Një letër kërcënuese ku thuhej “Muslimanët duhet të digjen të gjallë” i është dërguar Xhamisë Omer Ibn Al-Khattab në Almere të Holandës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në llogarinë e xhamisë në median sociale u njoftua se xhamia është sulmuar tri herë në gjashtë vitet e fundit.
Në postimin e xhamisë thuhej se kësaj here një letër kërcënuese është dërguar në xhami. Në letër qëndron deklarata e mëposhtme:
“Muslimanët janë fajtorë dhe duhet të digjen të gjallë. Të gjitha xhamitë duhet të digjen. Të gjithë marokenët dhe turqit duhet të largohen nga vendi, ose do të mbyten me gaz si hebrenjtë në Aushvic. Rroftë Fitorja (Sieg Heil). Adolf Hitleri është akoma gjallë”.
Siç njoftohet, xhemati i xhamisë është frikësuar nga përmbajtja e letrës kërcënuese dhe ka pyetur se edhe sa do të zgjasnin këto kërcënime.
Mediat lokale raportuan se drejtuesit e fondacionit të xhamisë janë ankuar në polici dhe se policia po heton incidentin.
Sipas raportimeve, javën e kaluar, në shumë xhami u dërguan zarfe me pelena, fleta të grisura të Kuranit dhe karikatura të Profetit Muhamed.
Po ashtu javën e kaluar, Xhamia Esselam në ndërtim e sipër që i përket Shoqatës Islame Marokene në qytetin Gouda pësoi dëme pasi një agresor 40-vjeçor i vuri flakën.