-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Njeri, je gjëja më e bukur e kësaj bote

Më të lexuarat

Nga: Dr Aid Elkarnij

Njeri, je gjëja më e bukur e kësaj bote

Nuk ka gjë më të bukur në këtë botë, sesa ju o njerëz. Nuk ka gjë më të bukur mbi planetin tokë, sesa ju o njerëz. Në Kuran, Zoti i lartësuar thotë për ju:”Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit, i kemi mbartur në tokë e në det dhe i kemi furnizuar me të mira, i kemi favorizuar ndaj shumë krijesave të tjera.”
Ti o njeri je thesari më i shtrenjtë në këtë jetë, je më i shtrenjtë sesa xhevahiret e floririt dhe argjendit, se çdo krijesë tjetër. Ti je xhevahiri i këtij universi, prandaj mos ia humb vlerat vetes duke dalë kundër Zotit, duke kundërshtuar të dërguarit e Tij dhe duke refuzuar ligjet e Tij.
Ti o njeri je priviliegjuar me fjalën hyjnore, ku manifestohet përkujdesi i Zotit. Gjithçka në tokë të është nënshtruar për të shërbyer ty, detrat, lumenjtë, pemët, frutat, malet… të gjitha janë krijuar për të lumturuardhe kënaqur ty. Festivali i kësaj jete është organizuar për ty.
O njerëz, ne të gjithë jemi vëllezër, pasi ajo që na bashkon është humanizmi, ne jemi banorë të këtij planeti dhe ne të gjithë jemi stolia më e madhe e tij. Poeti Ilja Ebu Madi thoshte:
Njerëz të dashur, e bukur është kjo botë me ju
Shëmtia s’ka vend, përderisa u shoh mbi tokë, këtu.
E çfarë vlere do të kishte toka pa njerëz? Çfarë vlere ka pranvera, nëse nuk rrethohesh nga njerëz? Prandaj dhe njerëzit thoshin më parë:”Një tokë pa njerëz, nuk shkelet me këmbë.”
Edhe pse në parajsë, Ademi a.s u mërzit krejt i vetëm, prandaj dhe Zoti i krijoi gruan, Havanë, me qëllim që tek ajo të gjejë prehje. Ajo u bë prehja e Ademit a.s.
Pallatet pa njerëz janë varre, lulishtet pa njerëz janë shkretëtira, udhëtimi pa njeri është tmerr, jeta pa popuj është një greminë. Prandaj dhe Zoti na e ka bërë obligim që të njihemi me njëri-tjetrin, të bashkëpunojmë, të komunikojmë dhe të ngremë ura dialogu. “O njerëz, ne u kemi krijuar nga një mashkull dhe një femër, u kemi bërë popuj dhe fise që të njiheni. Më i fismi tek Zoti, është më i devotshmi.”
 
Lidhur me interpretimin e “që të njiheni”, thuhet: Që ta njohni njëri-tjetrin, të pranoni të drejtat karshi njëri-tjetrit dhe të mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. Gjithashtu, thuhet se ka të bëjë me të bërit mirë ndaj njëri-tjetrit, ta ndihmoni, ta vizitoni dhe ta motivoni njëri-tjetrin.
Vëllezër njerëz! Le të bashkohemi nën hijen e një bese të përbashkët, të mos adhurojmë zot tjetër përveç Krijuesit duke mos i shoqëruar rivalë, të mos i bëjmë padrejtësi njëri-tjetrit, të mos pushtojmë njëri-tjetrin, të mos përjashtojmë njëri-tjetrin, të mos vrasim njëri-tjetrin… Le të bashkëpunojmë për ndërtimin e një jete të bukur mbi tokë, për ndërtimin e një civilizimi me bazë drejtësinë, një qytetërimi vlerash, ku mungon padrejtësia, tradhëtia, mashtrimi, plaçkitja dhe banditizmi.
Hidhini armët nga duart dhe në vend të tyre mbani degët e ullirit, zëvendësoni bombat me bereqet, gjembat me trëndafila, hanxharët me lapsa, pushkët me libra. Le të jetojmë në paqe dhe siguri me vetet, familjet, fqinjët dhe kombet tona.
Po të kisha diçka në dorë, çmimin që iu dha inxhinierit rus që shpiku kallashnikovin, që ka vrarë miliona njerëz mbarë bote, do ia hiqja dhe do ia jepja Tomas Edisonit, shpikësit të llampës, e cila ndriçon gjithë botën.
Neve na lipset paqe, ushqim, dashuri, respekt, miqësi dhe harmoni, më shumë sesa lufta, vrasjet, konfliktet dhe polemikat.
“O ju që keni besuar, bëhun totalisht pjesë e paqes”
Le të hyjmë nën çadrën e paqes të gjithë. Islami erdhi për paqen, përshëndetja e tij është paqe, mesazhi i tij është paqe, takimet tona fillojmë me paqe. Prandaj, paqja e Zotit, mëshira dhe begatitë e Tij qofshin me të gjithë ju!
Xhon See Maxuell, në librin e tij të mrekullueshëm:”Fitorja me njerëzit” bën thirrje për të mos hapur luftra me njerëz, individë qofshin apo grupe, sepse në fund të fundit, do të jesh i humbur. Metoda e Kuranit është depërtimi në zemrat e tjetrit me mirësi. Thotë Zoti në Kuran:”Ktheje me atë që është më e mirë dhe do të shohësh se armiku do të shndërrohet në mik të ngushtë.”
Në dhomën time, mu mbi vendin ku fle, kam të shkruar:”dhe ata që vetëpërmbahen dhe i falin njerëzit”
Sa herë që lexoj ndonjë kritikë që më bëhet, ndonjë sharje dhe ofendim, më kujtohet ky pasazh i Kuranit dhe them me vete:”Zoti u faltë!”
Na duhet që të mirën që kemi brenda në zemra, ta kultivojmë dhe shtojmë. Nëse tjetri të afrohet një hap, afroju dhjetë hapa, nëse të zgjat dorën dhe ta shtrëngon atë, ti hidhju në qafë dhe përqafoje, nëse të përshëndet, ktheja me një përshëndetje më të mirë. Dil nga bahçja e urrisë, mllefit dhe smirës, për në bahçen e dashurisë, paqes, vëllazërisë dhe dëlirësisë. Shkuli gjembat dhe ferrat nga lulishtja e zemrës tënde dhe në vend të tyre mbill lule e trëndafila. Sa herë që të ofendojë ndonjë mendjelehtë, i thuaj “Paqe” dhe vazhdo rrugën. Paqja është parajsa e Zotit mbi tokë, është ajo ëndërr e bukur njerëzore, është besa e nderit mes individëve të shoqërisë njerëzore. Mu për këtë janë caktuar dhe çmime ndërkombëtare të mëdha për këdo që kontribuon në vendosjen e paqes dhe sigurisë në botë.
Erik Hofer, në librin e tij “Besimtari i sinqertë” thotë:”Ekzistenca individuale, edhe kur ka një kuptim, është e kotë, e pavlerë dhe e pakuptimtë. Ajo i ngjan më shumë mëkatit.” Më pas, ai bën thirrje për shpirt kolektiv, tolerancë dhe ndershmëri në komunikimin me njerëzit.
Sa prekës është qëndrimi i profetit Muhamed a.s me kreun e mynafikëve, Abdullah ibnu Ubej ibnu Selul, i cili kishte komplotuar kaq shumë për ta shuar dritën hyjnore dhe të dërguarin e Zotit a.s. “Nuk dua të flasin njerëzit dhe të thonë se Muhamedi vret shokët e tij” u tha atyre që e kundërshtuan aktin e tij fisnik.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit