Ish-kryeministri i Italisë Silvo Berluskoni u dënua në një proces në instancën e parë me një vit heqje lirie. Gjykata e gjeti atë fajtor në akuzën e nxjerrjes së informacioneve sekrete lidhur me një skandal financiar.
Ish-kryeministri mund të apelojë ndaj vendimit. Ai megjithatë do të vazhdojë të jetë në gjendje të lirë deri në ezaurimin e të gjitha instancave gjyqësore. Kjo procedurë mund të zgjasë me vite.
Gjykata mbështeti akuzën e prokurorisë. Kjo pati kërkuar para një viti dënimin me një vit burgim për nxjerrjen në publik të rezultateteve të një hetimi të fshehtë.
Proces për përgjim telefonatash
Në këtë rast bëhet fjalë për përpjekjen e blerjes së bankës BNL nga shoqëria e sigurimeve Unipol në vitin 2005. Hetuesit e akuzojnë Berlusconin, se i ka dhënë gazetës “Il Gironale” hollësitë e një telefonate të përgjuar. Kjo gazetë i përket vëllait të tij Paolo. Ky i fundit u dënua për publikimin e këtij informacioni me dy vjet e tre muaj heqje lirie. Në bisedën e përgjuar siç duket nga hetuesit politikani i majtë Piero Fassino e ka inkurajuar ish-shefin e Unipol-it Giovanni Consorte për blerjen e një banke. Shoqëria e sigurimeve Unipol është e afërt me partinë e qendrës së majtë PD, e cila ishte kundërshtarja më e fortë e Berlusconit. Consorte u dënua për tregti favorizuese me aksionet në procesin e blerjes së bankës. Megjithatë BNL në fund u ble prej bankës franceze BNP Paribas.
Për Berlusconin ky është i dyti dënim në intancën e parë në dy procese të kryera brenda pak muajsh. Ai u dënua me katër vjet burg për evazion fiskal, ndërkohë që kjo çështje po shqyrtohet në instancën e apelit.
Ndaj milanezit të diskutueshëm dhe manjatit të medias vazhdojnë edhe procese të tjera, më spektakolari është ai për rastin “Ruby”, ku bëhet fjalë për marrëdhënie seksuale me prostituta minorene dhe abuzim në detyrë. Në këtë proces vendimi i instancës së parë pritet në mars. Në Itali një dënim hyn në fuqi, pasi i dënuari t’i ketë kaluar të gjitha instancat gjyqësore.