1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nuk mund të jetojmë me ta, nuk mund të jetojmë pa ta

Më të lexuarat

Epoka e bollëkut të karburanteve fosile ka mbaruar. Pakësimi i investimeve në naftë, gaz dhe qymyr, do të thotë se çmimet e larta do të vazhdojnë, shkruan The Economist

 

Për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, fjala operative në sektorin e energjisë ka qenë “bollëku”. Një industri që kishte kërkuar prej kohësh të kufizonte prodhimin e lëndëve djegëse fosile për të mbajtur çmimet e larta, papritmas u përball me furnizim të tepërt, pasi bumi i argjilës në Amerikë uli çmimin e naftës në të gjithë botën dhe burimet e energjisë së pastër, si era dhe dielli, konkurruan me lëndë të tjera djegëse të përdorura për prodhimin e energjisë, si qymyri dhe gazi natyror.

Megjithatë, javët e fundit, ajo që ka tërhequr vëmendjen e botës është mungesa e energjisë, jo bollëku i saj. Në sipërfaqe, manifestimet e saj duket se nuk kanë lidhje. Britania po vuan nga mungesa e shoferëve të kamionëve që ka shkaktuar mungesë benzine në pikat e karburantit. Ndërprerjet e energjisë në disa pjesë të Kinës, janë pjesërisht shkak i përpjekjeve të vendit për të frenuar emetimet. Pakësimi i rezervave të qymyrit në stacionet e energjisë në Indi lidhet me rritjen e çmimit të importeve të mallrave.

Megjithatë, një faktor themelor pritet të përkeqësojë edhe më tepër mungesën në vitet e ardhshme: rënia e investimeve në puset e naftës, zonat e gazit natyror dhe minierat e qymyrit. Kjo është pjesërisht një mbetje nga periudha e bollëkut të investimeve, duke shkaktuar më shumë disiplinë kapitale. Është gjithashtu rezultat i presioneve në rritje për të dekarbonizuar.

Këtë vit, mungesa e investimeve është një nga arsyet kryesore pse janë rritur çmimet e të tre produkteve të energjisë. Nafta u rrit në 81 dollarë për fuçi, pasi Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), dhe aleatët si Rusia, që janë pjesë e aleancës OPEC+, nuk iu përgjigjën thirrjeve për të rritur prodhimin, në një takim më 4 tetor.

Pasojat inflacioniste nuk do të jenë aspak të mira për një botë që ende e merr pjesën më të madhe të energjisë nga lëndët djegëse fosile. Por të paktën mund të përshpejtohet kalimi në burime më të gjelbra dhe më të lira të energjisë.

Fillojmë me naftën, një industri që ka nevojë për riinvestime të vazhdueshme vetëm për të qëndruar në vend. Një rregull i përgjithshëm është që kompanitë e naftës, çdo vit, duhet të grumbullojnë rreth katër të pestat e shpenzimeve të tyre kapitale, vetëm për të ndaluar shterimin e rezervave.

Megjithatë, shpenzimet kapitale të industrisë kanë rënë nga 750 miliardë dollarë në vitin 2014 (kur çmimet e naftës tejkaluan 100 dollarë për fuçi), në rreth 350 miliardë dollarë këtë vit, llogarit Saad Rahim, nga kompania Trafigura. Një ngërç furnizimi u shmang përkohësisht vitin e kaluar, sepse pandemia Covid-19 mbuloi kërkesën për naftë. Por sapo ekonomia botërore nisi të rimëkëmbet, ishte vetëm çështje kohe para se të shfaqeshin ngërçet.

Industria zakonisht i përgjigjet kërkesës së fortë dhe çmimeve më të larta, duke investuar për të nxjerrë më shumë naftë. Por kjo është më e vështirë në një epokë dekarbonizimi. Së pari, kompanitë e mëdha të naftës së sektorit privat, si ExxonMobil dhe Royal Dutch Shell, po nxiten nga investitorët që t’i shohin me skepticizëm investimet në naftë dhe gaz.

Kjo për shkak se aksionerët e tyre mendojnë se kërkesa për naftë përfundimisht do të arrijë kulmin, duke i bërë projektet afatgjata joekonomike, ose sepse ata preferojnë të mbajnë aksione në kompani që mbështesin tranzicionin në energji të pastër. Edhe pse çmimet po rriten, investimet në naftë duket se nuk do të rriten. The Economist shqyrtoi parashikimet e shpenzimeve kapitale për 250 prodhuesit më të mëdhenj të mallrave në botë në vitin 2022, në krahasim me vitin 2019. Ndërsa firmat e minierave dhe ato bujqësore parashikojnë rritje të mëdha në CAPEX, investimet në energji pritet të bien me 9%.

Një faktor tjetër që pengon investimet në naftë është sjellja e vendeve anëtare të OPEC+. Gjysmë dekada e çmimeve relativisht të ulëta gjatë “epokës së bollëkut”, që arriti pikën më të ulët me një kolaps çmimesh në fillim të pandemisë, shkatërroi arkën shtetërore.

Kjo shkurtoi fondet për investime. Ndërsa çmimet rimëkëmben, përparësia e qeverive nuk është të zgjerojnë kapacitetin e prodhimit të naftës, por të rrisin buxhetet kombëtare. Për më tepër, prodhuesit shtetërorë janë të kujdesshëm dhe të shqetësuar se një shpërthim i ri i rasteve Covid-19 mund të godasë përsëri kërkesën. Dhe, siç thotë Oswald Clint nga Bernstein, një kompani investimesh, shumë veta po pyesin “Pse të mos vazhdojmë me këtë çmim të lartë për njëfarë kohe?” Në çdo rast, edhe nëse kjo do të nxiste investime, do të duheshin disa vjet për të rritur në mënyrë domethënëse prodhimin.

Investimi më i ulët në naftë ka efekt edhe në prodhimin e gazit natyror, i cili shpesh është një nënprodukt i shpimit për nxjerrjen e naftës së papërpunuar. Ka gjithashtu një mungesë të terminaleve të Gazit të Lëngshëm Natyror (GLN) për transportimin e gazit nga vendet ku gjendet me bollëk (Amerikë) në ato ku është më i pakët (Azi dhe Europë). Duke pasur parasysh kohën e gjatë që duhet për të ndërtuar struktura të tilla, mungesa e kapacitetit pritet të zgjasë të paktën deri në vitin 2025.

Investimi në qymyrin termik është më i dobëti nga të gjithë. Edhe në Kinë dhe Indi, të cilat kanë tubacione të mëdha të termocentraleve të reja me qymyr, ka një qëndrim më negativ ndaj karburantit më të ndotur fosil.
E gjithë kjo i vendos në një gjendje të vështirë prodhuesit e lëndëve djegëse fosile.

Rënia e investimeve mund të bëjë të mundur që disa investitorë të caktuar të naftës, gazit dhe qymyrit, të kenë përfitime të mëdha. Por sa më gjatë që çmimet qëndrojnë të larta, aq më shumë gjasa ka që kalimi në energjinë e pastër të varrosë, njëherë e mirë, industrinë e karburanteve fosile. Ndërkohë, konsumatorët duhet të përgatiten për më shumë mungesa. Sepse epoka e bollëkut ka marrë fund.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit