Një fjalë e urtë e dikujt thotë se, njerëzit e mençur diskutojnë idetë, ata që janë më poshtë merren me ngjarjet, e ata që janë akoma më poshtë merren me emra njerëzish.
Sigurisht janë njerëzit ata që prodhojnë ngjarje, dhe janë po njerëzit që prodhojnë idetë, kështu që marrja me njerëzit dhe ngjarjet është e pashmangshme, por ndërkohë ka një dallim të madh të merresh me njerëzit për shkak të ideve të tyre dhe të merresh me ta për shkaqe apo arsye personale. Të kritikosh idetë edhe nëse përmend emra njerëzish, je marrë me idetë e tyre dhe jo me vetë personat.
Ka njerëz të cilët edhe pse stisin apo përçojnë ide të kritikueshme në publik, nuk durojnë dot t’i kritikosh idetë e tyre, dhe në mënyrë të vetëdijshme ose jo kritikën ndaj ideve të tyre, edhe kur bëhet pa iu përmendur emrat, e marrin si sulm personal dhe në vend që të mbrojnë idetë që kanë dhe të debatojnë me argumente për kritikën që i bëhet, fillojnë e ankohen emocionalisht duke prekur audiencën se i është cenuar nderi, dhe se po sulmohen personalisht, duke mënjanuar kështu vëmendjen nga ajo që është më e rëndësishme sesa vetë personi i tyre, e që janë idetë që u thonë masës. Me këtë veprim ata kërkojnë të bëjnë për vete audiencën dhe miqtë e tyre, të cilët përgjithësisht janë shumë të ndjeshëm ndaj lëndimit personal, dhe gjithashtu largojnë vëmendjen nga thelbi i debatit, duke vazhduar në këtë mënyrë të mbrojnë idetë e tyre përmes mbrojtjes së emrit personal!
Kështu që të mbrosh veten kur sulmohesh personalisht dhe të mbrosh idetë duke mbrojtur veten, janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Idetë nuk janë njerëz edhe pse përçohen dhe burojnë prej tyre, ndaj dhe ato nuk mbrohen me emrat njerëzisht, kushdo qofshin ata, sepse nëse idetë do të ishin njerëz ato do vdisnin bashkë me ta. Kështu që në fakt reagimi emocional i disave për të mbrojtur veten kur u sulmohen idetë, është ose dobësi emocionale e vetë personit ose dobësi e vetë idesë, ose të dyja bashkë.
Nëse vetë idetë janë të dobëta dhe personat që i përçojnë ato nuk e përballojnë debatin rreth tyre, atëherë është e turpshme dhe e pandershme njëkohësisht që t’i qurraviten publikut, për të mos e humbur atë, duke mbrojtur veten dhe idetë e tyre njëkohësisht.
Sigurisht që kur i themi këto kemi në mendje emra konkretë, por ngaqë fokusi nuk janë ata vetë si persona, edhe nëse ndonjë ditë do të detyrohemi t’i përmendim me emra, por idetë e tyre të kritikueshme që u përçojnë publikut, atëherë si ata si ndjekësit e tyre me zemër të dobët bëjnë mirë të bëhen më të ftohtë në gjykim dhe arsyetim dhe t’i nxjerrin në plan të dytë emocionet e lëndimit të sedrës së tyre të brishtë.