Allahu i Lartësuar thotë:
﴿فَإِنَّ مَعَ ٱلۡعُسۡرِ يُسۡرًا﴾ (٥)
﴿إِنَّ مَعَ ٱلۡعُسۡرِ يُسۡرًا﴾ (٦)
“Pa dyshim, bashkë me vështirësinë, vjen lehtësimi. Vërtet, bashkë me vështirësinë, vjen lehtësimi.” (El-Inshirah, 5-6)
Ky është një përgëzim i mrekullueshëm.
Sa herë që të ekzistojnë vështirësia dhe ngushtia, së bashku me to do të vijnë lehtësimi dhe zgjerimi. Edhe sikur vështirësia të struket dhe të fshihet në vrimën e hardhucës, edhe lehtësimi do të hyjë bashkë me të, për ta nxjerrë jashtë dhe për ta larguar, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Allahu, pas vështirësisë, do të sjellë lehtësim”.
Apo sikurse ka thënë edhe Profeti (sal-la Allahu alejhi ue sel-lem): “Me të vërtetë, çlirimi vjen së bashku me ngushtinë dhe, së bashku me vështirësinë, vjen lehtësimi.”.
Po të shohim me kujdes në ajet, fjala “el ‘usr” – “vështirësia” është (në arabisht) në trajtën e shquar, që e nënkupton atë si një të vetme;
Ndërsa fjala “يُسۡرًا – lehtësim” është (në arabisht) në trajtën e pashquar, që nënkupton se ai përsëritet.
Pra, për çdo vështirësi, Zoti i Lartësuar sjell lehtësim pas lehtësimi. Kësisoj, një vështirësi nuk mund të jetë asnjëherë më e madhe se dy lehtësime.
Gjithashtu, duhet të theksojmë se fjala “ٱلۡعُسۡرِ – el ‘usr”, e shoqëruar me nyjen ‘el’, sipas rregullave të arabishtes, ajo i përfshin të gjitha llojet e vështirësive, sado të mëdha dhe të pazgjidhshme të mund të duken.
Kështu, sido që të jetë, në fund të fundit, vështirësia do t’ia lërë vendin lehtësimit dhe çlirimit. Kjo është diçka e pashmangshme.
✍🏻Tefsiri i Sadit