1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Oda Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria të marrë masa për uljen e tensioneve në veri

Më të lexuarat

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një deklarate për media të enjten, ka kërkuar nga Qeveria të demonstrojë përkushtimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të vendit, e cila siç thuhet, ka pasoja të rënda në sektorin privat dhe prospektet e tërheqjes së investimeve të huaja.

Në deklaratën e tyre thuhet se zgjidhja e tensioneve dhe nxitja e një mjedisi paqësor dhe stabil janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të favorshëm afarist, që mund të tërheqë investime dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë.

“Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm”, thuhet në komunikatën për media.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimet e saj për zhvillimet e fundit dhe “mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në”.

“Oda Amerikane dëshiron të përsërisë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një mbështetëse e palëkundur e pavarësisë së Kosovës dhe kanë luajtur një rol kyç në krijimin e saj si shtet sovran. Përmes përpjekjeve diplomatike, SHBA-ja ka avokuar vazhdimisht për njohjen e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, duke promovuar integrimin e saj në institucionet globale dhe duke nxitur zhvillimin e saj ekonomik dhe politik”.

Po ashtu sipas Odës Amerikane, SHBA-ja ka qenë një partner jetik në avancimin e aspiratave të Kosovës për integrim evropian, duke avokuar për liberalizimin e vizave dhe duke mbështetur përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“SHBA është tregu numër një në botë për produktet e Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, shumë kompani amerikane kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit në sektorë si ndërtimi dhe patundshmëria, energjia, shëndetësia dhe teknologjia informative. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të ofrojë mbështetje direkte financiare për Kosovën përmes Agjencisë së saj për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”.

Në mënyrë të ngjashme, thuhet se Bashkimi Evropian luan një rol vendimtar në mbështetjen e zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës, duke ofruar ndihmë financiare, ekspertizë teknike dhe udhëzime për reforma në sektorë të ndryshëm.

“Qasja në fondet dhe programet e BE-së lehtëson zhvillimin e infrastrukturës, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Prandaj, duke marrë parasysh ndikimin që ka situata aktuale në zhvillimet socio-ekonomike në përgjithësi, dhe në sektorin privat dhe përpjekjet për tërheqjen e investimeve në veçanti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë t’i marrë parasysh thirrjet nga SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës në veri të vendit”./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit