10.7 C
Pristina
Wednesday, January 8, 2025

OBSh-ja: Sëmundjet e frymëmarrjes në Kinë, normale për dimrin

Më të lexuarat

Zyrtarët raportojnë se shfrytëzimi i spitaleve aktualisht është më i ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pa asnjë njoftim apo ndërhyrje urgjente.

Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Margaret Harris, tha se sëmundjet e frymëmarrjes të raportuara në Kinë janë në nivele normale për sezonin e dimrit.

Në konferencën javore për media në zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, Harris tha se ka pasur interes të konsiderueshëm mediatik për viruset e frymëmarrjes në Kinë, e veçanërisht ndaj metapneumovirusit njerëzor (HMPV), duke kujtuar se në raportin e Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thuhet se ka pasur një rritje të numrit të infeksioneve respiratore në vend, siç pritej gjatë muajve të dimrit.

“Sipas të dhënave të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, patogjenët që shkaktojnë këto infeksione dihen. Këto përfshijnë virusin e gripit sezonal, virusin sincicial të frymëmarrjes (RSV), HMPV dhe virusin që shkakton Covid-19”, u shpreh ajo, duke kujtuar se Kina ka një sistem mbikëqyrjeje parandaluese për sëmundjet e ngjashme me gripin dhe infeksionet e rënda akute të frymëmarrjes.

Duke treguar se gripi sezonal është patogjeni më i zakonshëm në Kinë dhe se kjo është në rritje, Harris vuri në dukje se shkalla pozitive e testeve për gripin është më shumë se 30 për qind në mesin e njerëzve që kanë shfaqur simptoma në fund të vitit të kaluar.

“Nivelet e infeksioneve të frymëmarrje të raportuara në Kinë janë në nivele normale për sezonin e dimrit. Zyrtarët raportojnë se shfrytëzimi i spitaleve aktualisht është më i ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pa asnjë njoftim apo ndërhyrje urgjente. Sistemi Global i Mbikëqyrjes dhe Reagimit ndaj Gripit të OBSh-së ka vërejtur tendenca në rritje të gripit në disa vende në Azi, Evropë, pjesë të Afrikës dhe Karaibeve, ku aktualisht është dimër”, theksoi Harris.

Më tej, Harris informon se HMPV-ja nuk është një virus i ri dhe se për herë të parë është konfirmuar në vitin 2001, duke kujtuar se është një virus që zakonisht shfaqet në dimër dhe pranverë.

Harris tha gjithashtu se OBSh-ja rekomandon që shmangia e sëmurjes gjatë dimrit dhe marrja e masave të thjeshta paraprake mund të parandalojë përhapjen e virusit.

Duke vënë në dukje se të moshuarit ose njerëzit me sistem të dobët imunitar janë grupi me rrezik më të lartë, Harris tregoi se këta njerëz duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse ndihen të sëmurë.

/trt BALLKAN/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit