-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Njihe All-llahun në bollëk që të njeh kur je në vështirësi

Më të lexuarat

 rich poor1-150x150


 Dhe në fund të përmendim disa sqarime nga një pjesë e hadithit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që ia ka dhënë si këshillë përmbledhëse kushëririt të tij, Abdullah ibën Abasit, radijall-llahu anhu.

 

Ai mes tjerash në këtë hadith i thotë:

 

((تعرف إلى الله في الرخاء يعرفك في الشدة ))

 

“Njihe All-llahun në bollëk që të njeh All-llahu ty në vështirësi”. (Sahih, Tirmidhiu).

 

Kjo pjesë e hadithit domethënë se nëse njeriu ka frikë All-llahun, kujdeset për kufijtë që i ka caktuar All-llahu, i kryen detyrat ndaj All-llahut, kur është në bollëk, ai me këtë vepër e ka njohur All-llahun dhe mes tij dhe All-llahut është krijuar një njohje e veçantë, andaj All-llahu ka për ta njohur atë kur të gjendet në vështirësi. Pra kjo njohje bëhet shkak që të shpëton nga vështirësitë dhe ngushticat kur ti dalin ato në rrugë.

 

Kjo njohje e veçantë mes njeriut dhe All-llahut shkakton afërsinë e njeriut me Zotin e vet, dashurinë e All-llahut ndaj tij dhe përgjigjen e lutjeve të tija.

 

Njohja e njeriut ndaj All-llahut është dy lloje:

 

– njohje e përgjithshme, e kjo domethënë konfirmim (ikrar), bindje dhe besim, dhe është për mbarë besimtarët;

 

– njohje e veçantë që domethënë animi i tërësishëm zemrës drejt All-llahut, ti përkushtohet Atij, të ndihet i gëzuar në shoqërimin e Tij, të qetësohet duke e përmendur, të ketë turp nga Ai dhe të ketë nderime të larta ndaj Tij. Kjo njohje e veçantë është ajo rreth së cilës rrotullohen gnostikët (arifun).

 

Disa prej tyre kanë thënë:

 

مساكين أهل الدنيا خرجوا منها وما ذاقوا أطيب ما فيها قيل له وما هو قال معرفة الله عز وجل

 

“Të ngratë janë njerëzit, kanë dalë nga dynjaja dhe nuk kanë shijuar më të këndshmen e saj. Thanë: cila është ajo gjë? Tha: njohja e All-llahut, azze ve xhel-le”.

 

Ahmed ibën Asim El-Antakiu ka thënë:

 

أحب أن لا أموت حتى أعرف مولاي وليس معرفته الإقرار به ولكن المعرفة إذا عرفته استحييت منه

 

“Dëshiroj të mos vdes derisa ta njoh All-llahun tim. Njohja nuk është pranimi i Tij por nëse e njeh turpërohesh nga Ai”.

 

Edhe njohja e All-llahut ndaj robit është dy lloje:

 

– Njohje e përgjithshme, që domethënë Dija e All-llahut për robin e Vet, Mbikëqyrja e gjërave që i mban sekret dhe ato që i publikon, sikurse ka thënë:

 

وَلَقَدْ خَلَقْنَا الإِنْسَانَ وَنَعْلَمُ مَا تُوَسْوِسُ بِهِ نَفْسُهُ وَنَحْنُ أَقْرَبُ إِلَيْهِ مِنْ حَبْلِ الْوَرِيدِ (16)

 

“Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij”. (Kaf: 16).

 

هُوَ أَعْلَمُ بِكُمْ إِذْ أَنشَأَكُمْ مِنْ الأَرْضِ وَإِذْ أَنْتُمْ أَجِنَّةٌ فِي بُطُونِ أُمَّهَاتِكُمْ

 

“…se Ai di më së miri për ju edhe para se t’ju krijojë edhe kur filloi krijimin tuaj nga dheu, e edhe kur ishit të fshehur në barqet e nënave tuaja…”. (En-Nexhm: 32).

 

– Njohje e veçantë, që domethënë Dashuria e Tij ndaj njeriut, Afrimi me te, përgjigjja e lutjes së tij dhe shpëtimi nga vështirësitë. Në këtë aludon ajo që transmeton Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nga All-llahu, azze ve xhel-le, në hadithin kudsi:

 

ولا يزال عبدي يتقرب إلى بالنوافل حتى أحبه فإذا أحببته كنت سمعه الذي يسمع به وبصره الذي يبصر به ويده التي يبطش بها ورجله التي يمشي بها ولئن سألني لأعطينه ولئن استعاذني لأعيذنه وفي رواية ولئن دعاني لأجيبنه

 

“Vazhdon robi Im të më afrohet me vepra vullnetare (nafile) derisa ta Dua. E kur ta dua, me Mua dëgjon, me Mua shikon, me Mua prek, me Mua ecë. Nëse kërkon diçka kam për ti dhënë e nëse kërkon strehim te unë do ta strehoj”. Në një transmetim tjetër qëndron: “nëse më lutet i përgjigjem”.

 

Kur iku Hasan Basriu nga Haxhaxhi, hyri në shtëpinë e Habib ibën Muhamedit. Habibi i tha: Ebu Seid, a nuk ke ndonjë gjë mes teje dhe All-llahut që t’i lutesh me të, e të fsheh prej tyre. Hynë në shtëpinë time. Hyri Hasan Basriu në këtë shtëpi, kurse pas tij erdhën edhe policia e Haxhaxhit, mirëpo nuk e gjetën në shtëpi. Kur u kthyen te Haxhaxhi dhe i treguan se nuk e gjetën te shtëpia e Habib ibën Muhamedit, Haxhaxhi u tha: ai aty ka qenë, mirëpo All-llahu ua ka mbyllur sytë e ju nuk e keni parë.

 

Fudajl ibën Ijadi u takua një ditë me Shavene, e cila dallohej me adhurimin e sajë dhe kërkoi prej saj që të lutet për te. E kjo ia ktheu: Fudajl, çka ke mes teje dhe All-llahut që nëse i lutesh Atij me këtë gjë Ai të përgjigjet. U alivanos Fudajli nga kjo fjalë.

 

Maruf Kerhiut i kanë thënë: çka të shtyn që të jepesh pas përkushtimit dhe adhurimit? Pastaj ia përmendën vdekjen, berzahun, xhenetin dhe xhehenemin. Marufi tha: Një Mbret që tërë këto gjëra i ka në Dorën e Tij, nëse ke njohje me Te të mjafton për çdo gjë”.

 

Në përgjithësi, ai që ndaj All-llahut ka devotshmëri dhe respekt kur është në bollëk, All-llahu do të sillet ndaj Tij me Butësi dhe ndihmesë kur të është në vështirësi.

 

Dahak ibën Kajsi, rahimehull-llah, thotë:

 

اذكروا الله في الرخاء يذكركم في الشدة

 

“Përmendne All-llahun kur jeni në bollëk që t’ju përmend Ai kur jeni në vështirësi. Junusi, alejhisselam, e përmendke shumë All-llahun, e kur ra në barkun e peshku, kurse All-llahu, azze ve xhel-le, tha:

 

فَلَوْلا أَنَّهُ كَانَ مِنْ الْمُسَبِّحِينَ (143) لَلَبِثَ فِي بَطْنِهِ إِلَى يَوْمِ يُبْعَثُونَ (144)

 

“E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin. Ai do të mbetej në barkun e tij deri në ditën e ringjalljes”. (Es-Saffat: 143- 144).

 

Faraoni ishte Tagut, diktator dhe mizor, kishte harruar përmendjen e All-llahut, mirëpo kur e kaploi uji nga çdo anë tha: besova All-llahun. All-llahu, tebareke ve teala, thotë:

 

أَالآنَ وَقَدْ عَصَيْتَ قَبْلُ وَكُنْتَ مِنْ الْمُفْسِدِينَ (91)

 

“Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve!” (Junus: 91).

 

Selman Farisiu, radijall-llahu anhu, ka thënë:

 

إذا كان الرجل دعا في السر فنزلت به ضراء فدعا الله تعالى قالت الملائكة صوت معروف فشفعوا له وإذا كان ليس بدعاء في السراء فنزلت به ضراء فدعا الله تعالى قالت الملائكة صوت ليس بمعروف فلا يشفعون له

 

“Nëse njeriu i lutet All-llahut vazhdimisht kur është në bollëk dhe kur ti bie ndonjë vështirësi i lutet All-llahut, melaqet thonë: ky zë është i njohur për ne dhe ndërmjetësojnë për te, kurse nëse njeriu aspak nuk i lutet All-llahut kur është në bollëk dhe kur ti bie ndonjë vështirësi dhe i lutet All-llahut, melaqet thonë: ky zë është i panjohur për ne dhe nuk ndërmjetësojnë për te”.

 

Një njeri i tha Ebu Derdasë: më këshillo! I tha:

 

اذكر الله في السراء يذكرك الله عز وجل في الضراء

 

“Përmende All-llahun në bollëk që të përmend Ai ty kur je në vështirësi”.

 

Gjithashtu tregohet se ai ka thënë:

 

ادع الله في يوم سرائك لعله أن يستجيب لك في يوم ضرائك

 

“Lute All-llahun në ditët e bereqetshme e ndoshta All-llahu të përgjigjet në ditët e vështira”.

 

Cila është vështirësia më e madhe?!

 

Vështirësia më e madhe që mund ti bie një njeriu në dynja është vdekja dhe ajo që vijon, nëse fundi i njeriut nuk është xheneti. Andaj besimtari duhet të përgatitet për vdekjen dhe atë që pason kur ka shëndet me devotshmëri dhe vepra të mira.

 

All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:

 

يا أيها الذين آمنوا اتقوا الله ولتنظر نفس ما قدمت لغد واتقوا الله إن الله خبير بما تعملون ولا تكونوا كالذين نسوا الله فأنساهم أنفسهم أولئك هم الفاسقون

 

“O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit”. (El-Hashr: 18- 19).

 

Ai që përmend All-llahun kur është i shëndoshë dhe në bollëk është përgatitur për takimin me All-llahun, azze ve xhel-le, është përgatitur për vdekjen dhe atë që pason. Atëherë All-llahu e përmend kur të është ngushtë dhe në vështirësi e është me te, me Butësinë, ndihmën, kujdesin dhe përforcimin e tij në Tevhid. Takohet me All-llahun, kurse All-llahu është i kënaqur me te. Kurse ai që e harron All-llahun kur ka shëndet dhe kur është në bollëk, ai nuk është përgaditur për takimin me All-llahun, andaj edhe All-llahu e harron në këto vështirësi që i biejnë mbi kokë. Domethënë e braktisë dhe e neglizhon.

 

Kur t’i vjen vdekja, besimtarit që është i përgatitur për te dhe ka mendim të mirë për Zotin e vet, atij i vijnë myzhde nga All-llahu, andaj edhe e dëshiron takimin me All-llahu, por edhe All-llahu e do takimin me te. Kurse e kundërta ndodh me njeriun e prishur. Në këto momente dhe çaste gëzohet besimtari me këtë myzhde që i vjen, kurse ai që s’ka punuar pendohet e thotë:

 

يا حسرتي على ما فرطت في جنب الله

 

“…O i mjeri unë që kam lënë mangët respektimin ndaj All-llahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!” (Ez-Zumer: 56).

 

Ebu Abdurahman Sulemiu para se të vdes ka thënë:

 

كيف لا أرجو ربي وقد صمت له ثمانين رمضان

 

“Si mos të kemë shpresë në Zotin tim, kur për Te kam agjëruar tetëdhjetë ramazane”.

 

Ebu Bekër ibën Ajashi, rahimehull-llah, në prag të vdekjes i ka thënë djalit të tij:

 

أترى الله يضيع لأبيك أربعين سنة يختم القرآن كل ليلة

 

“A mendon se All-llahu ka për t’ia humbur babës tënde katërdhjetë vitet ku për çdo natë bënte hatme Kur’anin”.

 

Adem ibnë Ijasi e bëri hatme Kur’anin në prag të vdekjes, pastaj tha:

 

بحبي لك ألا رفقت بي في هذا المصرع كنت آملك لهذا اليوم كنت أرجوك لا إله إلا الله

 

“Për dashurinë që kam pas ndaj Teje ji i Butë ndaj meje në këtë moment dhe në këto vështirësi. Kam pas shpresa të mëdha te Ti për këtë ditë, la ilahe il-lall-llah”. Pastaj vdiq.

 

Kur i erdhi vdekja Zekerija ibën Adijut i ngriti duart e tha:

 

اللهم إني إليك لمشتاق

 

“All-llahu im, më ka marrë malli për ty”.

 

Katadeja, rahimehull-llah, duke komentuar ajetin kuranor:

 

ومن يتق الله يجعل له مخرجا

 

“Ai që ka frikë All-llahun, ai atij i jep rrugëdalje”. (Talakujtk: 2), thotë:

 

Rrugëdalje nga vështirësia gjatë vdekjes.

 

Kurse Ibën Abasi, radijall-llahu anhu, ka thënë:

 

I jep rrugëdalje nga çdo vështirësi në dynja dhe ahiret.

 

Zejd ibën Eslemi duke komentuar ajetin kuranor:

 

إن الذين قالوا ربنا الله ثم استقاموا تتنزل عليهم الملائكة أن لا تخافوا ولاتحزنوا

 

“E, s’ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhenetin që u premtohej”. (Fussilet: 30).

 

Kjo myzhde i vjen gjatë vdekjes, në varr dhe kur të ringjallet. Ai do të arrij në xhenet, mirëpo lezeti dhe gëzimi i kësaj myzhde nuk do të zhduket nga zemra e tij.

 

Thabit Bunaniu, rahimehull-llah, thotë:

 

Kemi mësuar se kur të ringjallet besimtari nga varri takohet me dy melaqe, të cilët kanë qenë me te në dynja e i thonë: mos ke frikë dhe mos u mërzit. Atëherë All-llahu e siguron nga frika dhe i jep kënaqësi. Në këtë ditë kur shumë njerëz alivanosen nga vështirësia e kësaj dite, besimtari është në kënaqësi i sigurt, për shkak të udhëzimit të All-llahut dhe veprave të tija të mira që i ka bërë në dynja. (Shiko: “Xhamiul-Ulumi Vel-Hikemi”, 1/472- 477).

 

 

Bekir Halimi


 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit