4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nuk ka asgjë që nuk e madhëron Allahun

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen e tij dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar muslimanë!
Ajo që po shihet dhe po vërehet sot është se një pjesë e madhe e njerëzve po jetojnë me probleme të mëdha, të shumta dhe të ndryshme dhe çdo ditë e më shumë ato vetëm sa shtohen dhe zmadhohen. Atëherë të shqetësuar pyesim për shkakun e gjithë këtyre telasheve dhe sprovave.

Në këtë hytbe do të ndalemi në fjalën e Allahut të Lartësuar, që thotë:
تُسَبِّحُ لَهُ ٱلسَّمَٰوَٰتُ ٱلسَّبْعُ وَٱلأَرْضُ وَمَن فِيهِنَّ وَإِن مِّن شَيْءٍ إِلاَّ يُسَبِّحُ بِحَمْدِهِ وَلَـٰكِن لاَّ تَفْقَهُونَ تَسْبِيحَهُمْ إِنَّهُ كَانَ حَلِيماً غَفُوراً
“Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Ai, me të vërtetë, është i Butë dhe Falës.”1

Po të kuptohet ky ajet si duhet, pa dyshim që besimtari do të mësojë shumë sekrete të problemeve dhe shqetësimeve.
Atëherë, si ta kuptojmë domethënien e fjalës së Allahut të Lartësuar!?

Përgjigja është në fjalën e Allahut:  “Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar,…”
Transmeton Ebu Dheri, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili thotë:
إِنِّي‏ ‏أَرَى مَا لَا تَرَوْنَ وَأَسْمَعُ مَا لَا تَسْمَعُونَ أَطَّتْ ‏السَّمَاءُ وَحُقَّ لَهَا أَنْ ‏ ‏تَئِطَّ ‏ ‏مَا فِيهَا مَوْضِعُ أَرْبَعِ أَصَابِعَ إِلَّا وَمَلَكٌ وَاضِعٌ جَبْهَتَهُ سَاجِدًا لِلَّهِ
“Unë po shoh atë që ju nuk po e shini dhe po dëgjoj atë që ju nuk po e dëgjoni, zhurmoi qielli dhe duhej të zhurmëronte2 ngase nuk ka vend prej katër gishtash që nuk gjendet një engjëll me fytyrë të vendosur në sexhde duke lavdëruar Allahun e Lartësuar.”3

Ky hadith tregon për lavdërimin dhe madhërimin e banorëve të qiellit ndaj Allahut të Lartësuar.

Të nderuar besimtarë!
Qielli dhe gjithçka që ai përmban, Diellin, Hënën, yjet, etj., Toka dhe ajo që gjendet në të, si drunjtë, detet, lumenjtë, gjallesat, të gjitha thonë SUBHANALLAH, e lavdërojnë dhe e madhërojnë Allahun e Lartësuar.
Me këtë lavdërim qarkullon dhe lëviz me saktësi çdo gjë. Çdo gjë e krijuar është në përputhshmëri, lëviz me saktësi dhe kryen lëvizjet e duhura duke mos tjetërsuar anën e lëvizjes. Çdo gjë ka vetëm një synim.
Por njeriu shpeshherë bën të kundërtën, ecën dhe lëviz në të kundërtën e lëvizjeve të krijesave të tjera, kur çdo gjë tjetër nuk e ndryshon drejtimin, por e lavdëron dhe e madhëron Allahun Fuqiplotë. Por njeriu nuk është mirënjohës, falënderues dhe madhërues ndaj Tij dhe në këtë mënyrë vepron të kundërtën.
Por kur njeriu përmend Allahun e Lartësuar, ai ka lëvizur së bashku me krijesat e tjera të Allahut dhe ashtu siç ato nuk e tjetërsojnë rolin dhe detyrën që kanë, edhe njeriu në përmendjen e Tij ka lavdëruar dhe madhëruar Atë.
Kur ti o njeri mëkaton dhe bën gjynahe, ke bërë të kundërtën e asaj për të cilën je krijuar dhe ke fituar edhe urrejtjen e krijesave të tjera, sepse kjo gjithësi ka drejtimin e caktuar nga Allahu Krijues. Lexo fjalët e Allahut:
سُبْحَانَ ٱلَّذِي خَلَق ٱلأَزْوَاجَ كُلَّهَا مِمَّا تُنبِتُ ٱلأَرْضُ وَمِنْ أَنفُسِهِمْ وَمِمَّا لاَ يَعْلَمُونَ
“Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar çift të gjitha llojet: çka mbin prej tokës, ata vetë dhe ato që nuk i dinë!”4

وَٱلشَّمْسُ تَجْرِي لِمُسْتَقَرٍّ لَّهَـا ذَلِكَ تَقْدِيرُ ٱلْعَزِيزِ ٱلْعَلِيمِ. وَٱلْقَمَرَ قَدَّرْنَاهُ مَنَازِلَ حَتَّىٰ عَادَ كَٱلعُرجُونِ ٱلْقَدِيمِ. لاَ ٱلشَّمْسُ يَنبَغِي لَهَآ أَن تدْرِكَ ٱلقَمَرَ وَلاَ ٱلَّيلُ سَابِقُ ٱلنَّهَارِ وَكُلٌّ فِي فَلَكٍ يَسْبَحُونَ
“Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi. Hënës i kemi caktuar faza; ajo përditë hahet e bëhet si rremi i përkulur i hurmës. As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.”5

Pra, çdo gjë lavdëron dhe madhëron duke lëvizur vetëm në një drejtim, kurse ti o njeri harron përmendjen, madhërimin dhe lavdërimin e Allahut të Lartësuar dhe e thyen rendin dhe krijon probleme, duke u ballafaquar me telashe, sprova dhe probleme.

Të nderuar muslimanë!
Çështja e përmendjes së Allahut të Lartësuar, e lavdërimit dhe e falënderimit të Tij nuk është një gjë që mund të fillojë dhe të përfundojë vetëm me një herë, por është nevojë parësore në jetë, pasi gjatë gjithë jetës së tij njeriu duhet të jetë në përmendje të Allahut. Duke pasur parasysh këtë çështje, është bërë e qartë për çdonjërin se vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi t’i kalojmë problemet dhe sprovat më lehtë me ndihmën e Allahut të Lartësuar.

Në vazhdim, le të kujtojmë se bashku disa lutje lavdëruese dhe falënderuese për të cilat jemi të porositur t’ia bëjmë Allahut. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i praktikonte gjatë ditës dhe njëkohësisht i porositi edhe besimtarët që t’i thonë. Në vazhdim po veçojmë disa prej tyre.
Që në momentin kur zgjohemi nga gjumi, le t’i shprehim falënderimit ndaj Allahut të Lartësuar duke thënë:

الحمدُ للهِ الذي أحيانَا بعدَ ما أماتَنَا وإليهِ النُّشُورُ
“Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ringjalli pasi na bëri të vdekur dhe tek Ai është tubimi.”6

الحمدُ للهِ الذي عافاني في جَسَدي، وَرَدّ عَليَّ رُوحِي، وَأَذِنَ لي بِذِكْرِهِ
“Falënderimi i takon Allahut, i Cili e mbrojti trupin tim, ma ktheu shpirtin tim dhe ma bëri të mundur ta përkujtoj Atë.”7

Të kujtojmë dhikrin që bëjmë në fillim të namazit:
سُبْحانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ، وَتَبارَكَ اسْمُكَ، وَتَعالى جَدُّكَ، وَلا إِلهَ غَيْرُكَ
“I Lartësuar je o Allah dhe falënderimi është për Ty, e lartësuar është Madhëria Jote, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje.”8

Muhamedi alejhi selam lutej po ashtu në sexhde me këtë dua:
اللَّهُمَّ اغْفِرْ لي ذَنْبي كُلَّهُ، دِقَّهُ وَجِلَّهُ، وَأَوَّلَهُ وَآخِرَهُ وَعَلانِيَّتَهُ وَسِرَّهُ
“Allahu im! M’i fal mua gjynahet e mia, të voglat dhe të mëdhatë, të parat dhe të fundit dhe ato që kam bërë haptas dhe fshehtas.”9

Prej lutjeve dhe falënderimeve të shumta që bënte Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes është edhe kjo:
سُبحانَ الله وبحمدِهِ: عَدَدَ خَلْقِهِ، ورِضا نفسِهِ، وزِنَةَ عرشِهِ ومِدَادَ كلماتِهِ
“I Lavdëruar është Allahu, aq sa është numri i krijesave të Tij dhe aq sa dëshiron Ai vet, dhe aq sa është i bukur Arshi i Tij dhe sa ngjyra e pafund për t’i shkruar fjalët e Tij.”10

Të nderuar besimtarë!
Bëhuni përkujtues të Allahut të Lartësuar nëse dëshironi të jeni në kujtimin e Tij. Ai për përmendësit e Vet ka përgatitur falje dhe xhenet. Ai që e përmend Allahun e Lartësuar është njeri i gjallë. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Shembulli i atij që e kujton Zotin e Tij dhe atij i cili nuk e kujton Zotin e Tij është sikurse shembulli i të gjallit dhe i të vdekurit.”11

 

1 Israë, 44.
2 Zërin që lëshoi qielli është për shkak të numrit të madh të engjëjve që kanë rënduar qiellin.
3 Transmeton Tirmidhiu. –Albani e vlerëson për hadith hasen.
4 Jasin, 36.
5 Jasin, 38-40.
6 Transmeton Buhhariu.
7 Transmeton Tirmidhiu.
8 Transmeton Nesaiu.
9 Transmeton Muslimi.
10 Transmeton Muslimi.
11 Transmeton Buhariu

 

Ulvi Fejzullahu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit