Zjarri pyjor i cili ka vazhduar për rreth tri javë në shtetin amerikan të Kalifornisë, e ka shndërruar në hi një qytezë historike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni (Cal Fire), shtëpitë dhe bizneset në qytezën historike Greenville u shkatërruan plotësisht nga zjarri, i cili thuhet se është më i madhi në historinë e shtetit.
Zjarri i madh, i cili njihet si “Dixie” dhe që thuhet se ka filluar më 13-14 korrik në rajonin verior të Kalifornisë, është përhapur edhe më shumë në dy ditët e fundit edhe pse kanë kaluar tri javë dhe ka filluar të kërcënojë shumë vendbanime.
Zjarri arriti në Greenville në rajonin malor me efektin e erës së thatë që frynte me një shpejtësi prej rreth 64 kilometrash në orë. Në një kohë të shkurtër, flakët përfshinë qytezën, duke shkatërruar qindra shtëpi dhe të gjitha ndërtesat, duke përfshirë restorante, stacione karburanti, kisha, hotele dhe muze.
Doug LaMalfa, i cili përfaqëson rajonin në Kongresin Amerikan, postoi në mediat sociale: “Ne humbëm Greenville-in sonte. Nuk ka fjalë për të thënë”.
Për shkak të zjarreve të tjera pyjore në rajon, shumë vendbanime u evakuuan dhe u mbyll për vizitorët Parku Kombëtar Vullkanik Lassen.
Shtetet përreth gjithashtu pësuan shumë nga zjarri
Në pjesën perëndimore të SHBA-së, ku ndodhin zjarre të mëdha gjatë periudhës më të thatë të vitit, përveç Kalifornisë, edhe shteti Oregon gjithashtu përjetoi zjarrin më të madh pyjor në vend.
Më shumë se 413.000 hektarë tokë u shkatërruan nga zjarri që filloi më 6 korrik në rajonin Bootleg. Zjarri u morr 84 për qind nën kontroll.
Zjarret pyjore, të cilat shpërthyen njëkohësisht në dy shtete fqinje dhe ende nuk mund të shuhen, gjithashtu ndikuan negativisht në cilësinë e ajrit të rajonit.
Qendra Kombëtare e Zjarresve e SHBA-së njoftoi se më shumë se 3 milionë hektarë tokë janë bërë hi në më shumë se 37.000 zjarre në të gjithë vendin që nga fillimi i këtij viti. /aa