2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Një vështrim i përgjithshëm mbi Islamin dhe xhamitë në Shqipëri

Më të lexuarat

Një prezantim i xhamive kryesore në qytetet Shqiptare (në këtë numër prezantojmë xhaminë e madhe të Durrësit, numrin tjetër atë të Et’hem Beut, e me radhë)

“Kontaktet e para të shqiptarëve me Islamin janë provuar të jenë relativisht herët në shekujt e mesjetës. Për shkak të pozitës gjeografike, Shqipëria u frekuentua shumë prej misionarëve turq dhe arabë, pa marrë parasysh nëse kjo ishte për qëllime tregtie, fetare apo ushtarake” (Zekaj, 2010).  Islamizimi i shoqërisë shqiptare pësoi një rritje progresive, sikurse pasqyrohet në zakonet e shoqërisë dhe nga arkitektura e ndërtesave.

Xhamitë kanë qenë vendi më i rëndësishëm për shumicën e shoqërisë muslimane, për të përfaqësuar zhvillimet kolektive politike, ekonomike dhe kulturore të muslimanëve në Shqipëri.

Ato ishin pikë kryesore për mësimet e Islamit dhe u konsideruan si bazë e formimit të shoqërisë muslimane, duke qenë se xhamitë luajtën rol jo vetëm në plotësimin e shërbesave fetare për njerëzit, por kishin ndikim domethënës në zhvillimin e përgjithshëm të komunitetit. Që në fillim xhamitë shërbyen si vende për lutje, meditim, udhëzime fetare, vend i diskutimeve politike (kujtojmë se në xhaminë bajraktari ështe mbajtur mbledhja e Prizrenit në vitin 1878) dhe vende të të mësuarit (shumë xhami shërbyen si vatra dijesh për shumë studentë shqiptarë, sidomos gjatë kohës së okupimit Sllav, ku përpjekje të jashtme u munduan të futnin fjalë të huaja në fjalorin shqiptar).

Ndërsa sot, fatkeqësisht roli i xhamive është kufizuar në kryerjen e faljeve të përditshme dhe të disa aktiviteteve të tjera fetare. Në këtë shkrim do prezantohemi me një vështrim rreth Xhamisë së Madhe të Durrësit; historiku, arkitektura, funksionet e saj sot, dhe a luan ajo rol domethënës në shoqërinë e qytetit.

Xhamia e Madhe e Durrësit

Xhamia e Madhe e Durrësit, e cila qëndron krenare në mes të qytetit, u projektua nga arkitekti Valcov dhe u sponsorizua nga Ymer Lushakaj, një musliman praktikant i qytetit të Durrësit. Ndërtimi i saj filloi në vitin 1931 dhe u përurua në vitin 1938. Në vitin 1973 xhamia u përdor si monument kulture nën regjimin komunist. Minareja u hoq dhe frekuentohej kryesisht nga studentët e shkollave të mesme për të dhënë shfaqje kulturore. Më pas, në vitin 1979, ajo u shkatërrua nga një tërmet, vetëm në vitin 1993 u rikthye përsëri në funksionin e mëparshëm si xhami. Xhamia e Madhe është e rrethuar nga ndërtesa të rëndësishme kulturore dhe politike, të tilla si amfiteatri i Durrësit, Bashkia e Durrësit, teatri “Aleksadër Moisiu” dhe Muzeu Arkeologjik.

Funksioni që ofron xhamia sot është kryesisht falja e namazeve 5 herë në ditë. Falja e xhumasë, teravive gjatë muajit Ramazan, falja e  namazeve të Bajrameve. Xhamia përbëhet nga 2 hollet kryesore të faljes. Ajo e meshkujve mund të zërë afërsisht rreth 1000 adhurues. Gjatë namazit të Bajramit përdoret edhe sheshi përballë xhamisë, meqenëse numri i besimtarëve e tejkalon kapacitetin e xhamisë.

Në katin e sipërm, pranë hapësirës së hollit të femrave, ndodhet një klasë, e cila përdoret kryesisht për mësime feje. Përveç këtyre aktiviteteve xhamia ofron dhe konsulta për publikun. Imami është në dispozicion 5 herë në ditë për të dëgjuar problemet që dikush mund të ketë hasur dhe të mundohet ta ndihmojë sadopak. Nikahu është një aktivitet që kryhet më shpesh në këtë xhami dhe kryesisht lidhja e nikahut kryhet tek holli kryesor i xhamisë. Xhamia posedon dhe 2-3 dyqane nën varësinë e saj, dy prej të cilëve i ka lëshuar me qira (dyqan rrobash dhe fastfood). Kjo ndihmon sadopak në gjenerimin e të ardhurave për xhaminë.

Arkitektura

“Xhamia e Madhe ka një stil kryesisht evropian, ndryshe nga xhamitë e tjera në Shqipëri ku dominon stili turk ose vendas” (Hysa, R. A., 2008). Ndoshta origjina e arkitektit Valcov ka bërë që ai ta përziej dizajnin modern me formë të thjeshtë, ngjyra të lehta dhe pak dekorime tek minareja. Në atë periudhë stili italian dominonte kudo në shumë tipologji ndërtesash, kjo ka bërë që dhe Xhamia e Madhe e Durrësit t’i përshtatet kohës dhe stilit të asaj kohe. Sipas arkivave, xhamia e parë ka qenë e gjitha me ngjyrë të kaftë të hapur, por pas rinovimeve ngjyrat e jashtme u zëvendësuan me të bardhë dhe të verdhë.

Kolonat dorike rrethojnë xhaminë nga pamja kryesore dhe janë bërë prej betoni me bazë të rrumbullakët dhe të suvatuara me të bardhë në krye të tyre. Materialet e përdorura variojnë nga betoni, tulla, gurë për dyshemenë dhe disa kolona, deri tek materialet drusore dhe plumbi (për kubenë).

Nuk ka asnjë dekoracion të rëndë në muret e jashtme dhe të brendshme të xhamisë. Pjesa e brendshme është shumë e qetë dhe mbizotëron harmonia e thjeshtësisë. Në sallën kryesore të faljes dekoracionet e vetme janë kangjellat prej druri në zonën e faljes për femra dhe gjithashtu mobiliet brenda sallës. Disa piktura janë të varura në muret e sallës kryesore të faljes. Dritaret janë prej druri me dy kanate me hark me majë. Dyert kryesore janë të gjitha prej druri me dy kanate të zbukuruar me kangjella çeliku në krye të tyre.

Përmbledhje

Në mbyllje mund të përmbledhim se, ashtu sikurse në çdo vend tjetër edhe në Shqipëri, xhamitë kanë patur rolin e tyre jo vetëm për të rritur ndienjat fetare të njerëzve, por edhe zhvillimin e tyre të përgjithshëm. Xhamia e Madhe e Durrësit  kishte dhe ka një rol shumë të rëndësishëm në shoqërinë e qytetit. Vendndodhja e saj në mes të qytetit e bën atë të qëndrojë si një vend social për shoqërinë e Durrësit. Arkitektura e saj ka mahnitur jo vetëm qytetarët e Durrësit, por ajo mirëpret vizitorë nga Shqipëria dhe jashtë vendit.

Së pari, vetë themelimi i saj është i lidhur me komunitetin e qytetit, pasi ai është sponsorizuesi i xhamisë. Bazuar në të dhënat e mbledhura dhe intervistat e kryera kuptohet se xhamia i ka shërbyer vazhdimisht shoqërisë për shërbimet e saj shpirtërore, si faljet e përditshme dhe veprimtaritë e tjera fetare. Gjatë regjimit komunist ajo shërbeu si një qendër kulturore. Kështu ajo kontribuoi drejt zhvillimit kulturor të shoqërisë. Përveç kësaj ajo është përdorur edhe nga Këshilli Musliman për të mirëpritur mysafirët e ndryshëm. Xhamia organizon seminare dhe konferenca të ndryshme që përfshin jo vetëm komunitetin mysliman, por dhe atë jomusliman. Për shkak të mungesës së hapësirave në kompleksin e xhamisë, administrata duhet të marrë me qira salla jashtë xhamisë për evenimente të mëdha.

Megjithatë, duke parë nevojat kryesore të shoqërisë shqiptare, shërbimet e ofruara në ditët e sotme në xhami janë kryesisht të kufizuara për shoqërinë muslimane. Nga pikëpamja e drejtorit të Myftinisë Durrës, z. Redin, Xhamia e Madhe e Durrësit nuk ka shumë ndikim në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë, sidomos asaj jomuslimane. Sipas këndvështrimit të tij, muslimanët ditët e sotme janë të izoluar në ishullin e tyre dhe nuk guxojnë të përfshihen plotësisht me pjesën tjetër të shoqërisë. Në qoftë se xhamia do të kishte hapësira të bollshme për evenimente sociale, kulturore dhe do kishte një kurrikulum të pasur dhe gjithpërfshirës për çdo kategori të shoqërisë, atëherë ajo do të inkurajojë myslimanët jo praktikues apo dhe jomusliman të jenë të mirëpritur në xhami përmes aktiviteteve të saj, sidomos ditët aktuale, ku shumica e shoqërisë është e fragmentuar drejt traditave perëndimore.

Ky shkrim është një përmbledhje shumë e shkurtër e prezantimit në konferencën e Art Univeristy of Isfahan, Iran, Mars 2013. Qëllimi i këtij shkrimi ishte prezantimi i disa xhamive dhe Islamit në Shqipëri. Duke analizuar më në detaje rolin e xhamive sot, planifikimin dhe se si arkitektët duhet të propozojnë ide kreative që xhamia të ketë rolin e një qendre shoqërore dhe jo vetëm rol fetar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit