Përse të mos jemi optimistë? A mos ka thënë ndokush se optimizmi është i ndaluar? Apo, mos ndokush guxon të thotë se sot nuk ka vend për optimizëm…
Që kur pikëllimi, ankthi e verdhësia e fytyrës janë bërë shenjë e pandashme e muslimanit… Kush ka thënë, a kush do të pretendonte se fytyra e ngrysur është shenjë e imanit…
A ka kush brengoset më shumë për pasuesit e tij sesa vetë i Dërguari i Allahut? E si pra
ai buzëqeshte, madje dhe qeshte, gëzohej, bënte shaka e luante me shokët e tij, kurse
gjendja e tyre materiale nuk krahasohej me persianët dhe romakët, perandoritë e të cilëve konsideroheshin dy superfuqitë e asaj kohe. Bile-bile kjo gjendje e shoqëronte
të Dërguarin e Allahut gjatë gjithë jetës së tij, me gjithë ato luftëra dhe torturime që i
përjetonin muslimanët. Nëse kjo nënkupton diçka, do të nënkuptonte se ç’ndikim të madh ka optimizmi në jetën e besimtarit. Por, jo optimizmi i barkmëdhenjve, të cilët hanë, pinë, qeshin e luajnë gjatë gjithë kohës, pa bërë asnjë punë të dobishme. I tilli nuk është gjë tjetër vetëm se i mashtruar dhe teveqel! Jo optimizmi i atyre të cilët mëkatojnë ditë e natë, saqë të mbushet mendja se janë krijuar vetëm për lojë e shfryrje epshesh, madje pas gjithë kësaj thonë: “Allahu është falës i madh!” As optimizmi i atyre të cilët e kalojnë kohën nën hije pemësh dhe pastaj thonë: “Vërtet ndihma e Allahut është afër!”
Optimizëm i kërkuar është ai kur muslimani punon pa ndërprerë e nuk pushon; atëherë kur bën projekte dhe i realizon; kur mëson, e atë që e ka mësuar e praktikon. Vetëm pas gjithë këtij mundi ai ka me se gëzohet dhe ka çfarë shpreson. Muslimani i tillë qesh dhe gëzohet, por asnjëherë nuk e zbraz kokën nga preokupimet dhe detyrimet! Bën shaka dhe luan, por asnjëherë nuk i harron obligimet me të cilat është i ngarkuar! Atij goja i buzëqesh, fytyrën e ka plot shend e verë, edhe pse në zemrën e tij rënkojnë më se një mijë plagë! Ai është i qetë e i heshtur, ndonëse në zemrën e tij flasin më se një mijë plagë! Optimistin e tillë kur e sheh në adhurime dhe punë të hajrit, të duket se nuk ka angazhim tjetër pos tyre. Kur e sheh sa lodhet dhe sa mundohet, të duket se të gjitha punët e umetit i ka mbi kokë. Madje, edhe pas gjithë kësaj sakrifice, ai vazhdimisht e ul dhe kritikon veten. Aq shumë kërkon prej saj (vetes), sa detyrohesh ta mëshirosh dhe t’i japësh kohë për qetësi dhe rehati, duke harruar se ai nuk qetësohet ndryshe vetëm se në gjendjen që është! E përse të mos jetë optimist, kur e vërteta që ai bart është shtytësi kryesor i optimizmit, pas së cilës çdo gjë është asgjë. Amaneti që mban mbi supe e bën më të fortë se toka dhe kodrat, të cilat nuk pranuan ta mbajnë atë. Shpërblimin që do ta arrijë, jo vetëm xhini që nuk ia di fundin, por asnjë njeri.
Po qe se dikush do të lidhte ndonjë kontratë pune me ndonjë agjenci botërore për ndonjë rrogë marramendëse, me siguri se do të ndihej i privilegjuar dhe do të përjetonte gëzim të paharruar. Nëse e tillë është gjendja e këtij personi për diçka të ulët nga mbeturinat e kësaj bote, cila do të ishte gjendja e atij që ka bërë kontratë me Krijuesin e çdo gjëje, paga e së cilës është Xheneti, gjerësia e të cilit është më e madhe se qiejt dhe toka, ku do të jetë përgjithmonë?!
Si të mos gëzohet ai që bën tregti me Krijuesin? Si të mos i qeshë fytyra atij që për çdo ditë nuhat aromë të luleve e trëndafilave? E si të mos jetë i lumtur ai, të cilit lumturia i troket në zemrën e tij çdo minutë e çast. Optimist, sepse asnjëherë nuk ndihet i vetmuar, ngaqë është në shërbim të së vërtetës, e ai i cili i shërben asaj është nën mbrojtjen e Allahut. E, ai që është me Allahun, nuk ka nevojë për dikë tjetër. Ai çdoherë ka parasysh se Allahu nuk do ta humbë e nuk do ta përulë. Andaj, pas çdo vështirësie, e pret lehtësimin.
Pas çdo pengese, e sheh zgjidhjen. Pas çdo terri, e sheh dritën. Ai nuk e humb shpresën sepse shpreson në Allahun, dhe kjo i mjafton. Për të burgu është më i gjerë se bota, izolimi është veçim me Allahun, prangosja është liri dhe çlodhje, ndërsa injorimi nga njerëzit është ngritje dhe privilegj. Atij edhe gremina i duket fushë e gjelbëruar dhe në fund të saj e sheh rrugën duke ndriçuar. Ai është optimist, edhe nëse dallgët e kanë dërguar në buzë të greminës, sepse bash aty e sheh optimizmin e premtuar!
“Si të mos gëzohet ai që bën tregti me Krijuesin? Si të mos i qeshë fytyra atij që për çdo ditë nuhat aromë të luleve e trëndafilave? E si të mos jetë i lumtur ai, të cilit lumturia i troket në zemrën e tij çdo minutë e çast.”/Xheladin Leka