Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se angazhimi amerikan për sigurinë e Izraelit do të jetë i fuqishëm.
Duke folur pas arritjes së aeroportin e Tel Avivit, Obama ka shfaqur besimin se aleanca SHBA-Izrael do të jetë e përjetshme.
“Këtë vizitë e shoh si një mundësi për të riafirmuar lidhjet tona të pathyeshme, për të shprehur angazhimin e palëkundur të Amerikës për sigurinë në Izrael dhe për të folur drejtpërdrejt me popullin e Izraelit dhe fqinjët tuaj”, ka thënë Obama, transmeton “Evropa e Lirë”.
Në anën tjetër, kryeministri izraelit, Bejamnin Netanyahu, ka falënderuar Obamën për mbështetjen.
Bisedimet e presidentit amerikan me liderët izraelitë pritet të trajtojnë kërcënimin bërthamor të Iranit, jostabilitetin në Egjipt, konfliktin në Siri dhe procesin e ngecur të paqes në Lindjen e Mesme.