Zyrtarët afganë thonë se numri i konfirmuar i ekstremistëve të vrarë nga bomba masive amerikane të enjten është thuajse trefishuar.
Zyrtarët thonë se të paktën 92 ekstremistë mbetën të vrarë nga shpërthimi, krahasuar me 36 që ishte numri i njoftuar të premten. Zona e goditur ende nuk është pastruar plotësisht, prandaj pritet që numri i të vrarëve do të rritet.
Deri tani nuk ka shenja që mes të vrarëve ka civilë apo personel ushtarak. Presidenti Ashraf Ghani tha se forcat afgane dhe ato amerikane e koordinuan me kujdes goditjen. Por pararendësi i tij, ish-presidenti Hamid Karzai e dënoi sulmin, duke thënë se do të angazhohet për t’i dëbuar forcat amerikane nga Afganistani në mënyrë që të mos ketë më sulme të tilla.
Ai e quajti goditjen me bombë një akt barbar që kishte më tepër për qëllim të vinte në prove një armë të shkatërrimit në masë, se sa të sulmonte Shtetin Islamik.
Forcat amerikane hodhën të enjten bombën GBU-43, një mjet masiv shpërthyes që peshon 10 tonë dhe përfaqëson bombën më të fuqishme jo-bërthamore të përdorur ndonjëherë./VoA