Nuk më vjen keq nga vdekja, sepse vdekja është qëllimi i secilit të gjallë. Mirëpo para vetes e shoh një botë të panjohur, nuk e di hisen time në te, kurse pas vetes lë fëmijë të vegjël dhe nuk e di si do jetojnë ata pas meje. Sikur të mos ishte kjo që më pret para edhe ajo që lë mbrapa hiq sdo e kisha gajle a bie unë mbi vdekjen apo vdekja bie mbi mua!
Le të ndodh ajo gjë të cilën e dëshiron Allahu!
Sa i përket asaj që më pret përpara, Allahu e di se çdo herë që kam dashur të bëj një mëkat në jetën time çdo herë në fillim kam patur hezitim dhe pastaj, pasi e kam bërë mëkatin, kam patur pendim.
Asnjëherë nuk kam dyshuar në ajetet e Allahut, librat e Tij, as melaqet e pejgamberët e Tij, e as në vendimet dhe caktimet e Tija.
Nuk i jam nënshtruar asnjë pushteti veç Pushtetit të Allahut e as ndonjë madhërie pos madhërisë së Tij dhe për këtë mendoj se nuk do kem llogari të rëndë për mangësitë që kam patur karshi Allahut.
Sa i përket atyre që i lë pas vete, nëse Allahu kujdeset për bagëtinë në kullosat e tyre, macjet në vrimat e tyre, zogjt në strofullat e tyre e zogthat në vezët e tyre, atëherë do kujdeset edhe për ata fëmijë të ngratë dhe do e shtrin hijen e Mëshirës dhe Bamirësisë së Tij mbi ta.
Lamtumirë koha e rinisë, duke të dhënë ty lamtumirën po i jap lamtumirën edhe jetës, sepse jeta nuk është gjë tjetër përveç se atyre rrahjeve të zemrës në fillimin e ymrit, e kur të ndalen ato, atëherë është ndalur çdo gjë dhe ka marr fund çdo gjë.
Mustafa Lutfi el-Menfeluti
Këtë e shkroi Menfelutiu një kohë të shkurtë para vdekjes së tij, kurse ai vdiq në moshën dyzetvjeçare.
Përktheu: Bekir Halimi