“ Nuk do të shkatërrohet bota, derisa vendet arabe të mos mbushen me kopshte e lumenj.”
Kjo thënie e Muhamedit (a. s.) diku para XIV shekujsh është duke e habitur botën e sotme moderne dhe shkëncetarët e NASA-s: shumë studiues jomyslimanë kanë mbetur pa koment kur e kanë dëgjuar se Muhamedi (a. s.) dinte edhe për gjeologjinë, ndërsa sot shkenca moderne i verifikon të gjitha thëniet e Muhamedit (a. s.).
Shumë të vërteta të përmendura në Kuran nuk qe e mundur që të vërtetoheshin në atë kohë, mirëpo sot përmes shkencës bashkëkohore u bë e mundur të vërtetohet ajo që u tha në Kuran dhe në Sunnet para 1400 vitesh.
Për të sqaruar më mirë këtë thënie të Muhamedit (a. s.) do të paraqes studimin e gjeologut gjerman Alfred Kroner, i cili në një debat është pyetur kështu: “A nuk ishin vendet arabe të gjelbëruara dhe të pasura me kopshte dhe lumenj?” Po, u përgjigj, kjo është një e vërtetë shkencore. Vazhduan me pyetjen tjetër: “E kur ndodhi kjo?”
“Në kohën e akullnajave, akujt e grumbulluar në Polin e Ngrirë të Veriut filluan të rrëshqisnin drejt Jugut dhe, kur ato i ishin afruar relativisht Gadishullit Arabik, ndryshoi temperatura, gjë që bëri që ky gadishull të ishte një ndër vendet më të pasura me kopshte, lumenj dhe reshje.”
E pyetën profesorin, se a do të ndodhë përsëri që Gadishulli Arabik të shndërrohet në kopshte dhe lumenj siç ishte më parë? Po, u përgjigj, dhe e argumenton tezën e vet kështu:
“Koha e re e akullnajave ka filluar. Akulli për herë të dytë ka filluar të rrëshqasë nga Poli i Veriut në drejtim të Jugut. Tani ai ka marrë rrugën e tij në drejtim të Gadishullit Arabik. Dëshmi për këtë është ajo që dëgjojmë mbi furtunat e forta, të cilat përfshijnë vendet veriore në Evropë dhe Amerikë. Kjo është dëshmi mbi atë që thamë. Shkencëtarët kanë edhe fakte të tjera rreth kësaj çështjeje dhe kjo është e vërtetë shkencore.”
Pra, në bazë të këtij hadithi, si dhe të zbulimeve shkencore, nënkuptojmë se Gadishulli Arabik dikur ka qenë vend i mbushur me kopshte e lumenj, por gjatë kalimit të kohës dhe ndryshimeve klimatike ka ardhur në këtë gjendje që është edhe sot. Mirëpo, Muhamedi (a. s.) na paralajmëron se Gadishulli Arabik do të kthehet në të njëjtën gjendje si ka qenë dikur, i mbushur me kopshte e lumenj.
Një përputhshmëri shumë e qartë e fjalëve të Muhamedit (a. s.) dhe shkencës bashkëkohore, edhe një argument shumë i qartë se Muhamedi (a. s.) nuk fliste nga hamendja, por ai ishte nën dirigjimin e Allahut dhe se thëniet e tij janë inspirim apo shpallje nga Allahu (xh. sh.). Po e përfundoj ketë pjesë me fjalët e Allahut (xh. sh.), që thotë:
“Kurani është këshillë për të gjitha botët. Ju gjithsesi do ta kuptoni këtë, madje qoftë edhe më vonë”. (Sure Sad, ajeti 87)
A. Hoxha