-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

OKB: Mbi 576 mijë njerëz në Gaza përballen me uri katastrofike

Më të lexuarat

Raporti tha se 26 për qind e popullsisë së Gazës, rreth 576.600 njerëz “kanë shterur furnizimet e tyre ushqimore dhe kapacitetet e përballimit dhe po përballen me urinë katastrofike”

Më shumë se 576 mijë njerëz në enklavën e rrethuar palestineze të Gazës po përballen me uri katastrofike, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara (OKB) të publikuar të enjten, raporton Anadolu.

“E gjithë popullsia e Gazës, rreth 2.2 milionë njerëz, është në krizë ose nivele më të larta të pasigurisë akute ushqimore”, thuhet në raportin e Klasifikimit të Integruar të Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC), i cili përfshin të dhëna nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP), agjencive të tjera të OKB-së dhe organizatave joqeveritare.

Raporti tha se 26 për qind e popullsisë së Gazës, rreth 576.600 njerëz “kanë shterur furnizimet e tyre ushqimore dhe kapacitetet e përballimit dhe po përballen me urinë katastrofike”.

“WFP ka paralajmëruar për javë të tëra për këtë fatkeqësi të afërt. Tragjikisht, pa qasjen e sigurt dhe të qëndrueshme që ne kemi kërkuar, situata është dëshpëruese dhe askush në Gaza nuk është i sigurt nga uria”, tha Cindy McCain, drejtoresha ekzekutive e WFP.

Nëse situata aktuale e “konfliktit intensiv dhe qasjes së kufizuar të ndihmave humanitare vazhdon”, IPC parashikoi se ekziston “rreziku i urisë në gjashtë muajt e ardhshëm”.

Ekspertët e sigurisë ushqimore të WFP kanë zbuluar tashmë se banorët e Gazës “kanë shterur të gjitha burimet e tyre, mjetet e jetesës janë shembur, furrat e bukës janë shkatërruar, dyqanet janë të zbrazëta dhe familjet nuk janë në gjendje të gjejnë ushqim”, thuhet në raport.

Njerëzit i thanë stafit të WFP-së se ata shpesh kalojnë ditë pa ushqim dhe se shumë të rritur mbesin të uritur në mënyrë që fëmijët të mund të hanë, shtoi ai.

“Këto nuk janë vetëm numra, pas këtyre statistikave alarmante janë fëmijë, gra dhe burra individualë”, tha kryeekonomisti i WFP-së, Arif Husain. “Kompleksiteti, përmasat dhe shpejtësia me të cilën është zhvilluar kjo krizë është e paprecedentë”, shtoi ai.

Duke përsëritur thirrjen për armëpushim humanitar, McCain shtoi: “Nuk mund të qëndrojmë anash dhe të shikojmë njerëzit duke vdekur nga uria. Tani nevojitet qasje humanitare që furnizimet të rrjedhin në Gaza dhe që civilët të mund të marrin në mënyrë të sigurt ndihma për shpëtimin e jetës”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit