0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Një “sahabie” në kohët moderne

Më të lexuarat

Ajo çfarë i dallonte gratë sahabie (bashkëkohëse të Profetit a.s.) nga gratë e tjera ishte pikërisht thellësia e besimit të palëkundur në zemër, dashuria për Zotin dhe mishërimi i virtyteve më të larta hyjnore në moralin dhe karakterin e tyre. Ato merrnin pjesë në vendime të rëndësishme shoqërore, i këshillonin vazhdimisht bashkëshortët e tyre për të mos devijuar nga e drejta dhe kujdeseshin për të sëmurët, të varfrit dhe jetimët në shoqërinë e tyre. Ato nuk i pengonte asgjë për të arritur kënaqësinë e Zotit. Ishin të devotshme, të sinqerta, të thjeshta, të ndershme e besnike. Disa prej tyre shquheshin edhe në fusha të veçanta si poezi, mjekësi dhe dituri fetare. Nuk kishin drojë të pyesnin për çështjet e fesë, sepse ishin të etura për të njohur Zotin e Madhërueshëm, për fenë e Tij dhe kjo i bënte krenare e shëmbëlltyrë të modelit më të lartë femëror gjer në ditët tona. Ato ishin simbol i sakrificës sublime dhe i dashurisë njerëzore.

Njëra prej tyre ishte Zejnebja, nëna e besimtarëve, e cila thuhet se vdiq në moshën 35 vjeçare. Ajo kujdesej aq shumë për njerëzit e varfër dhe në nevojë saqë mori nofkën “Nëna e nevojtarëve”. Njëherë, kur Aishes, gruas së Profetit a.s. i kishin dhuruar 100 mijë dërhem, ajo kishte nxituar t’ua shpërndante të varfërve, duke mos mbajtur asgjë për vete, por atë ditë ajo kishte qenë agjërueshëm dhe dikush e kishte pyetur se pse nuk kishte harxhuar të paktën një dërhem për të ngrënë iftar. Ajo i kishte thënë se as nuk i kishte shkuar ndërmend diçka e tillë. Ato ishin gra me shpirt të madh, kishin lidhur besën me qiellin, për t’i shërbyer përunjësisht njerëzve mbi tokë dhe nuk shpresonin të arrinin gjë tjetër veç kënaqësisë së Gjithëmëshirshmit.

A ka ende gra të tilla sot, pas më shumë se 1400 vitesh? Gra me shpirt të madh, të gatshme të bëjnë sakrifica të mëdha për hatër të Zotit? Ndoshta mund të ketë gra bamirëse, të pasura, të cilat kanë mundësi të dhurojnë prej asaj që u ka dhuruar Zoti, por gra të varfra, që nuk kanë as të ardhura minimale dhe përpiqen të ndihmojnë të tjerët, nuk gjenden lehtë. thonë se njerëzit e vuajtur janë ata më të fortët dhe më të guximshmit. Atyre nuk u ka ardhur e lehtë jeta, megjithatë kanë mësuar ta bëjnë atë të lehtë, kanë mësuar të gjejnë forcë dhe gëzim edhe në momentet më të errëta të saj.

Ajo është një grua me shtat të imtë, me sy të mëdhenj si dy pika kafeje në qumështin e reve të bardha, me një fytyrë të çelur, ku shquhen vijat e holla të vuajtjeve dhe brengave të jetës së saj të vështirë, por me një lëvizje buzësh ajo fytyrë e fisme merr papritur një pamje diellore e gazmendëse, teksa sytë e rrumbullakët bojëkafe përthithin vështrimin e bashkëbiseduesit e tok me fjalët balsam mbjellin shpresën dhe shtojnë besimin e tij. Quhet Lindita Lamaj dhe ashtu siç lind drita e diellit në qiellin bojëtrëndafili të agimit, duke larguar nga pak errësirën, edhe ajo bën të lindë drita e shpresës në zemrat e të tjerëve, duke larguar nga pak errtinë e trishtimit.

Ishte viti 2001 kur ajo u drejtua te libraria islame pranë sahatit në qendër. Në bisedë e sipër me librashitësin besimtar ajo u njoh me historinë e Hamit Dojkës, i cili jetonte i izoluar nga njerëzit e tjerë bashkë me gruan dhe tre fëmijët e paralizuar në majën e një kodrine në Baldushk të Tiranës. Dikush duhej të merrte përsipër amanetin që nipi i tij emigrant i kishte lënë të njohurve të tij besimtarë. Ai i kërkoi pikërisht Linditës që të merrte përsipër këtë amanet e të kujdesej për këtë familje. Ajo mendon se ishte caktim i Zotit që besimtari i librarisë i kërkoi pikërisht asaj të merrte përsipër kujdesin për familjen e mjeruar. Ajo tregon: “Ai më dha një foto për të parë gjendjen e tyre, për të bërë përçapje. Në atë fotografi lexova shumë dhe më erdhi ndërmend ajeti kuranor, ajeti 273 i sures Bekare, “(Jepni) Për të varfrit që janë të angazhuar në rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të gjallërojnë në tokë, duke qenë se ata nuk lypin… Ata i njeh nga pamja e tyre, por nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit…”. Ky ajet më dha forcën që mora iniciativën dhe fillova me ndihmën e Zotit”, – shprehet ajo.

Në vitet 98-99 Lindita ka qenë vullnetare për seksionin e gjuhës shqipe në radiotelevizionin egjiptian të radio Kajros. Ajo bënte pasqyrimin e aktiviteteve që bëheshin në Shqipëri, sidomos gjatë periudhës së eksodit kosovar. Lindita është angazhuar edhe më parë në ndihmë të njerëzve në nevojë përmes punës së saj si një aktiviste vullnetare në rrugë të Islamit përmes gazetës “Drita Islame”. Dëshira për të dërguar sa më shumë lajme si korrespondente në radio Kajro e nxiti të bënte intervista me njerëz të rëndësishëm dhe të kishte kontakt me ta.

Ajo tregon se sa shumë ishte prekur nga fjalët e Xha Hamitit kur e kishte takuar herën e parë, aq sa i kishte ngelur si një gozhdë në zemër, e zemra i kishte ndjerë një peshë që nuk e kishte provuar ndonjëherë. “Moj bijë, a ke mundësi të më zbresësh poshtë?” – i kishte thënë ai. Ndërkaq gruaja e tij, Nënë Bihanja, me ta dëgjuar kishte ndërhyrë: “Kjo do të na bëjë me shtëpi ne? Kjo pesë fije rrésht ka!” – I dhashë një premtim Xha Hamitit se do të shkoja njëherë në muaj për t’i parë dhe i thashë: “Vërtet jam e dobët, por qëllimin e kam të shëndoshë”. Qëllimi im brenda vetes ishte i tillë, sepse nijetin e kisha për Zotin, siç thotë hadithi i Profetit a.s. “Veprat shpërblehen sipas nijetit…”

Ajo më tej tregon se shkonte njëherë në muaj për t’u dërguar atyre ndihma dhe donacione që arrinte të siguronte nga besimtarë zemërmirë dhe fondacione bamirësie.

Vështirësia për të ishte tejet e madhe, si në verë ashtu edhe në dimër, sepse pas rrugëtimit me autobusin e linjës së Baldushkut, i duhej të ecte gati një orë në këmbë dhe pjesa më e vështirë ishte ngjitja në kodër. Për gati 7-8 vjet Lindita është kujdesur për këtë familje, duku iu gjendur asaj pranë në çdo nevojë, duke u shndërruar gati në një bijë për ta. Teksa e shihte këtë familje të mjeruar në një gjendje aq të vështirë me tre fëmijë të rritur të paralizuar, ajo nuk kishte zemër të hiqte dorë nga misioni që mori përsipër. Ajo tregon sa shumë peripeci ka hequr për të kryer me sinqeritet dhe besim te Zoti këtë mision human. Një familje me të cilën nuk e lidhte asgjë, veç keqardhjes dhe mëshirës për ta. “Unë i kam respektuar si të ishin prindërit e mi, sepse ne si myslimanë duhet të mëshirojmë të tjerët që të na mëshirojë Zoti”, tregon ajo me bindje.

Kalvari i vështirësive të saja nuk ka të sosur, njësoj si edhe mundimet e familjes të cilës përpiqej t’i gjendej pranë. Kësaj familjeje, përveç vuajtjeve dhe varfërisë së skajshme, iu shtua edhe dhimbja e vdekjes së fëmijëve të sëmurë, të cilët ndërruan jetë çdo dy vjet. Lindita ka jetuar për vite me dhimbjen e këtyre dy prindërve të përvuajtur dhe ka kryer me përkushtim të plotë një mision fisnik, që rrallëkush e bën sot, mu si të ishte një sahabie. Ajo rrëfen se kjo histori u kthye sa në një sfidë aq edhe në një aventurë të rrezikshme për të. Njëherë teksa po ecte në këmbë për te familja në fshat u kafshua papritur nga një qen i rastit dhe iu desh të kërkonte ndihmën e kalimtarëve për ta shpënë në destinacion, vetëm e vetëm që të çonte në vend amanetin, një donacion të vogël që ishte mbledhur nga besimtarë të ndryshëm.

Në vitin 2007, falë angazhimit personal të Linditës dhe sensibilizimit të këtij rasti në xhematet e xhamive të Tiranës, u sigurua shuma e nevojshme për ndërtimin e një shtëpie të re rrëzë kodrës, pranë familjeve të tjera, po në të njëjtin fshat. Misioni i saj u krye. Ata u bënë me shtëpi.

Edhe pse vitet kanë kaluar, Lindita vazhdon të sigurojë herë pas here ndihma dhe shuma të vogla për çiftin e vetmuar duke i vizituar ata në rastet e festave fetare apo dhe duke sensibilizuar të tjerët për ta.

Kurban Bajramin e kaluar unë së bashku me zonjën Lindita dhe punonjëset e Zyrës së Gruas pranë Komunitetit Mysliman ishim për një vizitë në shtëpinë e thjeshtë të familjes Dojka. Pas mbresave që na la mikpritja e rrallë prej bujari e Xha Hamitit, ne u larguam prej aty me lutje për shëndetin dhe begatinë e tyre, me shpresën për t’i vizituar sërish në të ardhmen. Kjo familje pret vizita nga çdo njeri që e ndjen se mirësia më e madhe është kur jep dhe ndan me të tjerët atë çka Zoti i Madhëruar të ka dhënë prej begative të tij.

“Trego mëshirë, urdhëro për të mira dhe shmangu nga të padijshmit!” (A’raf, 199.)

Smeralda Çaça

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit