Hussein nënvizoi se qeveria e Mianmarit nuk ka dhënë leje që Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së të zhvillojë hetim në Arakan për shkeljen e të drejtave të njeriut
STAMBOLL (AA) – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka deklaruar se situata e dhunës ndaj muslimanëve në Arakan është “shembull i spastrimit etnik si në tekstet shkollore”, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, duke iu drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë, i bëri thirrje qeverisë së Mianmarit t’i japë fund “operacionit brutal të sigurisë” në zonat muslimane të vendit.
“Nga informacionet që kemi, shumë persona kanë mbetur të bllokuar mes Mianmarit dhe Bangladeshit”, tha Hussein, duke i cilësuar operacionet e qeverisë së Mianmarit ndaj muslimanëve të Arakanit si “haptazi joproporcionale”.
Ai po ashtu ka potencuar se bazuar në disa raporte dhe pamje satelitore që OKB ka siguruar përmes burimeve në rajon, forcat e sigurisë së Mianmarit dhe milicët lokalë kanë djegur fshatrat muslimane dhe kanë ekzekutuar njerëzit në mënyrë jashtëgjyqësore, ndërsa është konfirmuar edhe vrasja e banorëve në tentativë për të ikur.
Hussein nënvizoi se qeveria e Mianmarit nuk ka dhënë leje që Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së të zhvillojë hetim në Arakan për shkeljen e të drejtave të njeriut.
“Gjendja në Arakan është shembull i spastrimit etnik si në tekstet shkollore”, ka thënë ai.
Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.
Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 150 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.