Surja 113: El Felek (mekase) 5 ajete
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
1. Thuaj: “Kërkoj strehë te Zoti i agimit,
2. Prej dëmit të çdo krijese, që Ai krijoi,
3. Dhe prej errësirës së natës, kur ajo shtrihet (në Tokë),
4. Dhe prej dëmit të atyre (magjistareve) që lidhin dhe fryjnë nyja,
5. Dhe prej dëmit të smirëkeqit, kur ai zileps.”!
Shpjegimi i ajeteve
Allahu i Lartësuar na mëson se si të kërkojmë ndihmë, strehim, mbrojtje, ruajtje nga çdo sherr që na kanoset. Ai na urdhëron që të kërkojmë ndihmën e Tij, duke thënë:
“Thuaj: “Kërkoj strehë te Zoti i agimit,..” –
Domethënë, i drejtohem për ndihmë, mbrojtje, strehim ose ruajtje Allahut. Ne porositemi që t’i drejtohemi për ndihmë, mbrojtje, strehim ose ruajtje Allahut, që quhet edhe Rabbul feleķ – Zoti i agimit. Eshtë Allahu që e bën të çelë agimin. Është Ai që e bën farën të çelë dhe të mbijë, prandaj vetëm Atij lutjuni, që t’ju ruajë nga çdo e keqe që i druheni!
“…Prej dëmit të çdo krijese, që Ai krijoi,…”
Kjo përfshin të gjitha krijesat e Zotit. Pra, Allahu i Lavdëruar na mëson që të kërkojmë mbrojtjen dhe ruajtjen e Tij nga sherri i të gjitha krijesave të Tij: i njerëzve, i xhindëve, i kafshëve etj. E ku mund të gjesh ruajtje dhe strehim prej sherrit të krijesave, më mirë se te Krijuesi i tyre?! Pasi i përmendi në përgjithësi krijesat prej të cilave duhet të ruhemi, Allahu i Lartësuar veçon disa prej tyre. Ai thotë:
“…Dhe prej errësirës së natës, kur ajo shtrihet (në Tokë),…” –
Allahu i Lartësuar na mëson që t’i kërkojmë Atij strehim dhe mbrojtje, që të na ruajë nga e keqja që shfaqet në botë kur atë e mbulon nata e errët, sepse kjo është koha kur përhapen më shumë shpirtrat dhe krijesat armiqësore. Natën përhapen në tokë edhe shumë kafshë dëmtuese dhe sulmuese.
“…Dhe prej dëmit të atyre (magjistareve) që lidhin dhe fryjnë nyja…”
Allahu i Lartësuar na mëson që të kërkojmë ndihmë dhe strehim tek Ai që të na ruajë prej sherrit dhe dëmit që sjellin magjia dhe magjistarët, të cilët kryejnë dhe përgatisin magjitë e tyre duke fryrë nëpër nyje.
“…dhe prej dëmit të smirëkeqit, kur ai zileps.”
El Hâsidu është smirëziu apo ziliqari, ai i cili dëshiron që tjetrit t’i largohen mirësitë. Ai përpiqet që ta privojë tjetrin nga mirësitë me ç’të mundë dhe me çdo mënyrë. Kështu pra, edhe kjo është një e keqe, prej së cilës mund të ruhesh dhe t’i shpëtosh veçse duke kërkuar strehim tek Allahu i Lartësuar, Zoti dhe Krijuesi i gjithçkaje. Vetëm me ndihmën Allahut mund t’i mposhtim kurthet dhe dëshirat dashakeqe të këtyre smirëzinjve të mjerë. Në të njëjtën mënyrë, duhet trajtuar me kujdes edhe e keqja që vjen nga syri i keq, sepse mësyshi shkaktohet zakonisht prej dikujt që është i ngarkuar me smirë dhe urrejtje për tjetrin. Kjo sure përmban porosi të mrekullueshme për t’u ruajtur dhe për t’i shpëtuar sherrit të çdo krijese në përgjithësi, edhe të atyre që janë përmendur në mënyrë të veçantë. Gjithashtu, kjo tregon se magjia është diçka reale, e cila dëmton me të vërtetë. Ajo është një e keqe, që, për t’i shpëtuar, duhet të kërkosh ndihmë dhe strehim vetëm tek Allahu i Lartësuar.
TEFSIRI I SA’DIT