4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nuk do të bëhem nënë, lotët e vuajtjes

Më të lexuarat

Nuk do të bëhem nënë, lotët e vuajtjes

Fillimisht më lejoni t’ju falënderoj për punën që bëni, në ndihmë të çdokujt që i lipset këshilla dhe motivimi.
Në fakt, ndihem aq keq saqë nuk gjeta tjetër kënd përveç jush, për ti qarë hallin. Do të përpiqem të jem sa më e qartë dhe ta përmbledh sa më shkurtër problemin.
Unë jam një vajzë 24 vjeçe dhe jam fëmija i vetëm i nënës, pasi babai më ka vdekur. Jam një tip i qetë, besimtare praktikante dhe falë përpjekjeve dhe mundit arrita ta përfundoj fakultetin e mjekësisë. Të gjithë më vlerësojnë për logjikën e shëndoshë dhe për edukatën time.
Ajo që më ka ndodhur, është se pasi u diplomova u sëmura dhe pas një vizite tek doktoresha, mu tha se kisha tumor  në mitër, i cili duhej hequr patjetër. Bazuar edhe në studimet e mia dhe informacionin që kisha për këtë problem, vendosa ti nënshtrohem operacionit. Alternativë tjetër përveç operacionit nuk kisha dhe ashtu ndodhi.
Tre javë më pas, fillova të vërej nënën e cila qante herë pas here. Kur e pyeta mbi shkakun, ajo më tha se gjatë operacionit doktoresha vuri re se tumori mund të përhapej. Pasi ia kishte paraqitur këtë problem nënës time, kjo e fundit kishte pranuar që të më hiqej mitra dhe ashtu kishte ndodhur. Megjithatë, doktoresha kishte lënë vezoren pa e hequr.
Lajmi që nuk do të mund të lind dhe të bëhem nënë më tronditi. E kush ishte ai djalë që do më pranonte si bashkëshorte ndërkohë që unë nuk mund ti fal fëmijë?! Kam qarë shumë dhe nuk e di si do e kaloj pjesën tjetër të jetës. Tashmë nuk më ka mbetur ndonjë objektiv në jetë, fle shumë pasi më duket sikur i shmangem jetës. Më duket sikur më kanë shteruar të gjithë energjitë.
Nëna ime e shkretë orvatet të më ngushëllojë dhe të më japë zemër, se ky ka qenë fati im, se kështu është shkruar. Por lëmshi që më është mbledhur në fyt nuk di si ta zgjidh. Çfarë ti them atij djali që do të vijë të trokasë në derën time? Madje, mund të them se e refuzoj dhe idenë e martesës. Kushdo që do kërkojë dorën time, me ta marrë vesh se nuk lind, do të tërhiqet. Sipas doktoreshës, vendimi për të hequr mitrën ishte alternativa më e mirë.
Prej jush kërkoj një këshillë dhe diçka motivuese, pasi sinqerisht gjendem në një situatë të rëndë.
 
 
Këshilluesja: dr. Emira Bedran
 
Është errësira e natës ajo që na bën të zgjasim kokën me shpresë se do të shohim sado pak dritë në horizont. Ekzistenca e padrejtësisë dhe duarve të liga, na bëjnë që të kërkojmë të drejtat tona. Syrgjynosja dhe internimi na bëjnë të kuptojmë vlerën e vendlindjes. Poshtërimi e bën të shenjtë dinjitetin dhe jetën me nder. Fatkeqësitë janë sprova, të cilat na afrojnë më shumë pranë Zotit. Nuk kam qëllim që të mbaj ligjëratë fetare për sevapin e durimit dhe pozitën që gëzojnë të sprovuarit tek zoti. Ajo ku dua të fokusohem më tepër, është pikërisht aktualiteti dhe jeta, duke ta sjellë në formë pikash me qëllim që tu kthehesh herë pas here:
 
*Nga ana psikologjike, kur përballemi me ndonjë traumë, fatkeqësi, humbasim dikë të shtrenjtë etj…, ne kalojmë në disa faza, të cilat ndryshojnë në kohëzgjatje dhe ashpërsi sipas karakterit të personit, natyrës, ambientit përreth, përvojës, forcës së besimit,  aftësisë për ta menaxhuar dhe reagimit. Kështu, faza e parë është ajo e “mohimit” dhe mos besimit të asaj që ka ngjarë. Ai e refuzon kategorikisht të ketë ngjarë ajo që i thuhet dhe e ka të vështirë ta perceptojë dhe ta besojë.
Në këtë fazë, njeriu e humbet aftësinë për të ruajtur ekuilibrin. Mandej, vjen faza e perceptimit dhe përjetimit të asaj që ka ngjarë. Në këtë fazë, njeriu përjeton emocione negative tepër të forta, ku ndërthuren ndjenjat me pyetje mbi shkakun e ngjarjes. Njeriu ndihet i thyer, i këputur, i persekutuar, i pafuqishëm, i ligsht, i brishtë dhe nuk ka fuqi të bëjë asgjë. Ai i ngjan një tullumbaceje e cila shkon nga ta çojë era. Ai bëhet shumë nervoz dhe zhytet në depresion.
Kjo fazë pasohet nga faza e rimarrjes së vetes, ku njeriu rikthen një pjesë të madhe të ekuilibrit dhe aftësisë për të analizuar situatën dhe interpretuar atë në mënyrë logjike. Kjo, edhe pse ndjenjat e dhimbjes së asaj që ka ndodhur është prezente.
Faza e fundit është ajo e ambientimit dhe familjarizimit. Ndonjëherë, kemi dhe fazën e harresës, ku njeriu e harron fare dhimbjen e humbjes apo të ngjarjes, duke vazhduar jetën sërish. Atij i kthehen forcat dhe energjia, i kthehet dëshira për tu ndjerë i realizuar dhe për të përmbushur ambiciet e tij.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që të vlerësosh në cilën fazë ndodhesh, me qëllim që të kuptosh atë që po ngjet me ty. Mos harrojmë se kohëzgjatja e këtyre fazave dhe ashpërsia e tyre, varet nga natyra e personit. Gjëja më e rëndësishme është që të ndërgjegjësohesh se për të ruajtur shëndetin tënd psikologjik, duhet të mos i kapërcesh dhimbjet në mënyrë sipërfaqësore dhe falco, sidomos fazën e dytë dhe të tretë. Kjo, pasi ato mund të represohen dhe ti ngjajnë një bombe e cila mund të shpërthejë me provokimin më të vogël, me apo pa qëllim.
 
*Është tepër e rëndësishme që ti shkarkosh dhimbjet e tua negative, në atë mënyrë që të përshtatet. Dikujt mund ti përshtatet ti shkarkojë energjitë dhe ndjenjat negative me të shkruar, dikush tjetër me vizatim, një tjetër nëpërmjet bisedës me një person të besueshëm. Ndonjëherë, këto energji mund të shkarkohen duke trajtuar të sëmurët, pasi shpesh herë ne lehtësojmë dhimbjet tona duke u lehtësuar dhimbjet të tjerëve. Një alternativë tjetër mund të kontributi vullnetar që  të përshtatet dhe që të pëlqen, duke e shtuar dhe forcuar besimin tënd fetar.
Mbetet të them se nuk është e përcaktuar qartë kohëzgjatja e çdo faze, pasi siç e ceka më lart varet shumë nga gatishmëria e personit, shkalla e kontrollit dhe aftësia për të ndërvepruar me emocionet e tij. Kjo, edhe pse disa mendojnë se mund të zgjasë mesatarisht tetë muaj, por që mund të zgjasë ose shkurtohet. Të gjithë njerëzit vuajnë dhe ndjejnë dhimbje kur humbasin dikë ose diçka të shtrenjtë në jetë, gjë e cila duhet të shihet si sprovë me të cilën Zoti e nderon, e edukon ose i kujton urtësitë e Tij. Megjithatë, bazuar në faktin se jemi unikë, ne dallojmë nga njëri tjetri në sasinë e dhimbjes dhe mënyrën si e shprehim atë. Dikush e manifeston dhimbjen, ndërkohë që dikush tjetër e shtyp atë. Fakti që dikush e shfaq, nuk do të thotë se fatkeqësia e tij është më e rënda. Mund të ketë njerëz të tjerë përreth teje, të cilët janë sprovuar shumë rëndë, pasi janë sprovuar në çështje nderi, amaneti dhe morali. Prandaj, mos harro se nuk je e vetmja në këtë sprovë.
Ne ndryshojmë dhe dallojmë nga njëri-tjetri edhe në mënyrën si do të sillemi pas sprovës. Ka prej nesh që dorëzohen, rrënohen moralisht dhe e humbasin fillin. Sakaq, ka të tjerë të cilët i menaxhojnë dhimbjet dhe vazhdojnë jetën.
 
*A mendon vërtet se vlera e një femre, qëndron vetëm në aftësinë e saj për tu bërë nënë? Të qenit nënë, është vetëm një pjesë e rëndësishme nga jeta e një femre, edhe pse është një nga misionet e saj të rëndësishme. Por, nuk është misioni dhe roli i vetëm i saj në jetë, nuk është domosdoshmërish as roli më i mirë dhe më i vlefshëm. Sill në mendje nënat e besimtarëve, ku shumë prej tyre nuk e kanë pasur këtë privilegj. E megjithatë, emrat e tyre janë përjetësuar në historinë e umetit tonë, duke u pozicionuar në vendin më të fisëm për gruan. Ato kishin dorë në çdo aspekt të jetës së shoqërisë ku jetonin. Prandaj, nëse e ke humbur mundësinë për tu bërë nënë, ke shumë hapësira si për veten dhe për shoqërinë ku jeton. Të sëmurët kanë nevojë për një doktoreshë e cila, nëpërmjet eksperiencës së saj, i ndjen dhimbjet dhe shqetësimet e tyre. Ti mund tu ofrosh këtyre të sëmurëve atë që nuk mund t’ua ofrojë asnjë doktor dhe doktoreshë tjetër.
 
*Askush nuk e mohon dëshirën për tu bërë nënë, dëshirë dhe pasion ky i çdo femre. Por ka persona të cilët kërkojnë një bashkëshorte tek e cila të gjejë qetësinë shpirtërore që i mungon. Po, ka persona të tillë që do të duan të martohen me ty, do e pranojnë faktin që ti nuk lind dhe do të bëjnë çmos që edhe ti të bëhesh nënë. Ata nuk janë qenie jashtëtokësore për të cilat nuk dimë asgjë. Jo, ata janë përreth nesh. Mos harro se ti nuk je e vetmja që vuan nga ky problem. Gjithmonë kujtoja vetes se përgjithësimi është një ndër armiqtë më të egër të logjikës së shëndoshë.
 
*Njerëzimi ka një trashëgimi sociale me dimensione fetare, të cilat i quajmë si “shpërblime të qiellit”. Ato janë shpërblime të vyera dhe të papritura, të cilat vijnë për të kompensuar atë që i mungon ndonjërit prej nesh. Unë nuk po flas për trashëgimitë mitologjike, por po flas për atë trashëgimi të cilën e shohim të përsëritet në jetën e miliona njerëzve. Këto shpërblime u jepen atyre që janë ndërgjegjësuar dhe nuk anë rënë pre e humbjeve në jetë, por kanë ndjekur linjën e jetës me të njëjtin përkushtim si më parë. Ne jeme përgjegjës për vazhdimësinë e përpjekjeve për ta kryer rolin dhe misionin që pritet prej nesh në jetë.
 
Thotë Isam Al shiar, ekspert i çështjeve fetare:”Sprova është ligj hyjnor në tokë. Nëpërmjet sprovave, Zoti teston robërit e tij besimtarë, për ti ndarë nga jobesimtarët dhe ata që nuk janë të sinqertë. Nëpërmjet sprovave, synohet që besimtarit ti rriten vlerat në botën tjetër. Thotë zoti në kuran:” Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”,pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” (Ankebut, 2-3)
“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” (Mulk, 2)
Zoti i plotfuqishëm i sprovon robërit e tij me lloje të ndryshme sprovash. Ndonjëherë ne e konsiderojmë sprovën si diçka të keqe, ashtu siç mund ta konsiderojmë ndonjëherë si diçka të mirë. Thotë Zoti në Kuran:” Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 35)
Sprova është caktim i Zotit dhe si mërzia, si kënaqësia nuk e ndryshojnë atë. Por, robi i Zotit mund ta shfrytëzojë atë në interes të tij. Një i mençur, bën sabër dhe e pranon caktimin e Zotit. Ai sheh mëshirën e Zotit tek çdo sprovë. Në një hadith, profeti a.s thotë:”shpërblimi i madh, vjen paralelisht me sprovën e madhe. Nëse Zoti e do një popull, i sprovon. Kush kënaqet me caktimin e Zotit, kënaqësi do i jepet. Kush zemërohet, zemërim do ketë.” (Tirmidhij)
Ajo që të ndihmon për ta kapërcyer këtë periudhë të vështirë, është besimi yt se ajo që të ka ndodhur, është caktimi dhe vullneti i zotit.  Nuk duhet të harrosh se Zoti cakton për robin e Tij veçse atë që është e hajrit dhe e dobishme për të. Ti shpërblehesh për sprovën dhe në dashtë Zoti do të radhitesh me durimtarët dhe mirënjohësit. Thotë profeti Muhamed a.s:”E çuditshme çështja e besimtarit. Gjithçka për të është në favorin e tij dhe kjo nuk është veçse për besimtarin.  Nëse i jepet një e mirë, ai falënderon dhe kjo është në favorin e tij. Nëse e prek një fatkeqësi, ai bën durim dhe kjo është në favorin e tij.” (muslim)
Në një hadith tjetër, profeti a.s thotë:”Çfarëdo që i ndodh myslimanit, lodhje apo lëndim, shqetësim apo mërzi, edhe kur një gjemb e shpon, ai shpërblehet.” (Buhari dhe Muslim)
Veç sa ceka, dua të shtroj dhe një shqetësim në lidhje me rastin tënd: Nuk e di sa të drejtë ka pasur doktoresha që ka vendosur të heqë mitrën tuaj. Nuk e di nëse ka gabuar apo jo. Ajo që më shtyn ta shtroj këtë pyetje, janë raste të shumta ta ngjashme ku doktorët i bien shkurt, duke mos marrë parasysh ndjenjat e të sëmurit. Ka shumë raste ku doktorët kanë bërë gabime trashanike me pacientët dhe ia kanë kaluar pa u lagur. Kushdo qoftë doktori, duhet të përballet me pasojat e gabimit, apo thënë më mirë të neglizhencës. Është e papranueshme që tu besojmë shëndetin tonë njerëzve të papërgjegjshëm.
Sakaq, lidhur me fekondimin artificial, mandej implantimin në mitrën e një gruaje tjetër, kjo është një çështje e studiuar nga Akademia e Fikhut Islam, e cila e ndalon diçka të tillë. Pra, nuk lejohet implantimi i vezës së fekonduar në mitrën e një gruaje tjetër, përveç nënës. Kjo, edhe nëse veza është e nënës dhe spermatozoidi i babait. Prania e një pale tjetër në këtë lindje, është ajo që e bën një procedurë të tillë të ndaluar.

Rating: 3.3 of 5. 3 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit