Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi gjatë një konference për shtyp se vendkalimi kufitar Beit Hanun është i hapur për punonjësit ndërkombëtarë të ndihmës humanitare, por mbetet i mbyllur për palestinezët që nga data 11 maj.
Zyrtari i Kombeve të Bashkuara tërhoqi vëmendjen se në mesin e këtyre palestinezëve ka punonjës të ndihmave humanitare dhe njerëz që kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë Rripit të Gazës.
Pasi bëri thirrje që të hapen plotësisht të gjitha pikat kufitare në Gazë, Dujarric vuri në pah se ato duhet të jenë të hapura si për ndihmat humanitare ashtu edhe për palestinezët në nevojë për trajtim spitalor.
“Ne përsërisim nevojën për të hapur dhe mbajtur hapur të gjitha vendkalimet kufitare për në Gazë. Kjo është thelbësore për hyrjen e furnizimeve humanitare, përfshi këtu karburantin për shërbimet themelore dhe furnizimet për të frenuar përhapjen e llojit të ri të koronavirusit (COVID-19). Hapja e vendkalimeve do të sigurojë gjithashtu daljen e pacientëve në nevojë për trajtim shpëtues dhe kalimin e personelit humanitar palestinez, të cilët janë me rëndësi kritike për t’iu përgjigjur situatës”, tha zëdhënësi i kreut të OKB-së mes të tjerash.