5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Njeriu i mirë

Më të lexuarat

Më donte shumë, e unë shumë kisha dëshirë t’i dëgjoj këshillat e tij. Si çdoherë, lapsin e mbaja në dorë kur shkoja ta vizitoj, me qëllim të marrë ndonjë dobi prej fjalëve të tij. Pas një sprove që përjetova, më vërejti se më shkaktoi një dobësi në rrugën time. Duke mos dashur të më shikojë në këtë gjendje, m’i kishte përgatitur këshillat e tij. Duke qëndruar në dhomën e tij e duke më ardhur keq që të mos i pengoj më tepër, i kërkova leje të largohem, por me vete duke i marrë këshillat që m’i kishte bërë gati. Duke më uruar me të gjitha të mirat, më përcolli me një brengosje që lehtë dallohej në fytyrën e tij. Ashtu pa fjalë dhe vetëm me shikim u ndamë njëri prej tjetrit. Rruga m’u duk e gjatë dhe mezi prisja të vijë në shtëpi e të filloj leximin. Me të arritur u mbylla në dhomën time, ku letrën sa hap e mbyll sytë e hapa dhe fillova të lexoj: “Biri im! Çdo fillim është i vështirë ashtu sikurse çdo gjë që ka fund. Nga shkronja s’arrita të kuptojë asgjë, por kur i bashkova e arrita kuptimin e fjalës, e si rrjedhojë përmes Fjalës e njoha Atë që ishte para Fjalës, por që ne e njohëm nga Fjala. Çfarëdo që të punosh, ke nijetin e pastër dhe dije se nijeti është pasqyrë e brendisë sate. Njeriu i arsyeshëm më parë zgjedh dhimbjen se asgjënë, ngase dhimbja të jep një kahe në jetë ku e gjen rrugëdaljen.” Pas këtyre fjalëve, bëra një lloj pushimi të shkurtër. M’u kujtua sprova dhe durimi që m’u dashtë për t’i bërë ballë. Kur ke afër të mirin dhe sprova kalohet më lehtë.

 

Vazhdova aty ku ngela: “Kuptoje se më tepër flet heshtja në vetvete se sa gjuha në çaste vuajtjesh. Nëse me kalimin e kohës ndalesh të mendosh se të gjithë të cilët të nevojiten i ke përreth vetes, kuptoje se ai që të nevojitet më së tepërmi, të mungon. E kur në Tokë zbriti urdhri i parë nga qielli na mësoi se duhet të lexojmë për Atë që është në qiell me qëllim të mësojmë se si duhet të jetojmë në Tokë. Njeriu sa më tepër që të mësojë dijen, aq më tepër do ta kuptojë paditurinë e tij. Dije se të vendosh gishtin në kokë për të menduar s’është si të mendosh për gishtin që ke vendosur në kokë. Në çastin kur u përpoqa ta them dashurinë me fjalë, vërejta se nga zemra nuk doli tërë ajo që ndjehej, por kur desha vuajtjen ta shpreh, pashë se më tepër dolën fjalë se sa ajo që ndjehej.” Këtu e bëra pushimin e dytë, jo se nuk munda që të vazhdoj, por desha t’i jap pak shpresë vetes në rrugëdaljen e sprovës. Besimi është jastëku më i mirë për t’u mbështetur në rast kur dëshiron të shtrihesh, mendova me vete.

 

Për një copë herë, sërish vazhdova leximin: “Çdo frymor erdhi në këtë botë që të frymojë dhe të dijë qëllimin në frymën e ardhjes. Ai i pati sytë para se të shikojë, por shikimi iu mundësua vetëm kur arriti në vendin për ku ishte dedikuar. Është e vërtetë se s’duhet kujtuar koha e lumtur kur je në mjerim, por kujtimi i vuajtjeve kur je i lumtur, të bën mirë. Jeta në kohë më mësoi këtë, e unë dua këtë formë dije ta ndajë me ju: “Në jetë s’arrita ta shikojë veten as si fëmijë, e as sikur i rritur, por veçse i ndjeva dhimbjet e pleqërisë!” Çdo frymor do të jetojë aq sa i është caktuar, kurse jetën do ta kalojë me frymorin që i është caktuar ta ketë. Koha mund që të përkufizohet si nxënie e kohës kur je i nxënë me kohën. E njeriut meqë i kalon jeta, le ta kalojë me nder, se vetëm një fjalë i mbetet në fund, për këtë thuaje fjalën e mirë para se mirë të thuhet për fjalën!” Mbaruan këshillat e tij, por mua më mbeti t’i kthehem leximit të sërishëm. Shumë e ndieja veten të etur për fjalët e tij dhe e konsideroja të pangopur për këshillat që m’i jepte. Pas pak, vijoji leximi im i dytë.

 
Blerim Muhaxheri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit