Rreth një mijë qytetarë kanë marrë pjesë në shënimin e Ditës përkujtimore dhe lutjes për boshnjakët dhe shqiptarët e pushkatuar
NOVI PAZAR (AA) – Sot e kësaj dite nuk e dimë të vërtetën e saktë dhe kurrë nuk do të harrojmë dhe nuk do të lejojmë që një gjë e ngjashme të na përsëritet, u tha sot, ndër të tjera në “Marshi për Haxhet dhe lutje për dëshmorët”, e organizuar në përkujtim të boshnjakëve dhe shqiptarëve të vrarë të Sanxhakut në likuidimet masive të regjimit komunist para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Novi Pazar, raporton Anadolu Agency (AA).
Tubimi me titull “Marshi për Haxhet dhe lutje për dëshmorët”, që nga viti 2010 çdo 4 shtator që organizohet nga Baskësia Islame në Serbi (BIS) dhe Komunitetit Kulturor Boshnjak (KKB) edhe kësaj radhe filloi nga qendra e Novi Pazarit deri në lagjen Haxhet.
Në kolonën e udhëhequr nga personalitete të Bashkësisë Islame të Serbisë, pranë imamit dhe qytetarëve ishin të veshur në mënyrë të njëjtë të rinjtë me qeleshe. Ata, me këndimin e tekbireve (madhërimin e Zotit), mbanin flamujt boshnjakë dhe të Bashkësisë Islame.
Në kolonën ishin kryetari i Bashkësisë Islame në Serbi Muftiu Mevlud ef. Dudiç, kreu i Komunitetit Demokratik Boshnjak, ish-myftiu i Sanxhakut dhe kryetari aktual i Komitetit për Arsim të Kuvendit të Serbisë Muamer Zukorliç si dhe anëtarët e familjeve të të vrarëve në Haxhet.
Duke iu drejtuar të pranishmëve kryetari aktual i Bashkësisë Islame në Serbi Muftiu Mevlud ef. Dudiç theksoi rëndësinë e shënimit të kësaj date dhe mbajtjen e tubimit.
“U mblodhëm këtu për të kujtuar dëshmorët në Haxhet, nga radhët e boshnjakëve dhe shqiptarëve, ata që u vranë në drejtësinë e Zotit. Ata u vranë vetëm sepse donin të ruanin krenarinë, besimin dhe dinjitetin e tyre. Ata u vranë sepse nuk donin të shisnin dhe të tradhtonin”, tha Mufti Dudiç, duke shtuar se për dëshmorët e Haxhetit nuk është lejuar të flitet 70 vite.
Kryetari i Komuniteti Kulturor Boshnjak (BKZ) dhe drejtor i Institutit për Hulumtime të Gjenocidit dhe krimeve në Universitetin Ndërkombëtar të Novi Pazarit, Admir Muratoviç tha se ende nuk dihet e vërteta e plotë e asaj që ka ndodhur në të vërtetë në Novi Pazar në periudhën nga nëntori 1944 deri në shkurt 1946.
Sipas Muratoviç ende po bëhen përpjekje për të fshehur të vërtetën rreth këtyre ngjarjeve, dhe më shumë se njëzet dëshmitarë kanë konfirmuar se në atë vend janë pushkatuar Açif efendiu, Ahmet Daca, Ejup Bej Ljajiç, Hamdi Saraçeviç, Ramiz ef. Paljevac.
“Nuk do të heqim dorë nga e vërteta, as nuk do të lodhemi. Do të bëjmë presion legjitim mbi autoritetet për të na ndihmuar të zbulojmë të vërtetën e plotë. Sot nuk kemi të dhëna të sakta zyrtare dhe numri i të vrarëve varionte nga disa qindra në më shumë se dy mijë”, tha Muratoviç.
Në periudhën prej 28 nëntorit 1944 deri më 21 janar 1945, nga ana e autoriteteve të atëhershme komuniste u likuiduan mbi 2000 boshnjakë dhe shqiptarët më të shquar të Novi Pazarit, Sjenicës dhe Tutinit, kurse eshtrat e tyre u varrosën në pronën e vakëfit “Mearif” në Haxhet.
Data e sotme, 4 shtator me vendim të Bashkësisë Islame të Serbisë është shpallur ditë përkujtimore dhe e lutjeve për viktimat e pafajshme.