UNRWA tha se “shkatërrimi dhe dëshpërimi mbizotëron në Rripin e Gazës ku vazhdojnë sulmet e rënda”
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ka njoftuar se asnjë vend nuk është i sigurt në Rripin e Gazës, banorët e së cilës prej 9 muajsh ndodhen nën sulmet e Izraelit, transmeton Anadolu.
Në llogarinë e saj në platformën sociale X, UNRWA tha se “shkatërrimi dhe dëshpërimi mbizotëron në Rripin e Gazës ku vazhdojnë sulmet e rënda”.
“Familjet vazhdojnë të zhvendosen me forcë. Disa prej tyre strehohen nëpër shkolla dhe ndërtesa të dëmtuara, ndërsa disa jetojnë në tenda të improvizuara. Asnjë vend në Gaza nuk është i sigurt”, tha UNRWA.
“Njerëzit janë të rraskapitur”, thuhet më tej, duke u bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Në reagimin e UNRWA-së theksohet edhe vlerësimi nga komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, i cili ka theksuar se, “Vrasjet e pamëshirshme, të pafundme, shkatërrimet dhe dëshpërimi po vazhdojnë para syve tanë për 9 muaj. Nuk ka vend për fëmijët në Gaza”.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar janë vrarë më shumë se 38.345 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra, ndërsa janë plagosur 88.345 persona të tjerë.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.