Një grup ekspertësh të OKB-së dhe kryeministrja britanike kritikuan vendimin e presidentit amerikan Donald Trump me të cilin ndalon hyrjen në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende me shumicë muslimane
Një grup ekspertësh të OKB-së dhe kryeministrja britanike Theresa May kritikuan vendimin e presidentit amerikan Donald Trump me të cilin ndalon hyrjen në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende me shumicë muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).
Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara thanë të mërkurën se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump, me urdhërin e tij të fundit për emigrantët dhe refugjatët ka shkelur detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me theks të veçantë parimet e mosdëbimit me forcë të refugjatëve si dhe të mosdiskriminimit në bazë të racës, kombësisë apo religjionit.
Urdhëri ekzekutiv i Trumpit nga java e kaluar ndalon hyrjen në SHBA në 90 ditët e ardhshme të shtetasve nga shtatë shtete me shumicë muslimane, Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit.
Urdhëri në fjalë ndërprenë plotësisht për një periudhë 120 ditëshe programin e SHBA-ve për refugjatë, si dhe pengon hyrjen në shtet të mbi 50.000 sirianëve që është planifikuar të bëhet gjatë vitit fiskal 2017 i cili fillo në shtator të vitit të kaluar dhe duhet të përfundojë në tetor të këtij viti.
“Një urdhër i tillë në mënyrë të qartë është diskriminues në bazë të kombësisë së dikujt dhe çon në rritjen e stigmatizimit të komuniteteve myslimane”, thuhet në kumtesën e raportuesve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), atij për refugjatë François Crepeau, raportuesit për emigrantë, Mutuma Ruteere, për racizëm Ben Emmerson, për të drejtat e njeriut dhe kundër terrorizmit, Nils Melzer, dhe Ahmed Shaheedon për lirinë e religjionit.
“Në vazhdën e krizës më të madhe të refugjatëve në historinë e njerëzimit që prej Luftës së Dytë Botërore, ky paraqet një hap të madh prapa për ata të cilët në fakt kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
“SHBA-të janë të përfshira në konfliktet në Irak dhe Siri, dhe përgjegjësia e tyre duhet të shtrihet në ofrim të strehimit për ata që largohen nga konfliktet”, përfundon deklarata.
Theresa May: Ndalesa e Trumpit, “përçarëse dhe e gabuar”
Kryeministrja britanike Theresa May të mërkurën tha se ndalesa për refugjatët nga Donald Trump është “përçarëse dhe e gabuar”, katër ditë pasi insistonte në atë se kjo është çështje për administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Ndalesa e Trumpit për hyrje në SHBA të qytetarëve të shtatë vendeve me shumicë muslimane për 90 ditë dhe refugjatët për 120 ditë, shkaktoi protesta në Britani të Madhe, por edhe thirrje që të pamundësohet vizita e presidentit të ri amerikan në Londër, e cila planifikohet për në fund të këtij muaji.
Gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare në Turqi, May në pyetjen për ndalimin e Trumpit tha se “SHBA-të janë përgjegjëse për politikën e SHBA-ve për refugjatët”.
Por, të mërkurën kryeministrja britanike para deputetëve të Dhomës së Ulët tha se “Kjo qeveri është e qartë në vlerësimin se politika e tillë është e gabuar. Nuk do të bëjmë një gjë të tillë. Besojmë se është përçarëse dhe e gabuar”.