4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nuk pranohet vendimi i Gjykatës në favor të Ipeshvisë nga Komuna e Prishtinës

Më të lexuarat

Lokalet afër Katedrales, të cilat janë rrënuar tash e sa vite për t’u ndërtuar të rejat sipas planit urbanistik të Komunës së Prishtinës, kanë mbetur në gjysmë.

Sipas planit të paraparë ato është dashur të përfundojnë në fillim të vitit 2014, mirëpo deri më tash punimet janë zhvilluar vetëm në anën e kundërt të Katedrales, transmeton kp.

E gjithë kjo për shkak se Katedralja deri më tani ka qenë në kontekst gjyqësor me Komunën e Prishtinës, pasi që ajo pretendon se në këtë tokë ku janë të parapara të ndërtohen këto lokale është toka e saj.

Megjithatë, gjykata për këtë ka vendosur që ajo pronë i takon Katedrales, gjë që për zyrtarët komunalë është e papranueshme.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ky është gjyqi i tretë që po zhvillohet, ku dy herët e para sipas tij këtë gjyq e ka fituar komuna, ndërsa tani në herën e tretë ka fituar Ipeshvia e Kosovës. Ai theksoi se ky proces nuk përfundon me kaq pasi që ata do ta dërgojnë përsëri në Gjykatën e Apelit.

“Fiton një herë Komuna e Prishtinës, Katedralja ankohet dhe kthehet në Gjykatën Themelore, pastaj e merr EULEX-i në dorë pasi mendojnë që mund të ketë një ndikim pasi është Kisha Katolike, një gjykatës polak prapë vendos në favor të Komunës dhe prapë tash me Gjykatën e Apelit kthehet në Gjykatën Themelore dhe tash në herën e tretë fiton Katedralja dhe tash ne e dërgojmë në Gjykatë të Apelit. Kisha dhe Ipeshkvia kanë shprehur dëshirë që të merren vesh me komunën por unë iu kam thënë që atëherë se ne kemi problem sepse janë 80 familje të dyqaneve që kërkojnë zgjidhje dhe ne iu kemi premtuar dhe tash kemi mbetur të diskutojmë”, tha Ahmeti.

Një numër i këtyre dyqaneve kanë qenë të pronarëve privat, ndërsa një numër tjetër janë lokale që do u jepen për kompensim pronarëve që u janë marr pronat në vende të tjera, transmeton kp.

Megjithatë, sipas Ahmetit me këta të tjerët nuk është që ka ndonjë obligim ligjor në aspektin kontraktual që komuna tash u ka borxh, por sipas tij, është një obligim moral sepse i kanë pasur nën shfrytëzim 30 vjet dhe i është premtuar që do iu ruhen interesat e tyre.

I pari i Prishtinës thotë që procesi gjyqësor ka pasur presione të jashtëzakonshme, prandaj ai mendon se zgjidhja duhet të bëhet nga një kompromis mes këtyre palëve.

“Mendoj se edhe procesi gjyqësor ka pasur presione të jashtëzakonshme. Ka pasur shumë kërkesa të ambasadave të huaja tek unë, kanë ardhur ambasadorë të ndryshëm tek unë të bisedojmë për katedralen, si t’ia bëjmë. Unë jam që të ulemi dhe ta gjejmë një zgjidhje. Nuk mendoj që kjo është zgjidhja, as për katedralen, as për komunën e as për pronarët, duhet ta gjejmë një kompromis i cili mundëson që katedralja të mos jetë bile pamja e mbuluar, sepse unë kam kundërshtuar vetë atë , sepse janë të ndërtuara dyqanet në pamje të katedrales, nëse veç ju ka dhënë leja të ndërtohen duhet të kenë pak distancë. Megjithatë mendoj që edhe pronarët kanë të drejtë dhe ata që janë më qira dhe edhe ne si komunë kemi të drejtë sepse toka është e jonë”, ka shtuar Ahmeti.

Për këtë Ahmeti ka thënë se ka ofruar një mundësi që të krijohet një bord me anë të së cilës nuk mund të hapet asnjë dyqan i dyshimtë, p.sh. bastoret, pa lejen e Katedrales.

Në anën tjetër, të dëmtuara nuk janë vetëm pronarët e këtyre lokaleve, pasi që, dëmtim ka pësuar edhe Ndërmarrja Publike Banesore i cili është investitori kryesor i lokaleve afër katedrales.

Sipas udhëheqësit ekzekutiv të NPB-së, Nexhat Kryeziu, atyre u është shkaktuar dëm për shkak se i është dashur ta paguajnë kontraktorin më shumë për shkak të kohëzgjatjes, por edhe disa dëme të tjera.

Deri në gjetjen e një zgjidhjeje apo kompromisi përmes bisedimit mes Katedrales dhe Komunës së Prishtinë, afër 80 familje të cilat varen nga bizneset e tyre private do të mbesin ende në pritje siç kanë bërë tash e sa vjet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit