gjë tjetër. Mëshira Jote është më e madhja. Kërkoj ndihmën e nurit të fytyrës Tënde të fisme, e cila ka ndriçuar errësirat dhe ka përmirësuar jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër. Më ruaj që mbi mua mos bjerë zemërimi Yt! Ty të takon miratimi, derisa të kënaqesh! Nuk ka zot që largon të ligën dhe sjell të mirën, përveç Teje!”
 
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit