Mesazhet e kancelarit austriak para një turi ballkanik
Kancelari austriak Karl Nehammer të enjten do të qëndrojë për një vizitë njëditore në Serbi, ku dëshiron të përcjellë qëndrimin e Austrisë se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë derisa të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor,.
“Ne nuk duhet ta lëmë këtë rajon, i cili është i rëndësishëm për Evropën, në fqinjësinë tonë të afërt, tek aktorët e tjerë si Rusia dhe nuk do të lejojmë destabilizimin e atij rajoni. Është e rëndësishme për mua, veçanërisht tani duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, të vizitoj Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ai në një deklaratë.
Ai përkujtoi, në prag të vizitës së tij në Beograd, se Austria është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë dhe se më shumë se 400 kompani austriake kanë ofruar 22 mijë vende pune në këtë vend ballkanik.
“Në Serbi, pra, do të theksoj se BE-ja do të jetë e plotë vetëm kur të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor. Austria ishte dhe mbetet mbështetëse e Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Nehammer.
Vizita në Sarajevë dhe Prishtinë
Pas Beogradit, Kancelari austriak do të udhëtojë për në Sarajevë dhe Prishtinë, ku do të vizitojë edhe kontingjentin austriak të KFOR-it, i cili numëron 274 ushtarë. /tesheshi.com/