Jeta ka filluar të kthehet në normalitet në provincën Hama të Sirisë, e cila së fundmi u mor nën kontroll nga grupet që përmbysën regjimin e Partisë Baath në Siri.
Në Hama, ku njerëzit shprehën simpati për grupet që çliruan qytetin nga forcat e rrëzuara të regjimit sirian, rifilloi shpërndarja e bukës në qendër të qytetit. Derisa jeta u kthye në normalitet, forcat e policisë rifilluan punën dhe rrugët u pastruan.
Tanket e braktisura të ushtrisë së rrëzuar të regjimit sirian binin në sy nëpër qytet ndërsa banorët hoqën nga rrugët posterat e Bashar al-Asadit dhe babait të tij Hafez al-Asadit.
Banorët festuan çlirimin e qytetit Hama me demonstrata gazmore, duke thirrur parulla kundër Asadit dhe familjes së tij.
Maher Al Masry, një banor i qytetit, ndau gëzimin e tij me Anadolun për çlirimin e qytetit, duke theksuar se Asadi ndoqi të njëjtat metoda si babai i tij, duke i nënshtruar banorët në vuajtje, persekutime dhe të gjitha llojet e torturave.
“Në vend që të na mbrojë, ushtria siriane bëri të kundërtën. Ajo shkatërroi vendin tonë dhe vrau fëmijët tanë. Nuk ka kthim në këtë regjim mizor”, tha Masry.
Ai gjithashtu theksoi se Hama nuk mori asnjë shërbim gjatë sundimit të Asadit, me rrugë jo të asfaltuara, ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe korrupsion të përhapur. Masry tha se forcat e rrëzuara të Asadit i kthyen tytat e tankeve kundër civilëve, duke bombarduar gra dhe fëmijë, por shprehu shpresë për “një të ardhme të ndritur me rininë”.
“Nuk kishte as ujë dhe as rrymë”
Muhenned Seffef, një tjetër banor i qytetit Hama, tha se ata u larguan nga Hama për shkak të “regjimit mizor”. Ai kujtoi se ka jetuar në një “kohë të frikshme” kur regjimi dhe Rusia bombardonin civilët në Hama.
Seffef theksoi se regjimi i ndaloi lutjet në ushtri dhe i keqtrajtoi ata. “Në fillim gjërat ishin shumë keq në Hama. Nuk kishte shërbime, nuk kishte ujë e as rrymë. Por, tani presim gjëra të mira prej tyre (forcave kundër regjimit)”, tha ai.
“Mezi gjenim bukë, ndonjëherë lypnim”
Muhammed Kizilbas, një banor i qytetit, tregoi se ata ishin nën presion të madh gjatë periudhës së regjimit, duke theksuar se “ata po na torturonin”.
“Nuk kishim ditë apo natë. Më burgosën katër herë në një vit. Na konfiskuan pasurinë. Mezi gjenim bukë, ndonjëherë lypnim”, u shpreh Kizilbas. Ai shtoi se grupet që rrëzuan regjimin i trajtuan mirë pasi hynë në Hama dhe ata nuk shqetësonin askënd.
“Për 50 vjet nën regjim, Hama ishte plot mizori dhe shtypje”
Banori Mazen Harrif, nga ana e tij, tha se ata poshtëroheshin dhe shtypeshin çdo ditë nën regjimin e Asadit.
“Për 50 vjet nën regjim, Hama ishte plot shtypje, mizori, korrupsion dhe favorizime. Shteti nuk punonte për popullin, por thithte gjakun e qytetarëve”, tha ai.
Harrif gjithashtu përmendi se grupet që rrëzuan regjimin treguan respekt dhe dashamirësi ndaj banorëve të qytetit Hama.
Zhvillimet në Siri
Pas shpërthimeve të përleshjeve të 27 nëntorit midis grupeve kundër regjimit dhe forcave të regjimit sirian, Asadi dhe familja e tij të dielën u larguan në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit sirian Damask, duke shënuar rënien e regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.
/trt BALLKAN/