Në hulumtim thuhet se me paratë e ndara për lëndët djegëse fosile, të gjithë mund të vaksinohen kundër COVID-19 ose të eliminohet varfëria ekstreme në botë
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) raportoi se katërfishi i fondeve (423 miliardë dollarë) të nevojshme për të ndihmuar vendet e varfra për të trajtuar krizën klimatike përdoren për të subvencionuar lëndët djegëse fosile çdo vit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e OKB-së për Zhvillim (UNDP) nisi fushatën “Mos Zgjidh Zhdukjen” për të tërhequr vëmendjen ndaj efekteve të lëndëve djegëse fosile si nafta dhe qymyri mbi njerëzit dhe mjedisin.
Në videon e shkurtër të përgatitur në kuadër të fushatës, një dinozaur i zhdukur mban një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke bërë thirrje për të qëndruar larg lëndëve djegëse fosile dhe “të mos zgjedhim zhdukjen”.
Sipas një studimi të UNDP-së, për çdo 1 dollar që u nevojiten vendeve të varfra për të përballuar krizën klimatike, 4 dollarë shpenzohen për financimin e lëndëve djegëse fosile.
423 miliardë dollarë, katërfishi i fondeve të nevojshme për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballen me krizën klimatike, përdoren për të subvencionuar lëndët djegëse fosile çdo vit.
OKB-ja u bën thirrje vendeve në zhvillim të ofrojnë 100 miliardë dollarë financim çdo vit për të luftuar krizën klimatike.
Në hulumtim thuhet se me paratë e ndara për lëndët djegëse fosile, të gjithë mund të vaksinohen kundër COVID-19 ose të eliminohet varfëria ekstreme në botë.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), kur merret parasysh kostoja e lëndëve djegëse fosile për mjedisin, shifra rritet në 6 trilionë dollarë.
Këto fonde të akorduara për lëndët djegëse fosile jo vetëm që pengojnë luftën kundër krizës klimatike, por edhe thellojnë pabarazinë sociale.
Në vendet në zhvillim, rreth gjysma e burimeve publike të shpenzuara për lëndët djegëse fosile përfitojnë 20 përqindëshi më i pasur i popullsisë.
Sipas Marrëveshjes së Parisit për Klimën e arritur në vitin 2015, rritja e temperaturës globale duhet të mbahet nën 2 gradë Celsius apo edhe 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit për të luftuar ndryshimet klimatike.
Sipas raportit të fundit të Programit Mjedisor të OKB-së (UNEP), angazhimet aktuale për të arritur objektivin e karbonit zero deri në vitin 2050 nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar katastrofën klimatike.
Me angazhimet aktuale të vendeve palë në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, bota po shkon drejt një rritjeje të temperaturës prej 2.7 gradë Celsius.
Sipas ekspertëve, emetimet e gazeve serrë duhet të reduktohen me 55 për qind deri në vitin 2030 në mënyrë që të kufizohet rritja e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius.