3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Një shkrim nga një “ngelës”

Më të lexuarat

Meqë studentët u bënë sebeb për të hapur shumë diskutime, si një “ngelës” me dy universitete doja të thoja nja dy gjëra rreth arsimit, ngeljes dhe kapitalit njerëzor:
1) Fillimisht rreth fakultetit të parë të cilin e kam me rezultate të mira, pa ngelje asnjëherë. Kështu si unë, në të njëjtin fakultet kanë qenë dhe janë me dhjetëra djem të mirë shqiptarë, por të cilët me ardhjen e ndrikull Nikollës në ministrinë (të cilën ajo e shndërroi në të) ç’Arsimimit pësuan një goditje të pakuptimtë: Diploma e fakultetit të Medines u zhvlerësua, nuk njihet më nga kjo ministri.
Para disa vitesh (para kësaj qeverie harbute), falë një marrëveshjeje të ratifikuar në parlament me shtetin e Arabisë Saudite për njohje reciproke të diplomave, diplomat e Medines njiheshin në nivelin Master shkencor, nivel i dytë (pra të gatshëm për studime doktorature, nëse dikush dëshironte).
Mirëpo kjo gjë nuk i shkonte për shtat sektit gyleno-sorosian, ndaj u vunë në lëvizje nëpërmjet një pedagogu të universitetit El Bedr, i cili punësohet si këshilltar pranë ministrisë në seksionin e vlerësimit dhe njohjes së diplomave.
Fillimisht hoqën njohjen me titullin Master shkencor duke e lënë thjesht Bachelor.
Së fundmi, prej mbi një viti apo më shumë, nuk njihet më si e vlefshme. Pra, 5-6 vite studime të vajtura dëm (apo dhe më shumë sepse ka djem që tashmë kanë doktoruar atje apo janë në prag doktorimi).
E gjitha kjo për teka sektesh okulte, që imponohen për t’i orientuar njerëzit tek një universitet privat i cili synonte të monopolizonte orientimin fetar nëpërmjet kuadrove që vetëm ata mund t’i “formojnë” siç duhet.
Kjo është një nga krimet e katolikes Nikolla ndaj djemve shqiptarë muslimanë të arsimuar aty ku kanë dashur sipas zgjedhjes së tyre.
Formula gylen-soros në aksion.

Por u them: As nuk na bëni dot me turp për zgjedhjen tonë, as nuk na zhvlerësoni dot mundin dhe kontributin.

2) Fakultetin e dytë, të Ekonomikut e kam me lëndë ngelëse.
Kjo për disa arsye:
Padyshim më kryesorja mungesa e kohës për tiu përveshur të gjithave dhe angazhimet e shumta.
E dyta, por goxha e rëndësishme, është ekzistenca e disa lëndëve në një trajtë të papërshtatshme, të vjetëruar, dhe që nuk përputhen me ndërtimin e profilit të një menaxheri efektiv.
Psh Matematika e avancuar, me problema të supozuar, që skanë zbatime praktike dhe që shpeshherë zgjidhja e tyre është nuli apo absurdi.
Informatika e cila në degën administrim biznesi trajton gjuhën e programimit, ndërkohë që fare mirë mund të trajtonte teknika dhe metoda të reja marketingu nëpërmjet teknologjisë, apo rëndësinë e informatizimit në biznesin e sotëm dhe aplikimet e ndryshme, etj.
Të gjitha këto lëndë të kombinuara me disa “karrakatina” mbetje të komunizmit që kanë lëshuar rrënjë në ato lëndë dhe mburren me numrin e pakët të studentëve që kalojnë në lëndën e tyre (madje kanë rivalitet mes tyre kush kalon më pak në semestër).
Dikush tjetër mund të ketë dhe arsye të tjera për të qenë ngelës në ndonjë apo disa lëndë, ku një ndër to mund të jetë dhe pagesa e tarifës për të cilën duhet të punojë aq sa të mos jetë në gjendje të ndjekë studimet i qetë në vazhdimësi.
Vitet e fundit tarifa arriti sa trefishi i pagës minimale. Pra, një prind duhet të sakrifikojë tre muaj pagë mininale (siç paguhen shpeshherë shumë prindër) për njërin fëmijë, dhe t’i lërë të tjerët pa bukë në shtëpi.
Në të tilla kushte t’u shtosh dhe barra të tjera financiare, me provime, kredite, etj është jo njerëzore.

Për mua ka qenë eksperiencë e çmuar fakulteti ekonomik nga i cili mendoj që kam përfituar atë që kisha si synim: Një formim të përgjithshëm menaxherial.

Aty kam mësuar nga një profesor i nderuar se:
Aseti më i çmuar i një kompanie apo organizate është faktori njerëzor, si dhe njëkohësisht kapitali më fleksibël dhe më produktiv tek i cili referohemi gjithnjë në raste krizash apo mungesash.
Gjithashtu në një shoqëri njerëzore kapitali i saj më i çmuar janë rinia e arsimuar, të cilët në asnjë rast nuk duhen nëpërkëmbur, as neglizhuar, e aq më tepër të anatemohen apo sulmohen. E kundërta duhet të ndodhë, të pyeten çfarë i shqetëson, çfarë sugjerojnë, të stimulohen, të orientohen drejt tregjeve të punës duke përmirësuar cilësinë e arsimit që ofrohet, duke e kombinuar me strategjinë qeverisëse afatgjatë, trendin e zhvillimit ekonomik, sektoret e reja dinamike, etj.
Patjetër, përmirësimi rrënjësor i sistemit të akomodimit të studentëve, zhdukja e nepotizmit në fakultete (2, 3 apo 4 anëtarë të rrethit familjar në një fakuktet apo universitet), metodat aplikative të mësimdhënies, zbritja në terrenin e punësimit me shembuj të prekshëm, etj do jepnin efekt pozitiv në vlerësimin e këtij aseti shoqëror, që dje u tubua për të treguar veten se është aty pavarësisht injorimit apo topitjes droguese që kërkohet t’u imponohet.

Mos u mërzisni po ngelët në ndonjë provim universiteti, luftoni të merrni provimin e jetës, të jeni të suksesshëm në këtë botë, pa harruar më të rëndësishmen: suksesin e botës tjetër.

Mos lejoni t’u kompleksojnë të pandershmit, as t’u nëpërkëmbin ata që kanë shkelur nëpër poste në mënyrë të pamerituar

Respektoni djersën e prindërve tuaj për t’u shkolluar

Respektoni lodhjen dhe mundin tuaj

Jini optimistë dhe jepni kontributin e periudhës më produktive të jetës tuaj, në shërbim të vetes, familjes dhe shoqërisë ku bëni pjesë

Mos u bëni horra dhe as mos bëni pakte me horrat pasiqë punësoheni

Në emër të Zotit lexoni, me mbështetje te Ai veproni, për të mirat falënderoni, dhe nga erdhët e për ku jeni nisur mos e harroni

Me respekt
Një “ngelës” si ju

Shuajb Rexha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit