Riformatimi i qeverisë, i paralajmëruar të niste javën që shkoi, mund të mos ndodhë fare. Kështu kanë vlerësuar partitë politike në koalicionin qeverisës.
Përderisa përfaqësues të PDK-së thonë se nuk është rendi për riformatim, ata të LDK-së thonë se nuk kanë informacion se çfarë është duke u përgatitur, raporton “Zëri”.
Nga ana tjetër, partitë opozitare vlerësojnë se edhe po qe se ndodh riformatimi i qeverisë, ai do të jetë vetëm “improvizues” dhe “kozmetik”, jo rrënjësor. Sipas përfaqësuesve të tyre, një gjë e tillë, do të bëhej vetëm për t’i sistemuar personat e partive në pushtet, duke bërë pazare politike. Ndërkaq, analistët politikë, vlerësojnë se ky proces nuk po mund të realizohet pasi që ka mospajtim midis dy partive në pushtet.
Ata tutje, thonë se riformatimet zakonisht janë bërë për qëllime propagandistike dhe blerje kohe. Kurse, njohësit e ekonomisë konsiderojnë se një hap i tillë duhet të ndërmirret domosdoshmërisht. Kjo pasi që sipas tyre, nga riformatimi i qeverisë do të kursehej mjaft shumë buxheti i shtetit të Kosovës.
PDK thotë se s’ka riformatim, LDK nuk di gjë
Deputeti i i PDK-së Nait Hasani, është shprehur i bindur se nuk do të ketë fare riformatim.
“Nuk janë rendet për riformatim. S’ka riformatim, rrethanat tregojnë se nuk do të ketë”, është shprehur ai.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi, ka thënë se nuk ka informacione fare për riformatimin e qeverisë.
“S’kam informacion. Nuk di realisht a është duke u përgatitur diçka e tillë”, ka thënë shkurt Ibishi.
LVV: Ndryshimet që mund të vijnë nga riformatimi, kozmetike
Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi, ka vlerësuar se ndryshimet që mund të bëhen nga riformatimi i qeverisë janë krejtësisht të parëndësishme.
“Kjo qeveri nuk ka aspak legjitimitet dhe duke qenë e tillë, ndryshimet që mund të vijnë nga procesi riformatimit i konsiderojmë kozmetike dhe fare të parëndësishme”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, kjo qeveri është e ndërtuar me pazarllëqe të dëmshme dhe që nga fillimi ka qenë e kushtëzuar, duke u detyruar kështu të imponojë projekte dhe marrëveshje që cenojnë shtetësinë.
Çaushi më tej, ka vlerësuar se secili ministër i kësaj qeverie është vegël që zbaton politika në dëm të shtetit të Kosovës.
Andaj sipas tij, duhet që qeveria aktuale të largohet nga pushteti.
“Momentalisht është jashtëzakonisht e nevojshme dhe e domosdoshme që kjo qeveri të largohet nga pushteti, për shkak të dëmeve që i ka sjellë, që po i sjellë e që rrezikon t’i sjellë. Çdo gjë më pak është rrezik më shumë për të ardhmen e Kosovës”, ka potencuar deputeti i LVV-së.
AAK: Qeveria të dorëhiqet, të shkohet në zgjedhje
Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se gjithmonë bëhen pazare për poste qeveritare.
“Sipas një logjike gjithmonë bëhet pazar me emra që do të mund të përfshiheshin në poste qeveritare. PDK dhe LDK këtë kurs e kanë pasur jo vetëm për qeverinë por edhe për agjensitë qeveritare dhe bordet e kompanive publike. Zaten për këtë kanë pasur edhe një marrëveshje antiligjore të nënshkruar”, ka deklaruar Nitaj.
Ai më tej, ka thënë se qeveria e tanishme do të duhej të dorëhiqej tashmë, ngase siç është shprehur ai, nuk e ka përkrahjen e popullit. Sipas tij, riformatimi i qeverisë është vetëm një lloj sajimi, jo më shumë.
“Ajo që është e nevojshme tani, është që qeveria ta kuptojë se e ka humbur mbështetjen në popull, dhe më e mira do të ishte të tërhiqej fare. Çdo nismë për do farë riformatimesh, është improvizim dhe nuk besoj se do të kenë kurrfarë ndikimi”, ka theksuar Nitaj.
Prandaj sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbaheshin në një kohë normale, që do të ishte pranvera e hershme e vitit 2017. Kanë ndodhur shumë gjëra që e kanë ndarë shoqërinë, dhe mundësia që forcat politike ta legjitimojnë veten është e domosdoshme”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se qeveria nuk ka kohë për riformatim.
“Kjo qeveri më nuk ka kohë për riformatim, sepse ajo duhet që sa më parë të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi që, ky kolacion ka bllokuar çdo gjë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, qe më shumë se një vit asnjë dikaster i qeverisë nuk ka punuar për ta zhvilluar vendin.
“Që nga gushti i vitit të kaluar nuk kanë mundur të punojnë në asnjë dikaster për ta zhvilluar vendin, por të vetmen punë që e kanë bërë janë marrja e të gjitha bordeve, agjensioneve dhe intitucioneve tjera të pavaruara nga PDK dhe LDK”, ka shtuar deputetja e “Nismës”.
Gashi: Riformatimet, për qëllime propagandistike
Krenar Gashi, doktorant në shkencat politike, ka vlerësuar se riformatimet në qeveri në të shumtën e herave janë bërë për qëllime propagandistike.
“Riformatimet e qeverive në Kosovë zakonisht janë bërë për qëllime propagandistike. Nuk e mbaj mend që ndonjëherë kryeministrat të kenë evaluuar punën e ministrave përpara se t’i ndërrojnë ata, sic do duhej të bëhej”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Sipas Gashit, riformatimi i ardhshëm ka synim të bëjë ripozicionim të fuqisë politike të dy partive në pushtet.
“Besoj që ka më shumë qëllim të ripozicionimit të fuqisë brenda dy partive politike të koalicionit. Kjo vlen sidomos për PDK-në, ku me ardhjen në krye të partisë, Kadri Veseli krejt natyrshëm do të ketë nevojë që t’i ripozicionojë njerëzit e tij brenda strukturës qeverisëse, duke e forcuar kësisoj pozicionin e tij jo veç në qeveri por edhe brenda partisë”, ka potencuar ai.
Ai më tej, ka thënë se sfera publike po i jep shumë hapësirë idesë së riformatimit duke e parë atë veç në sipërfaqe dhe duke mos e problematizuar arsyen e vërtetë që shtyen tek një riformatim i tillë.
Abazi: Riformatimi, blerje kohe
Kurse, Haki Abazi nga Rockfeller Brothers Fund, ka vlerësuar se riformatimi është vetëm blerje kohe.
“Riforamtimi është blerje kohe për t’i konsoliduar radhët për fushatë elëktorale dhe hapje të tenderëve që sjellin para për fushatë dhe kadidatë të caktuar”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, riformatimi do të ishte humbje kohe dhe shpenzim i panevojshëm i buxhetit dhe energjisë së institucioneve dhe qytatarëve të vendit.
E koalicionin qeverisës PDK-LDK, Abazi e ka cilësuar si koalicion armiqësor.
“Koalicioni qeverisës është koalicion jonatyror i dy armiqve politikë dhe që kanë shumë llogari për të dhënë për njëra tjetrën”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, profesori universitar Blerim Burjani, ka vlerësuar se riformatimi i qeverisë nuk ka ndodhur ende pasi që ka mospajtime midis koalicionit qeverisës.
“Procesi i riformatimit po ballafaqohet me probleme në mes partnerëve dhe në mes individëve të këtyre partive. Të gjithë janë në mbrojtje të interesit të tyre individual”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, ka vlerësuar se riformatimi është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.
“Riformatimi është i pashmangshëm dhe shumë i domosdoshëm, për t’i reduktuar shpenzimet e mëdha që i ngarkohen taksapaguesve”, ka shtuar ai.
Limani: Riformatimi kursen buxhetin e shtetit
Ndërkohë, Musa Limani, ekspert i çështjeve ekonomike, ka vlerësuar se Kosova ka numër të madh të ministrive të cilat sipas tij e ngarkojnë shumë buxhetin e shtetit.
“Kosova ka numër shumë të madh të ministrive, madje numër të madh të zëvendësministrave që janë të tepërt dhe e ngarkojnë buxhetin e vogël të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë sipas tij, reduktimi arsyetohet vetëm po qe se vihen kuadro profesionale.
“Reduktimi i kuadrove është i arsyeshëm nëse zëvendësohen me kuadro profesionale, me përvojë, të paimplikuar në abuzime e korrupsion”, ka shtuar Limani.
Më pas, ai ka thënë se zvogëlimi i numrit të ministrive zvogëlon edhe shpenzimet e buxhetit.
“Nga aspekti ekonomik, zvogëlimi i numrit të panevojshëm të ministrive e të të punësuarve, do t’i zvogëlojnë shpenzimet e mjeteve buxhetore, pjesa e të cilave mund të përdoret për qëllime të tjera”, ka përfunduar ai./Zëri