5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Norvegjia rrit gatishmërinë ushtarake në kohën e përshkallëzimit të tensioneve

Më të lexuarat

“Ne jemi në situatën më serioze të politikës së sigurisë në dekada”, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store

Norvegjia njoftoi se do të rrisë gatishmërinë e saj ushtarake në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë dhe “situatës serioze të sigurisë në Evropë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi në situatën më serioze të politikës së sigurisë në dekada”, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store në një deklaratë.

Ai megjithatë theksoi se nuk ka indikacione se Rusia do ta zgjerojë luftën e saj në vende të tjera, por rritja e tensioneve nënkupton se “ne jemi më të ekspozuar ndaj kërcënimeve, inteligjencës dhe ndikimit”.

Ai shtoi se të gjitha vendet e NATO-s duhet të jenë më vigjilente, përfshirë Norvegjinë.

Detyra më e rëndësishme e forcave të armatosura është “të ruajnë paqen dhe sigurinë tonë dhe të parandalojnë konfliktin”, tha kreu i mbrojtjes Eirik Kristoffersen në deklaratën e qeverisë.

Kryeministri Store shtoi se Forcat e Armatosura Norvegjeze kujdesen për sigurinë e vendit “së bashku me aleatët tanë”.

“Ne kemi burra dhe gra të aftë që janë të trajnuar mirë për ta mbajtur Norvegjinë të sigurt në një kohë të trazuar,” tha ai.

Kryeministri përmendi gjithashtu se anëtarësimi në NATO garanton sigurinë e vendit. Megjithatë, ai tha se “nuk ka asnjë arsye për të pritur që Rusia do të përfshijë drejtpërdrejt Norvegjinë në luftë, por ne duhet të jemi më vigjilentë”.

Në javët e fundit, Forcat e Armatosura Norvegjeze kanë rritur praninë dhe patrullimin e tyre rreth infrastrukturës kritike në Detin e Veriut pas sabotimit të dyshuar të gazsjellësit rus Nord Stream në Detin Baltik dhe pasi u hasën dronë duke fluturuar pranë objekteve të naftës dhe gazit në det, pranë brigjeve të Norvegjisë.

Javën e kaluar, shërbimi i kundërzbulimit të Norvegjisë arrestoi një person për të cilin ata thonë se mund të ishte agjent i fshehtë rus.

Shërbimet e inteligjencës arrestuan gjithashtu disa rusë të tjerë në javët e fundit për fluturim të paligjshëm të dronëve në hapësirën ajrore të vendit.

Norvegjia, e cila ndan një kufi prej 198 kilometrash me Rusinë në Arktik, tashmë ka rritur buxhetin e saj ushtarak dhe shërbimet e inteligjencës në Norvegjinë veriore për shkak të tensioneve gjithnjë në rritje midis Perëndimit dhe Rusisë.

Sipas kryeministrit Store, Forcat e Armatosura Norvegjeze do të rrisin gatishmërinë e tyre dhe do të kalojnë në një fazë të re të planifikimit të tyre nga 1 nëntori.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit