Njerëz dhe vegla
Doan Dani
1. Tempulli i ri
Në fundin e vitit 1963. «Me kenë se unë, siç e dini edhe ju, jam i verbët, pa asnji të ardhun e as ndihmë prej kuej, me rastin e pushimit nga puna mbetem shumë keq ekonomikisht, për arsye se nuk jam në gjendje me krye kurrfarë punet tjetër vetëm se shërbyes në xhami. I dëshpruem nga ky komunikim, prap se prap mbetem me shpresë se lutja ime do të merret parasysh dhe do të keni mirësin që të mos më leni pa sigurue të pakten buken e gojës». Kështu i drejtohej KMSH-së, tashmë tërësisht në morsën e shtetit, «Hafiz Riza Myrto Mani, shërbyes si mezin në xhaminë e Rusit Maxharr», për të mos i ndërprerë «shpërblimin prej 1000 lek» (të vjetra) në muaj. Ai bashkë me Hafiz Qazim Rakiqin, gjithashtu i verbër, erdhën në vitet ’90 si të vetmit hafizë, të paktën në zonën e Shkodrës, të mbijetuar nga deflagracioni totalitar, për ta dëshmuar vazhdimësinë e traditës – pa akte heroizmi homerik – dhe aftësinë e njeriut për të konservuar dinjitet, një vete reale koherente e mbi të gjitha njerëzillëk edhe në kushte ekstreme.
Katër vjet më vonë. Një foto emblematike e nëntorit të 1967, e qarkulluar gjithandej në aparatin propagandistik të kohës, fikson të verbrin Fuat Çela teksa shkruan fjalën Parti nën shikimin taumaturgjik të Enver Hoxhës. Është apoteoza e spektaklit ngashënjyes me personazhin Fuat Çela që në atë çast merr pjesë në përmbylljen e procesit të transformimit – të nisur, publikisht, disa muaj më parë, gjatë zellit aksionist në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier – përmes shenjimit të logosit Parti, hyjnesha imanente, e cila shpesh herë shoqëron nënën biologjike në tekstet për fëmijë (ku babai biologjik është në deflacion dhe rolin e tij e mbulon Udhëheqësi), ilustrohet me rreze diellore, me dritën e pishtarit dhe, në raste endemike, përfytyrohet me trajta femërore, siç e përshkruan pensionisti lezhjan Mark Mula, i cili, ndonëse i dëshpëruar nga pamundësia për t’iu përgjigjur pozitivisht zërave (të zemrës) «çohu mos rri, marsho me punëtorët», ndjehet i lumtur që «nuk vdes me marak», sepse fëmijët e tij «ngelen me një babë akoma ma të mirë dhe me një nanë gji pashterrun për ta: me Partinë, me Enverin» (Mark Mula, Edhe zemrat e ne pleqve tingëllojnë me kohën, tingëllojnë si gjithnjë të reja, «Bashkimi», 24.11.1967). Dhe Demiurgu i Shqipërisë së Re, disa ditë para momentit solemn të dëshmisë publike që shndërron Fuatin në shokun Fuat, konkretisht përmes një letre të datuar më 15 nëntor, demonstron tek i riu nga Vërzhezha gjithë fuqinë hyjnore të Partisë, pa aliazhin ‘dhé e pështymë’ (Gjoni 9:6-7): «Ti, shoku ynë i shtrenjtë Fuat pa sy, ndjen, mendon, lufton dhe shikon me ndjenjat, me mendjen, me stilin luftarak dhe me syrin shqiponjë të partisë sonë» (Përpara, me vullnetin e partisë, me mendjen e kthjelltë të partisë, me sytë e ndritshëm të partisë, «Bashkimi», 15.11.1967). Nga ana tjetër, në letrën e tij, datuar 10 nëntor – për t’u nënvizuar është ekspozimi i letrave në gazetë: letra e Hoxhës, megjithëse përgjigje e një letre pararendëse, është pozicionuar lart, gjë e cila transmeton parësinë e liderit dhe përparësinë e kumtit –, Çela i premton Udhëheqësit pikërisht mposhtjen e handikapit fizik, e jo më kot propaganda e ditëve në vijim e vendos atë brenda një narrative vepruese: merr pjesë në mbledhje, “shkruan” fletë-rrufe, diskuton, këndon «këngë lufte e pune» dhe sigurisht punon (Edhe pse pa sy, ti je ushtar i pararojës, je një flamur për të gjithë, «Bashkimi», 23.11.1967).
2. Armata Brancaleone
Euforia kolektive vërshon nga të gjitha skajet dhe shtresat e humusit shqiptar. «Invalidët e portit detar të Durrësit shkruajnë: “[…] kemi shumë për të mësue nga shembulli heroik i shokut tonë Fuat, të cilin dielli i shkëlqyeshëm i partisë sonë dhe mësimet Tueja e bënë ushtar heroik e të papërkulur për çështjen e socializmit […]. Trembëdhjetë nga ne filluan menjëherë punën në ngarkim-shkarkim […], të tjerët nga ne do të punojnë vinxhjera në vaporë, në punë bujqësore dhe në punë të tjera konkrete”» (Akti i Shkurte Pal Vatës dhe vullneti i të riut Fuat Çela po shtojnë vrullin dhe entuziazmin e punonjësve, «Bashkimi», 28.11.1967). «E si të mos kërkojmë ne të shkojmë në frontet më të vështira, i shtrenjti shoku Enver», shkruan një grup të rinjsh nga Gjirokastra, «kur shikojmë punën dhe luftën që bën Fuat Çela, që është trim mbi trimat, se është pa sy, në një kohë kur ne jemi të fortë e të shëndetshëm» (Shembulli i të rinjve revolucionarë Shkurte Pal Vata dhe Fuat Çela, burim frymëzimi për të gjitha masat dhe rininë e vendit, «Zëri i Popullit», 24.11.1967). Në Kukës, një pensionist 68 vjeçar premton se do ta «mposht pleqërinë»; në Mjedë (afër Shkodrës), kryetarja e kooperativës Prenusha Lleshi krenohet me 300 ditët e punës të regjistruara nga një bashkëfshatar i saj «invalid me një këmbë»; një traktorist nga Librazhdi deklaron se do të punojë «edhe natën, po të jetë nevoja», dhe krahas punës (ditën e natën) zotohet se «do të mbarojë edhe shollën 8-vjeçare» (në një dimension kohor përtej natës e ditës), ashtu si blegtori nga kooperativa e Spathares, i cili, përveç përfundimit të shkollës, «me vullnetin për t’i dashur dhentë», i mbrujtur nga shembulli i shokut Fuat, zotohet «të rrisë përqindjen e lindjeve nga 85 në 97» (ATSH, Mësimet jetëdhënëse të partisë po rritin e shtojnë çdo ditë heroizmin e masave, «Bashkimi», 22.11.1967). Megjithëse i është propozuar të punojë «me ditë pune fikse, si roje fushe apo roje magazine», ngaqë ka humbur dorën e majtë në fëmijëri, Shaban Taragjini nga Shinapremjta e Gramshit refuzon dhe kërkon të aktivizohet «në prashitje, në mbjelljen e patateve, në vaditje, në plehërimin e tokës», e me këtë vrull, vetëm brenda 8 muajve të 1968, regjistron «240 ditë pune» (Shembulli i lartë i një të riu revolucionar, «Zëri i Popullit», 23.01.1969).
Rrungaja me ithtarë të verbër, të gjymtuar, me një këmbë në varr ose pa këmbë fare, pa shëndet, pa arsim, pa kallo në duar ose pa duar fare, me të cilën bymehet ushtria revolucionare e Njerëzve të rinj apo të rinuar nga biopolitika e regjimit, të transporton sa në atmosferën e Kryqëzatës së V (1217) – kur legati Robert i Courçon ftonte «fëmijë, pleq, gra, gjytyrymë, qorra, shurdhë e të gërbulur» për t’u shëruar e shëlbuar në Tokën e Shenjtë –, sa në parodizimet e shumëfishta të Mario Monicelli-t. Është përgjigja reale e pyetjes që, nga letra dërguar Çelës, Hoxha injekton në vetëdijen e çdo «të madhi e të vogli»: «Kur i verbri Fuat Çela, me vullnetin e tij të çeliktë, zbaton në mënyrë të mrekullueshme vijën e partisë dhe korr rezultate të mahnitshme, atëherë ç’duhet të bëj unë që i kam sytë në vend?». Unit nuk i mbetet tjetër veçse të konformohet, sipas devotshmërisë së ideal-tipit Fuat, dhe të verbohet, sigurisht nga ekstaza për dritën, siç ndodhi me Nikollë Çekajn, i cili, «kur u bë elektrifikimi i plotë i vendit më të skajshëm të Atdheut tonë të dashur, Kelmendit malor, mori pushkën e kandilin dhe doli në qendër të fshatit ku ishin grumbulluar i madh e i vogël për të festuar së bashku festën e dritës […], vendosi kandilin afro 100 metra larg dhe», pasi e mori në shenjë, «e qëlloi tri herë radhazi», ndërsa «gojë të këqija e përqeshën duke i thënë se tash po të duhet kur të prishen dritat», por «Nikolla ua sqaroi të gjithëve se kur e thonë fjalën Partia dhe shoku Enver nuk e luan as topi», dhe për më tepër «Partia ka thënë ta vrasim errësirën, siç e vrava» (Sokol Pepushaj, Dritë është jeta jonë, «Jeta e Re», 13.10.1984).
Mes errësirave të vrara ishte domosdo edhe feja, bashkë me klerin dhe vendet e praktikës publike të saj, deri në ndalimin përfundimtar (de facto në 1967, de juro në 1976). Mënyra e parë, më e natyrshmja për fitimtarët në pushtetet e dala nga gryka e pushkës, është eliminimi, si në rastin –real, demagogjik a simbolik – e kandilit. Mënyra e dytë është asgjë-simi: «fesë i kemi thyer këmbë e duar, por duhet t’i thyejmë edhe kokën», titullohet kapitulli i një artikulli (1970) të Hulusi Hakos. Si në sferën e objekteve ashtu edhe në atë të subjekteve shprehet me zhdukje të pranisë dhe dëshmisë fizike (rrafshim, varrim i zëvendësuar nga groposja). Zhvarrosja dhe hedhja e eshtrave të Atë Gjergj Fishtës në lumë është ndër ilustrimet më të skajshme, sepse kemi të bëjmë me dhunim të varrit, të cilin eksperienca e njerëzimit e ka brendësuar e trashëguar në formë arketipale si tabu. Në narrativen e pas 1990 – për të sajuar sinonimi, mes heronjsh të lavdishëm apo mes fazash historike të demonizuara – rasti i Fishtës është krahasuar me rastin e Skënderbeut, por ajo çka mëton të përçojë Marin Barleti me zhvarrosjen e heroit – duke e marrë për të vërtetë këtë pjesë së apologjisë së tij – është tërësisht e kundërta: tjetërsimi në një masë reliktesh adhurimi, siç ndodh(te) në traditën kishtare që Barleti përfaqëson. Më afër rastit të Fishtës, edhe pse shumë herë më i sofistikuar, është Sinodi i kufomës, organizuar në 897 nga papa Stefano VI për të ndëshkuar paraardhësin e tij, i cili kish vdekur prej disa muajsh. Formoso u zhvarros, u vesh dhe u stolis me të gjitha salltanetet, u pajis me një avokat diakon dhe, mes një auditori me kardinalë e ipeshkëv në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, u akuzua për ambicie e uzurpim të fronit papnor. Pasi e shpalli kufomën fajtore, gjyqi e dënoi me heqje të rrobave zyrtare, me prerje të tre gishtërinjve të dorës së djathtë dhe me flakje në lumin Tevere. Elementi që i shtohet këtu degradimit në asgjë është poshtë-rimi i të mundurit nga fitimtari, megjithëse, zakonisht, historia dëshmon për shembuj antagonistësh akoma në jetë (Çezari ndaj Verçinxhetoriksit, Timuri ndaj Bajazitit I).
Të njëjtin rezultat, natyrisht pa spektaklin e këtij gjyqi, synon rrafshimi i varrezës myslimane të lagjes Zdrale (Shkodër), me qëllim ngritjen e stadiumit (një pjesë u shtri mbi prona private), dhe tjetërsimin e gurëve të varreve në shkallë-ndenjëse: ekzistenca në këtë rast, e materializuar te memoria që përçojnë varret, tolerohet vetëm sepse i nevojitet mekanizmave të poshtërimit. Dhe esenca e lënies së Hafiz Rizait në vegjetimin «për bukën e gojës» është tjetërsimi i tij në vegël (siç është Çela në kahun tjetër), me të cilën synohet poshtërimi i trashendencës, fillimisht në ambientin publik (feja) dhe pastaj në atë individual (besimi). Kështu ngadhënjyesi mund ta shpalosë triumfin me pyetjen cinike: ku është Zoti yt? «Po si shpjegohet që tamam “vendet e tija të shenjta” dhe njerëzit e tij “të besuar” kërcënohen nga perëndia, dhe për t’u ruajtur nga ajo kanë kërkuar ndihmën e njeriut dhe shkencës duke vënë rrufepritëse?», pyet gazeta Zëri i Rinisë në komentin – botuar më 1961 me titull Vendet “e shenjtë” kërkojnë mbrojtjen e njeriut kundër “zotit” – e fotove të xhamisë së Et’hem Beut dhe të kishës ortodokse në Tiranë. Përgjigjet e këtij cinizmi fillojnë me ndajfoljen pra. Ilariteti në sallë është i garantuar: «Ti u matufepse fare Zeus / Ti me rrufe akoma gjuan qytetet / Megjithëse rrufetë e tua / Me anë të rrufepritësave / Njerëzit i kapin / […] Dhe Vullkani / Përgjegjësi “NISH prodhimit rrufeve” / Vështron si mundohet zoti i tij / […] Dhe prapë gjuan Zeusi / Me rrufetë, armë të demoduara / Por ti, o gjenerata ime, qesh dhe qesh / Grindet Zeusi / Por shumë plak është Zeusi / Ndaj s’ia vëmë vesh» (Ismail Kadare, Shënime për brezin tim, «Zëri i Rinisë», 4.02.1961). Në fakt kulmimi i komikes është vetë simulakri njerëzor ‘shoku Fuat’, kallëpi i çdo-gjëkafshe tjetër të fabrikuar nga biopolitika taumaturgjike e regjimit, ndërsa Fuati mbetet personazhi mbase më tragjik.
3. Shija e metaforës
Dy personazhet qendrorë te “Bij të tokës”, punim i Dhimitraq Trebickës në 1976 (në një pullë poste prej 25 qindarkash tabloja emërtohet “Zotër të tokës”), pozojnë, natyrisht të gëzuar, mbi dheun e përmbysur nga traktorët në sfond, përpara një sofrabezi të begatë – plot fruta, pije, gjellë e duhan. «Vrull i ri në punë për të plotësuar para afatit detyrat dhe zotimet» është titulli slogan i gazetës më propagandistike të regjimit, të cilën ekspozon mesoburri në të majtë, nga pozita simbolike e atit, e ruajtësit dhe e përçuesit të Ligjit, të fjalës, të drejtimit, të rendit, teksa i riu përbri, në momentin e prerjes së bukës industriale të shtrënguar fort në gji, shoqëron me po aq patos kënaqësinë – e dhuruar nga plastika e fytyrës – për planet që janë duke u realizuar, prej ku lexohet garancia e prosperitetit të Tokës socialiste, çka përbën edhe qëllimin kryesor të piktorit. Gjithçka paraqitet në përcjellore: dy personazhet duke veguar, traktorët duke lëruar, fëmijët duke luajtur, ca njerëz thellë në sfond duke punuar, shtylla e tensionit të lartë duke ndriçuar (!), ashtu si vetë atdheu. Pothuajse gjithçka, sepse akti i të ushqyerit, më i pritshmi në këtë ikonografi, refuzohet nga një ngrirje në çastin që sapo duhej të fillonte: megjithëse përballë një sofrabezi të begatë dhe pas një pune të lodhshme, askush nuk është duke ngrënë.
Funksioni metonimik i ushqimit karakterizon imazhin dhe narrativen e propagandës dhe historisë sakrale (Lufta çlirimtare, nga lashtësia deri në 1939-44, dhe Lufta për ndërtimin e socializmit). Në këto kontekste të sakralizuara nga politika, e vjetra, e ndryshmja, e huaja, armiku apo Tjetri në përgjithësi e komunikojnë të keqen edhe përmes ushqimit. Jemi mësuar me imazhin ose përshkrimin e ballistit, beut, pashait, pushtuesit, tradhtarit, feudalit, kapitalistit e jo pak herë të klerikut të dhjamosur, që jepet pas kënaqësive trupore. «Tradhtarët e vatanit [ballistët] / Vijnë rreth hotel Ballkanit [Vlorë] / Shuan verën e dyqanit / Vozat e Pavlo Bezhanit», thoshte një rimë, me gjasë e viteve të Luftës së Dytë Botërore (Jorgo Panajoti, Humori dhe satira popullore gjatë luftës nacional çlirimtare, «Pionieri», n. 6, 1972, f. 11). Sali Protopapa, me të cilin Dritëro Agolli rrënjosi ballistin ideal në memorien kolektive shqiptare, ka të paktën meritën e standardizimit të fjalës kukurec. Nga episodet e shfaqjes së ushqimit në filmin Skënderbeu, vetëm njëri i përket kategorisë ‘Ne’, dhe aty është i pashmangshëm sepse, përveç simbolit të mikpritjes, plotëson atmosferën e dasmës së vetme të filmit. Në shumicën e vjershave satirike të Bik Pepës në librin Feja lakuriq, botuar në 1967, antiheronjtë (gjithmonë klerikë) parodizohen duke flirtuar me ushqimin (e jo vetëm). Edhe te Kështjella e Ismail Kadaresë vetëm armiku përshkruhet në aktin e të ushqyerit, megjithëse në këtë rast, përveç barbarizimit të Armikut, synohet tëhuajsimi i çdo reminishence të tij. Piro Misha është dhe më i qartë. «Më thoshte mua im atë, ndjesë pastë, kur turqit pushtuan qytetin tonë, e di ti se ç’ishte gjëja e parë që bënë? […] Morën tërë vëren që gjetën, nga ishte nga s’ishte, e derdhen dhe vaditen me të udhët e dheun, aq sa s’të zinte syri gjë tjetër veçse pellgje vere, që dukej si gjak […]. E po atë mbrëmje, që thua ti, turqit kishin nxjerrë në shesh të qytetit ca kazanë të mëdhenj të mbushur me pilaf e i kishin detyruar të gjithë ç’ishin, me të mëdhenj e me të vegjël, të kalonin vargan para tyre e të hanin pilaf» (Piro Misha, Për mallin e tokës, 1981, ff. 63-64).
«Njeriu i parë u dëbua nga Parajsa […] për shkak se iu nënshtrua barkut e jo Zotit», mendonte Shën Jeronimi (Massimo Montanari, Alimentazione e cultura nel medioevo, 2012, f. 4). E megjithëse e konsideronte të ushqyerit si portë vesesh për shpirtin, ai nuk ia mohonte domosdoshmërinë, por këshillonte agjërimin, si rrugë afrimi me Zotin. Modeli heroik i Njeriut të Ri shqiptar e shpie në ekstrem këtë praktikë: ai është përherë agjërueshëm. Është imunizuar nga dëshira dhe nevoja. Njeh vetëm detyra e zotime. Shpersonalizimi – një nga tiparet më karakteristike të historisë dhe historiografisë shqiptare – ia ka reduktuar individualitetin tek emri dhe e ka shndërruar në koordinatë, specifike në pozicion por e njëjtë në përmbajtje: të gjithë riprodhojnë shokun Fuat të radhës dhe anasjelltas; të gjithë jetojnë për të punuar dhe përmes punës shprehin devotshmërinë, ndryshe nga njeriu i anatemuar si i vjetër i cili njeh dhe pranon limitet, punon për të jetuar dhe jeton duke adhuruar. Imuniteti ndaj nevojave, i shprehur nga indiferenca ndaj të ushqyerit dhe ndaj limiteve fiziologjike (mosha, funksionet trupore), e ka tjetërsuar edhe në trajtat njerëzore. Dilema e Primo Levit nëse kish mbetur ose jo (moralisht) njeri në eksperiencën e kampit të përqendrimit këtu thjeshtohet te bios-i. A është biologjikisht njeri i verbri që nga 30 ditët e një muaji punon 47, që këtë angazhim e quan lumturi, që sapo kthehet në shtëpi në darkë, pasi ka kaluar më parë nga vatra e kulturës, i gëzuar i kërkon së motrës t’i lexojë «ca pjesë nga fjalimi i shokut Enver në Kongres» (Edhe pse pa sy, cit.)? A është njeri bariu që zot-ohet se «nga çdo dele do të sigurojë një qengj»? Patjetër që ky bios merr kuptim në një regjim me obsesionin e nënshtrimit të Natyrës.
4. Shpata dhe garuzhda
«Unë i peshoj mirë forcat e mia dhe kam parasysh madhësinë e punës dhe lëndën e gjerë për t’u shkruar, e cila do të duhej të trajtohej nga një penë më me fat dhe do të kërkonte, siç u dëgjua të ankohej dikur për veten e tij Aleksandri, një lavdëtar më bilbil se unë», shprehet disi me dëshpërim Marin Barleti në Hyrjen e epopesë së Skënderbeut. Këtë mangësi e përmbush, paradoksalisht, historiografia zyrtare, e cila tejkalon edhe imagjinatën mitologjike të rilindësve, duke prodhuar një simulakër të njerëzores, që lidhjen me mitin e ruan vetëm te funksioni (themelues, kundërperfaqësues, modelues). Me fjalë të tjera, Skënderbeu – gjithmonë duke qëndruar në piedestalin e Heroit – sa më shumë që i largohet punishtes së Barletit aq më pak ngjan njerëzor. Edhe kur përshkruan gjeste heroike, në limitet e të besueshmes, Barleti e ruan, me ose pa vetëdije, dimensionin njerëzor.
Një pasazh polisemik i narratives barletiane mund të shkëputet nga ngjarjet e 1443, aty ku nis epopeja, kur Skënderbeu rilind. «Fuqitë e krishtera ishin gjithashtu të rëndësishme si nga numri, si nga trimëria e ushtarëve dhe e komandantëve; ata kishin 35 mijë luftëtarë. Veç këtyre, me ta ishte edhe Huniadi […]. Por trimërisë së tyre ia preu hovin puna që pjesa më e madhe u shtri nga një sëmundje e papandehur, për shkak se ushtarët, ngaqë u mungonte buka, ushqeheshin me grurë të zier e ky farë ushqimi u shkaktoi një të hequr çurkë të barkut». Si rrallëherë Barleti i jep hapësirë (edhe) ushqimit, madje në një dualizëm: nga njëra anë lufta si mjet i ekspozimit të vendosmërisë, trimërisë, virtytit, vlerave, e nga ana tjetër ushqimi si mjet i mbijetesës; lavdia dhe banalja, shpirti dhe trupi, ideali dhe nevoja, sakralja dhe profania. E nëse filtri kërkon një dualizëm qytetërimesh, me barbarinë përherë nga Orienti, ç’gjurmë qytetërimi mund të rrezatojë kampi i këtejmë? Jo vetëm që funksionet organike janë pranishme, por kanë forcë që t’i kushtëzojë vlerat, ngjarjet dhe historinë. A nuk ndodhi që njeriu i parë, në traditën e Barletit, prej mollës zbuloi seksualitetin dhe njëherësh u flakërua nga Edeni? Episodi është fshikullues për një historiografi të qepur pas gjesteve në limitet e njerëzores: për pak sa Huniadi i lavdishëm nuk dështon, dhe bëhet fjalë për një pëgërje të «papandehur», që do të përmbyste të dy Atletët, edhe të saporilindurin Skënderbe. Është gjithashtu një leksion epistemologjik për historianin shqiptar të mësuar me armatosjen e llogoreve me sisteme vlerash, virtytesh e idealesh, me reduktimin e burimeve te shpatat, me zhdoganime shifrash absurde (sa tenxhere e ustallarë lipsen për 400 mijë ushtarë?). Ja që nevojitet edhe ushqimi, që mjafton edhe pak grurë e ujë për ta ndryshuar historinë, e jo më kot politika e jashtme e Skënderbeut dhe shtrirja e autoritetit të tij në Arbëri u kushtëzuan nga burimet materiale.
Parë nga një këndvështrim psikoanalitik, Skënderbeu i historiografisë shqiptare, praktikisht imazhi (i tij) dominues në imagjinatën tonë kolektive, del nga procesi i fabrikimit me një handikap, pasi i mungon Idi (Esi), shprehja psikike e nevojave pulsionale. Për mënyrën sesi prezantohet sot ky produkt, pamundësohet kategorikisht formimi i fjalive pyetëse me përemrat çfarë apo cili/cila dhe imponohet pjesorja ‘a’: A hante bukë Heroi? A kishte marrëdhënie seksuale? A kishte ndjesi ndaj dhimbjes/kënaqësisë? A kishte emocione? A kishte dëshira? A kishte nevoja? Përkundrazi dhe ironikisht, kjo formë pyetëse është e pakuptimtë për mitet, pikërisht sepse ata i jetojnë pulsionet, dëshirat, emocionet.
Në mungesë të Idit, ose tërësisë së pavetëdijes, impersonales, alogjikës, amoralit, mungesës së kategorive e mira/e keqja, Uni, i cili në shpjegimin frojdjan duhej të kishte pozita ndërmjetësuese, ekspozohet vetëm ndaj presionit të Mbiunit, ose sistemit të vlerave, që njeriu formon me brendësimin gradual të imponimeve (rregulla, limite, shtrëngime, ndalime) prej autoriteteve të jashtme (familja, shkolla, shoqëria, shteti etj.). Historiografisë i është dhënë ky pushtet nga një regjim që kërkonte modelin atavik të përsosur për Njeriun e Ri, dhe ajo ka përmbushur zotimin duke i imponuar personalitetit të Skënderbeut sistemin e saj të vlerave e nevojave, e për rrjedhojë ai figuron i imunizuar nga kënaqësia, dëshira, frika, zemërimi, egoizmi, gabimi e deri nga domosdoshmëritë trupore (nevojat). Edhe kur, para ca kohësh, qarkulloi një “lajm” rreth pranisë së muzikës në “oborrin” e Skënderbeut, menjëherë pasioni i tij i pretenduar u përdor si lluburdinë e dëshirave të subjekteve që zelli për të dëshmuar Europë (në vend të Parti) i ka verbuar logjikën, çka në fakt evidenton leximin dhe selektimin funksional të historisë, apo, më tej akoma, parimin e ‘vetëflijimit për ideale’, me të cilin çdo altoparlant i regjimit mëtonte paralizimin e egos së Njeriut të Ri.
Vërtetë u dogj e u rrënua Arbëria, por rezultati nuk identifikohet si dështim – a mund të infektohet i pagabueshmi? –, përkundrazi është akt sublim sepse shpëtuam qytetërimin. «Shiko», i thotë Xhani, «të janë djegur vetullat», dhe Lej Feni vetëmohues ia kthen me krenari se «nuk ka gjë më të mirë se sa kur shuhet zjarri dhe nuk dëmtohet pasuria e shtetit» (Niko Mitrushi [përkth.], Lej Feni. Biri i mirë i popullit punonjës, 1965, f. 93). Edhe ideal-tipi i Njeriut të Ri kinez sfidon ligjet e Natyrës: kur Je-i pyet Lej Fenin «e veshur hollë» nëse kishte «të ftohtë», ai i përgjigjet se «unë e kam provuar që kur bëj një të mirë për të tjerët, edhe sikur të bëjë pak ftohtë, më duket se nuk është ftohtë» (f. 55). Cili lexues, qoftë sadopak, i Skënderbeiadës zyrtare mund ta imagjinojë Heroin kombëtar në spazmat nga acari apo uria? Duke iu përshtatur çarjes permanente të historisë – përherë dhe të gjithë – me shpatë në dorë, individualiteti dhe personaliteti i Skënderbeut kanë përfunduar në një frakturë pikërisht me historinë dhe njerëzoren, për t’u shndërruar sipas maketit dhe njëkohësisht në maketin karikatural të projektit ‘Njeriu i Ri’.