By: ardhmeria
Ebu Hurejra (r.a) transmeton nga i dërguari i Allahut, se ai ka thënë: “Nëse njerëzit do ta dinin se çfarë shpërblimi ka tek thirrja dhe rreshti i parë, nëse nuk do të kishin vetëm një mundësi përveç që të hidhnin short do ta bënin atë. Nëse do ta dinin se çfarë shpërblimi ka në mbërritjen herët për në namaz do të konkuronin. E nëse do ta dinin se çfarë shpërblimi ka tek namazi i darkës dhe namazi i sabahut do të vinin qoftë edhe duke u zvarritur”.[1]
Kuptimi i disa idiomave:
Thirrja: ezani
Namazi i darkës: namazi i jacisë.
Duke u zvarritur: mënyrë e të ecurit me duar dhe me gjunjë
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Namazi është shtylla e fesë dhe konkurimi për faljen e saj është argument i besimit dhe devocionit. Allahu na ka urdhëruar, që të shpejtojmë në kryerjen e veprave të mira dhe të konkurojmë në përkushtimin ndaj Tij që të arrijmë të fitojmë xhenetin dhe kënaqësinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Shpejtoni në punë të mira që të meritoni falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe të fitoni xhenetin, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit”. Sure Ali Imran: 133
Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Konkuroni në punë të mira”. Sure El Bekare:148
Në këtë hadith profetik ka nxitje për të konkurruar, në marrjen pjesë në faljen e namazit me xhemat, nxitje për të fituar mirësinë e shkuarjes herët në xhami, fitim i shpërblimit duke i ftuar njerëzit nëpërmjet ezanit dhe konkurenca për faljen e namazit në rreshtin e parë që rradhitet pas imamit. E gjitha kjo përfshihet nën një titull: nxitimi për të falur namazin me xhemat për të fituar shpërblim të madh tek Allahu i Lartësuar.
Vlera e ezanit është e madhe. Ai është një rit prej riteve të Islamit. Muezinët në ditën e Gjykimit do të jenë ata, që do t’i kenë qafat më të gjata. Secili, që e dëgjon zërin e tyre, do të dëshmojë për ta tek Allahu i Lartësuar, ashtu siç është transmetuar në disa hadithe profetike. Për këtë arsye besimtarët e meritojnë që të konkurojnë edhe nëse do t`u duhet që të hedhin short. Nuk ka dyshim, se këta konkurues kanë ardhur herët në xhami, përpara se të thirret ezani.
Rreshti i parë është rreshti më i afërt me imamin. Ai, që qëndron në rreshtin e parë, është më i predisponueshëm për të qenë më i përkushtuar dhe për të medituar në leximin e Kur’anit. Vlerën e qëndrimit në të arrin ta kuptojë vetëm ai, që ka ardhur herët, përpara së të falet namazi.
Ardhja herët në xhami ka një të mirë të madhe, sepse ai që vjen herët i jepet mundësia që të lexojë Kur’an, të përmendë Allahun, të përsërisë fjalët e muezinit si dhe ta falë namazin me xhemat qysh në fillim. Njeriu, i cili pret namazin konsiderohet sikur është duke e falur atë. Të shkosh shpejt për të falur namazin me xhemat, ngrihesh në grada të larta dhe të shlyen mëkatet. Imam Buhariu dhe imam Muslimi transmetojnë se Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I dërguari i Allahut ka thënë: “Namazi të cilin një njeri e fal me xhemat ka 25 herë shpërblim më shumë se namazi, i cili falet në shtëpi vetëm. Nëse njeriu merr abdes në formën më të mirë pastaj del për të shkuar në xhami për të falur namazin, në çdo hap që hedh ngrihet një gradë dhe i hiqet një mëkat. Kur falet ëngjëjt bëjnë lutje për të, derisa ai të vazhdojë të jetë në faltore përveç nëse e prish abdesin. Ata luten për të, duke thënë: O Zot fale, o Zot mëshiroje. Ai vazhdon të jetë në namaz përderisa e pret atë”.
Ai, cili e fal namazin e jacisë dhe të sabahut me xhemat, ka më tepër shpërblim, sepse njerëzit janë të zënë në këto dy kohë. Sidomos namazi i sabahut ka nevojë, që njeriu të luftojë me veten e tij dhe me shejtanin, derisa të zgjohet nga gjumi dhe ka nevojë, që njeriu të ecë natën, derisa të arrijë në xhami. Ndërsa në namazin e jacisë njeriu është rënduar duke dashur që të qetësohet, pasi është lodhur në punë gjatë gjithë ditës. Nëse muslimani do ta dinte se çfarë shpërblimi i madh e pret, nëse ai i fal këto dy namaze në xhami, nuk do të përtonte sado i lodhur që të ishte edhe nëse do t’i duhet që të vijë zvarrë me këmbë e me duar, sepse ajo që do t’i ikë nga shpërblimi është më e madhe dhe nuk mund të përshkruhet, nëse nuk i fal ato me xhemat.
Vetëm besimtari është i kujdesshëm ndaj fitimit të shpërblimit. Për këtë arsye ai duron ndaj vështirësive që has, me qëllim që të mos e humbë faljen me xhemat të këtyre dy namazeve. Ndërsa hipokriti nuk i intereson shumë, nëse i humbet shpërblimi, kështu që ai rëndohet që të shkojë të falet në xhami me xhemat. Imam Buhariu dhe imam Muslimi transmetojnë se Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I dërguari i Allahut ka thënë: “Namazet më të rënda për hipokritët janë namazi i jacisë dhe i sabahut. Në qoftë se do ta dinin shpërblimin që i pret do të kishin ardhur edhe duke u zvarritur. Kam vendosur që të urdhëroj të thirret kiameti, të falet namazi dhe të urdhëroj ndonjë që të falet imam i njerëzve. Pastaj do të mblidhja disa burra, do të urdhëroja që të merrnin dru dhe t`i digjnin shtëpitë e atyre që nuk marrin pjesë në faljen e namazit”. Imam Muslimi transmeton nga Ibnu Mes’udi (r.a), i cili përshkruan kujdesin që kanë patur sahabët për faljen e namazit me xhemat: “Kam parë që askush prej tyre nuk mungonte, përveçse një hipokriti që njihej. Mund të shikoje që ndonjëri prej tyre (sahabëve) merrej dhe vendosej në rresht ndrkohë që atij akoma i lëkundeshin këmbët”.
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Vlera e ezanit dhe pëlqimi i konkurimit në thirrjen e tij.
2- Vlera e rrjeshtit të parë dhe konkurimi për tu falur në rreshtin e parë.
3- Dallimi i namazeve të sabahut dhe jacisë me shpërblim më të madh se namazet e tjera. Domosdoshmëria e përpjekjes për t`i falur këto dy namaze në xhami.
4- Lejimi i hedhjes së shortit.
[1] Transmeton imam Buhariu: 590 dhe imam Muslimi: 437
…